E Shtunë, 31 Tetor 2026

Engell: Humbësi dhe fituesi të punojnë së bashku

Kongresmeni Eliot Engell duke vleresuar zgjedhjet, u kërkoi dje palëve fituese dhe humbëse që të punojnë së bashku për të mirën e vendit. 

TIRANE- Kongresmeni Eliot Engell u kërkoi dje palëve fituese dhe humbëse që të punojnë së bashku për të mirën e vendit. Në një intervistë televizive, Engell, u shpreh se zgjedhjet në Shqipëri ishin “më të mirat, më të lirat dhe më të organizuarat” në gjithë historinë e Shqipërisë. “Mendoj se është shumë me rëndësi kur këta e thonë këtë, nuk po e them unë, por po e thonë inspektorët ndërkombëtar të cilët janë neutral dhe i qasen kësaj vetëm nga pikëvështrimi i organizimit dhe zhvillimit të tyre”, - u shpreh Engell në këtë intervistë. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që palët në Shqipëri të mësojnë nga shembulli amerikan, siç ishte ai i vitit 2000, ku zgjedhjet presidenciale lanë “shumë të zhgënjyer”. “Por, sapo u vendos se kush është fituesi, ne të gjithë i shtrënguam duart njëri-tjetrit dhe u bashkuam në luftën tonë të përbashkët, në luftën e SHBA-ve kundër terrorizmit pas 11 shtatorit”, - theksoi në këtë intervistë, kongresmeni. Për të, janë shumë normale, qoftë dialektika e përdorur gjatë fushatës, ashtu si dhe ajo pas fushatës, por e rëndësishme, sipas tij, është që të kuptohet se është më e rëndësishme të punohet së bashku. Engell u ka dhënë edhe një këshillë palëve politike në Shqipëri, që të mos e përjashtojnë njëra-tjetrën nga proceset e zhvillimit të vendit. “Dua tua them të dyja palëve, dua tua them edhe pjesëtarëve të koalicionit të ri të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Edi Ramës gjithashtu, që të punojnë së bashku, sepse Shqipëria ka nevojë për tërë ndihmën që mundet të ketë për ta parë vendin e unifikuar si dhe për të siguruar tërë ndihmën e mundshme për të ardhmen në Shqipëri”, - u shpreh kongresmeni i njohur, Eliot Engell.
(s.g/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›