E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kjo qeveri delenxhinjsh shqeu dyert e universiteteve

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pas përshëndetjes "për më shumë se 25 mijë nëntëmbëdhjetëvjeçarë të Shqipërisë", i është përveshur politikave të qeverisë për universitetet që i ka cilësuar si "shqyerje dyersh e bërë vetëm për të marrë përfitimin politik". "I ashtuquajturi liberalizim universitetesh është shprehja më shembullore e papërgjegjshmërisë dhe paaftësisë së kësaj qeverie injorantësh, që i ka braktisur të rejat e të rinjtë në mëshirën e fatit", deklaroi dje kreu i PS-së, Edi Rama. Sipas tij, duke shqyer dyert e universiteteve pa e vrarë asnjë dekik seriozisht mendjen për kushtet e mësimdhënies, për motivimin e ekipeve pedagogjike, për marrëdhëniet mes shkollimit e tregut të punës, kjo qeveri delenxhinjsh thjesht ka braktisur detyrën dhe ka lënë në baltë prindërit e fëmijët e tyre. "Shqiptarëve, që investojnë për shkollim, nuk ua shpërblen mundin një karton i quajtur diplomë, po një vend pune në profesionin për të cilin është investuar vite të tëra. Fatkeqësisht, kjo lloj politike e mbrapshtë nuk shton shanset për punësimin e të rejave e të rinjve, po shton numrin e tyre në radhët kilometrike të të papunëve", theksoi Rama. Në vazhdën e kritikës së tij për arsimin e lartë, Rama u shpreh se "kjo shqyerje dyersh e bërë vetëm për të marrë përfitimin politik të ditës nga iluzioni i universitetit për të gjithë, e ka çuar në nivelin e vet më të ulët cilësinë e shkollës së lartë dhe ka rrënuar krejt vlerat e patjetërsueshme të konkurrencës e të meritokracisë në një shoqëri të lirë". Kreu i opozitës ka shtuar më tej se "batërdia e këtyre viteve do të hyj në histori si një degradim i skajshëm i marrëdhënieve të shtetit me arsimin, as që mund të bëhet më fjalë për rol të shtetit në arsim". Rama ka ngritur një seri pikëpyetjesh që nuk kanë nevojë për përgjigje: Për ç‘konkurrencë e meritë mund të bëhet fjalë, kur universitetet sot janë shndërruar në fabrika me tri turne të mbushura jashtë çdo kapaciteti me njerëz?! Për ç‘konkurrencë e meritë mund të bëhet fjalë sot, kur nota mesatare kombëtare e provimeve me zgjedhje këtë vit qe 6.3?

Në fund, Rama ka premtuar "ndryshime radikale në sistemin e arsimit, ku asnjë i ri apo e re nuk do të lihet në mëshirën e fatit dhe asnjë talent nuk do të fiket në mungesë të kushteve për t‘u dalluar".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›