E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama dhe Berisha replikojnë në distancë

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i kundërpërgjigjet kryeministrit Sali Berisha, i cili e ka akuzuar atë se ka lënë Tiranën jetime duke u marrë me punët e partisë. “Këto shkolla që po ndërtojmë në vijimësi janë pjesë e një Tirane që është bërë pjesa e pasqyrës dhe e së ardhmës. Berishës dhe qeverisë së tij i duket vetja jashtë kohe dhe jashtë ngjyrave të së nesërmes”, - pohoi Rama dje gjatë përurimit të një tjetër shkolle 9-vjeçare. Sipas Ramës, e vetmja gjë që duhet të bëjë Berisha është që të japë dorëheqjen. Shkolla "28 Nëntori", e cila ndodhet në Laprakë, i shtohet numrit të disa shkollave 9-vjeçare që janë rikonstruktuar nga Bashkia e Tiranës. Përveç rikonstruksionit të ambienteve ekzistuese, janë shtuar edhe ambiente të reja, çka do të lehtësojë procesin mësimor për nxënësit e Laprakës. Tashmë ata do të kenë sallë kompjuterash, klasa dhe laboratorë të pajisura me mjetet e nevojshme dhe ambiente sportive. Kryeministri Berisha akuzoi dy ditë Ramën se po merrej me partinë dhe jo me Bashkinë duke e lënë atë jetime. Ndërohë që komentet e Berishës kanë vazhduar edhe dje. Kryeministri ka deklaruar nga Peqini se Qeveria shqiptare po i mban premtimet që dha gjatë fushatës elektorale për investime në shëndetësi, shkolla, kanalizime dhe ujësjellësa, duke i pajisur komunat me një infrastrukturë moderne. “Ftoj opozitën, të lërë bulevardet mënjanë, se përveç bulevardeve është dhe një Shqipëri tjetër, e cila po ecën drejt standardeve evropiane”, - tha Kryeministri. Berisha ishte dje mbasdite në Peqin ku ka inspektuar rrugën që lidh autostradën Peqin - Elbasan, në komunën Gjoçaj. Kjo rrugë, me një gjatësi prej 3.5 km, është ndërtuar me një investim prej 30 milionë lekësh nga buxheti i shtetit. Ai ka përuruar dhe përfundimin e punimeve të rrugës së komunës Përparim. Rruga 1.7 km e gjatë lidh komunën Përparim me autostradën. Kryeministri Berisha ka vizituar edhe rikonstruksionin e kanalit vaditës Bishqem-Lazarem, me një gjatësi prej 4.7 km, investim i Bankës Botërore me një shumë prej 21.6 milionë lekësh.
Ky lajm është publikuar: 29/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›