E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtroi studentët për master, në gjyq ish-pedagogu

Jorgoni dyshohet se ka mashtruar dy studentë duke u marrë atyre shumën prej 5 mijë eurosh, me premtimin se do t’i ndihmonte të vazhdonin masterin në Itali. Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet gati dyvjeçare ndaj ish-pedagogut. 

TIRANE- Aleksandër Jorgoni, ish- pedagogu i Fakultetit të Ekonomisë do të përballet me Drejtësinë nën akuzën e mashtrimit. Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet gati dyvjeçare ndaj ish-pedagogut dhe e ka dorëzuar dosjen penale për gjykim. Jorgoni dyshohet se ka mashtruar dy studentë duke u marrë atyre shumën prej 5 mijë eurosh, me premtimin se do t’i ndihmonte të vazhdonin masterin në Itali, falë një projekti bashkëpunimi mes Fakultetit të Ekonomisë në vendin tonë dhe atij të Forlit, në Bolonja. Ai kishte hapur një zyrë në rrugën “Fortuzi”, në Tiranë, ku mundësonte dërgimin e studentëve për master. Në fakt, dhjetëra studentë janë dërguar në Forli të Bolonjës, mbi bazën e marrëveshjeve të rregullta dhe kanë vazhduar studimet e nivelit të dytë krejt normalisht. Por, ka pasur mes tyre të cilët janë mashtruar, pasi kanë paguar shifra më të larta sesa kushtonte masteri në të vërtetë. Dhe, vetëm kur mbërrinin në Forli studentët kuptonin se kishin rënë pre e mashtrimit të bërë nga ish-pedagogu Jorgoni. Dyshohet se këtë veprimtari kriminale, ish-pedagogu e zhvillonte në bashkëpunim me një koleg të tijin italian. Hetimet ndaj Jorgonit nisën pas denoncimit të dy studenteve. Njësia e specializuar Task-Force duket se ka gjetur të gjitha provat që e fajësojnë atë, pasi dosja penale ndaj tij është dorëzuar për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Çështja penale mban nr.1524 dhe është regjistruar më 24 qershor 2009. Gjyqtari Artan Broci është caktuar nga shorti elektronik për ta shqyrtuar atë. Gjyqtari kishte caktuar seancën e parë gjyqësore, por për mungesë të palëve nuk ka mundur ta zhvillojë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›