G99: Berisha shumë për Fazliç, asgjë për studentët
"Gjendja e mjerueshme e sistemit tonë arsimor flet qartazi se çdo gjë ka mbetur në suazën e fjalëve dhe jo të veprave. Një javë përpara fillimit të vitit të ri akademik, Kryeministri i vendit shqetësohet më tepër për të mbrojtur sekserin e tij sesa shqetësohet për cilësinë e mësimdhënies, kushtet e jetesës apo pajisjen me kompjuterë minimalisht Pentium 2, sikurse ka premtuar. Kjo qeveri dhe ky Kryeministër ka më shumë prioritet milionat e Fazliçit se kushtet ekonomike të studentëve, ndërkohë që me 1 milion euro spote mund të ishte ndërtuar 1 konvikt i ri, dhe me 50 milionë eurot e Fazliçit mund të ishin ndërtuar 50 konvikte të reja e të ishin zgjidhur shumë nga problemet e studentëve shqiptarë". Ka qenë ky reagimi i djeshëm i G99 në ditën e parë të fillimit të vitit të ri akademik. Sipas G99, premtimet e qeverisë "Berisha" për rritjen e shpenzimeve buxhetore për arsimin nga viti në vit ka rezultuar të ketë qenë demagogjia e radhës. "Aktualisht arsimi përbën vetëm 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, një përqindje absolutisht e ulët krahasuar me vendet e rajonit", theksojnë ata.