Viti i ri shkollor, tekstet në librari në muajin gusht
TIRANE- Tekstet për vitin e ardhshëm shkollor do të shpërndahen në libraritë e autorizuara për tregtim në muajin gusht. Burime nga Ministra e Arsimit dhe Shkencës, konfirmojnë se fillimi i tregtimit të teksteve shkollore që në muajin gusht, do të mundësojë pajisjen në kohë të nxënësve me libra. Të gjitha libraritë të cilat janë të autorizuara për tregtimin e teksteve do të furnizohen me librat për arsimin bazë 9-vjeçar dhe atë të mesëm. Përveç këtyre teksteve, libraritë do të tregtojnë edhe altertekstet. Sipas MASH, shumë shpejt, në të gjitha shkollat e vendit do të afishohet një njoftim ku do të publikohen të gjitha pikat e shitjes së librave dhe botuesit e tyre. Nxjerrja në treg e librave në muajin gusht bëhet në mënyrë që të eliminohen radhët e gjata ku duhet të presin prindërit për të blerë librat e fëmijëve të tyre. Por, nëse do të respektohen apo jo këto data, ende nuk dihet, sepse dhe një vit më parë librat nuk u hodhën në treg në fillim të muajt gusht, duke shkaktuar radhë nëpër libraritë ku tregtoheshin librat shkollorë. Të gjitha librat që do të jenë në shitje do të mbajnë elemente sigurie, si dhe shitësit do t’i pajisin prindërit me kupona, në mënyrë që ato familje që përfitojnë subvencionim nga shteti, të mos kenë probleme për marrjen e këtij të fundit.
(s.g/BalkanWeb)