Engel nënkryetar i komisionit për punë të jashtme

Kongresisti demokrat Eliot Engel do të jetë nënkryetar i Komisionit për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, një pozitë kjo kyçe në mesin e bashkëpartiakëve në komisionin që udhëhiqet nga republikanët. Partia Republikane ka shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe çdo komision udhëhiqet nga ajo.
Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka 435 anëtarë ndërsa aktualisht shumicën e kanë republikanët, një epërsi që e ruajtën edhe në zgjedhjet e para një muaji. Kongresisti Engel, i zgjedhur anëtar i Kongresit që nga viti 1989, sapo ka fituar zgjedhjet edhe për një mandat tjetër dyvjeçar. Ai arriti fitore prej rreth 70 për qind kundrejt kundërshtarit nga radhët e republikanëve, transmeton RTK.
Kongresisti Engel prej afro dy dekadash është mbase mbështetësi më i madh i çështjes së Kosovës dhe asaj shqiptare në Kongresin Amerikan. Ai është edhe bashkëkryetar i grupit për çështje shqiptare në Kongres.
Distrikti që përfaqëson ai në shtetin e New Yorkut mbase ka më së shumti votues të regjistruar shqiptaro-amerikanë në gjithë Amerikën. Kongresisti Eliot Engel ka marrë mbështetjen e nëntë nga dhjetë anëtarë demoratë të Komisionit dhe zgjedhja e tij nënkryetar i komisionit është pothuajse është një çështje e kryer. Një pozitë e tillë është me mjaft ndikim në politikën e jashtme amerikane.
“Jam i nderuar nga mbështetja që kam marrë nga kolegët në Komisionin për Punë të Jashtme,” ka deklaruar Engel. Kongresisti Engel ka vizituar Kosovën shumë herë ndërsa një shesh në qytetin e Pejës mban emrin e tij./Indeksonline/