Engel: Korrupsioni dëmton imazhin e Kosovës
Ligjvënësi demokrat nga New Yorku, Eliot Engel, bashkëkryetar i Grupit për çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, duke komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë, lidhur me korrupsionin, ka vlerësuar se çështja e imazhit është shumë e rëndësishme për Kosovën si një shtet i ri që përpiqet të sigurojë njohje
"Korrupsioni është problem. Në Ballkan lufta ndaj tij duhet të vazhdojë. Unë kam folur me kryeministrin Hashim Thaçi dhe ai më ka thënë se e shikon me seriozitet problemin e korrupsionit dhe po e lufton atë. Imazhi është i rëndësishëm për Kosovën si shtet i ri, që përpiqet të sigurojë njohje", ka thënë Engel në një intervistë për Zërin e Amerikës.
"Nuk ka ditë në Washington, që nuk përpiqem për Kosovën. Përditë flas me ambasadorë, ministra të jashtëm kryeministra, presidentë, që t'i bind për të njohur Kosovën. Dhe pa dyshim që çdo gjë që dëmton imazhin e Kosovës nuk është e mirë", ka thënë ai.
Gjerat në Kosovë, sipas Engelit, po shkojnë mirë, mirëpo korrupsionin gjithmonë duhet çrrënjosur.
Duke folur ndërkaq, për zërat që potencojnë mundësinë e ndarjes së Kosovës, si një zgjidhje për marrëdhëniet e saj me Beogradin, Engel ka thënë se kjo është ide e keqe.