Berisha: Jo më provime me ryshfete
Dita e parë e vitit të ri akademik në Universitetin Politeknik të Tiranës ka nisur me prezencën e një mjeku, kreut të ekzekutivit, Sali Berisha. Pas përshëndetjeve dhe premtimeve të rastit, Kryeministri ka kërkuar edhe mes studentëve e pedagogëve që të luftojnë korrupsionin, duke mos lejuar më ryshfete në provime. "Kam vetëm një kërkesë: të luftojmë së bashku korrupsionin. Unë jam pedagog, kam dhënë mësim 23 vjet në universitet, nuk harroj kurrë ditët e pranimeve në universitete 3-4 vjet më parë. E nxorëm tërësisht jashtë çdolloj ndikimi procesin e pranimeve në universitet. Tani bashkërisht me këta miq do të nxjerrim provimet jashtë çdolloj ndikimi", tha Kryeministri. Ai ka vijuar më tej duke premtuar se në të ardhmen arsimi në Shqipëri do të njohë një transformim të thellë, që "do të synojë mobilizim të të gjitha resurseve më të mëdha të mundshme të kombit". Ndërkohë që, lidhur me mungesat e theksuara të ambienteve, laboratorëve dhe cilësisë së diplomave, kreu i ekzekutivit është justifikuar duke ia lënë barrën e rëndë investimeve që shkojnë në drejtim të infrastrukturës. "Imagjinoi një qeveri, e cila sot është e detyruar të bëjë investime publike 32% të buxhetit, të investojë në vit 1.2 miliardë dollarë në rrugë. Kjo është jashtëzakonisht e rëndë, por e domosdoshme, sepse rrugët janë shpejtësi, sepse ajo që na ka munguar gjithnjë është shpejtësia. Ne duhet të ecim shpejt për të kapur kohën e humbur. Sapo të çlirohemi nga kjo barrë e infrastrukturës e botës së tretë që trashëguam, absolutisht arsimi do të njohë mbështetje, të cilën nuk e imagjinon dot njeri", tha Berisha. Sipas tij, ky vit shkollor nis në një stad të ri, që me liberalizimin e universiteteve brenda një kohe të shkurtër u kalua nga 14 studentë në 30 studentë për 1000 banorë. Kryeministri tha se nga katër herë më larg standardit evropian tashmë Shqipëria është baras me disa vende të Bashkimit Evropian dhe po ecën e sigurt drejt mesatares së BE-së. Ndërsa nuk përmendi asgjë për cilësinë e diplomave dhe për më tepër për ata studentë që kanë përfunduar studimet në universitete private, të cilët janë ende të pa akredituar, që do të thotë se aktualisht diplomat e këtyre të rinjve nuk njihen nga asnjë institucion i shtetit shqiptar. Nga ana e tij, rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Jorgo Kaçani, ka bërë të njohur edhe projektin për zgjerimin e hapësirave të universitetit. Kaçani tha se stafi drejtues i dalë nga zgjedhjet e zhvilluara në universitete, ka përgatitur strategjinë e zhvillimit të Universitetit Politeknik të Tiranës. Ai theksoi se kampusi i ri universitar parashikon ngritjen e një sipërfaqeje ndërtuese prej 60 mijë metra katrorë, me një kosto ndërtimi prej 37 milionë euro. "Të gjitha këto do të çojnë në një dyfishim të numrit të studentëve të UPT-së, rreth 16 mijë studentë, të 1000 pedagogëve me kohë të plotë dhe përmbushjen e treguesve të standardeve evropiane të shkollimit", u shpreh rektori i Politeknikut, Kaçani.