E Diel, 1 Nëntor 2026

Engjëlli “Kristo” dhe Satanái i vonuar Nga Mërgim Korça Dëgjomë o profesor Kristo, kam lexuar shumë shkrime prej teje, po si ky i fundit, ku e ke sqaruar Mërgim Korçën, si edhe shokët e tij, nuk kisha par’e as dëgjuar! Më të lumtë penda, ose më saktë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Engjëlli “Kristo” dhe Satanái i vonuar Nga Mërgim Korça

Dëgjomë o profesor Kristo, kam lexuar shumë shkrime prej teje, po si ky i fundit, ku e ke sqaruar Mërgim Korçën, si edhe shokët e tij, nuk kisha par’e as dëgjuar! Më të lumtë penda, ose më saktë ... ajo mendje e ndritur q’e drejtoi pendën tënde! Po, po, ai truri yt i veçant’e i betontë pa ashtu, si i thoni ju, cir-con-volu-cio-ne mbase, por beton i sheshtë safí!

Tek e lexoja shkrimin tënd, të përfytyroja ashtu siç je, babaxhan, me atë fytyrë prej engjëlli edhe atë buzëqeshjen tënde të sinqertë thuajse prej të mituri, tek e gozhdoje Mërgim Korçën që pas gjashtëdhjetë vitesh akoma nuk e ka gjetur një dëshmitar rreth mallkimit që të paska bërë jot’ëmë! E di, e di se ç’do të më thuash ... se u lëkunde shumë, derisa e vure këtë pohim, se mbase i vete mendja njeriu e thotë ... “po ç’ne që 60 vite të shkuara z. Mërgim Korça të jetë interesuar të gjejë bashkëdëshmitarë të asaj ndodhíje ... ai tani, vitet e fundit, qëkur ta shikon fytyrën tënde të sinqertë e bindëse në intervista televizive që shikohen edhe në ShBA, ka filluar edhe interesohet për atë ngjarje!” Besomë mua, o profesor, asnjërit nuk i vete mëndja kësisoj, kushdo ty të beson. Ti i imponohesh cilitdo!

Mjaft të shikosh se si ti, me një mjeshtërí të veçantë, duke i thënë botës se z. Mërgim Korça nuk sjell asnjë fakt lidhur me Gjyqin Special, jo që e bind lexuesin, por duke i bërë edhe një paraqitje elegante e mbushur me sofizma lidhur me krahasimin mes procedurave juridike komuniste dhe atyre demokratike, jo që e nxjerr M. Korçën të mbarsur me mentalitetin e procedurës komuniste akoma sot, në një kohë që lexuesi ty automatikisht të radhit me pararojën demokrate! Ja, kjo është mjeshtëria jote e pashembullt! Të lumtë! Ku ke të drejtë, e ke. Unë në fakt u entuziazmova edhe tek lexoja kur e vije me shpatulla pas muri atë këlysh kolaboracionisti e tradhtari, tek ia përplas dyshimin rreth broçkullave që i paska pas thënë i ati Kadri Hazbiut: “Këto i paska thënë Xhevat Korça në mars apo në prill të vitit 1945 Kadriut, kur Enver Hoxha ende nuk ishte bërë diktator (!)... As nuk na njofton se kush ia ka thënë atij bisedën midis Kadri Hazbiut dhe Xhevat Korçës.” Mirëpo, kur e lexova së dyti, tamam që u tërbova, e ti e di se ç’do të thotë inat Satanái! Po si e bëre këtë gafë more profesor i nderuar? Takimi me Kadri Hazbinë qé ditët e para të grevës së urisë së Xhevat Korçës, (e ajo nuk ish si grevat që bëjnë tani në Shqipëri), që përfundoi me vdekjen e tij. E ajo daton në vitin 1959 more i uruar Kristo! Le që ai i kishte cilësuar edhe ata q’e dëshmuan bisedën. Ktheju e lexoje shkrimin e M. Korçës! Nuk të lejohet ty të gabosh kësisoj, pikërisht ti që di të shfytyrosh faktet thuajse si unë vetë! Lëre, nuk duhej kurrsesi ta kishe bërë atë gafë. E kupton ti që edhe vetë procesverbali i gjyqit, ata dëshmitarët, (që ti i quan të vdekur, i sjell të gjallë), sot! Pa le ai dokumenti i gjeneral Dalmazzo-s që M. Korça ta tregon edhe pozicionin në arkiv. Këtu ke shkarë ti edhe unë bashkë me ty.

Që ta mësosh se unë nuk rrëmbehem, po të tregoj nga ana tjetër se sa jam entuziazmuar tek e thua troç, kur i drejtohesh M. Korçës “... ç’qëndrim mbajti Xhevat Korça, kur u parashtrua për ekzekutim dënimi me vdekje i Hamit Shijakut, Hamdi Mëzezit, Nikolla Tupes etj., etj. ... Nëse nuk ishte dakord me dënimin e tyre me varje, përse nuk kundërshtoi, madje përse nuk dha dorëheqjen? ... Q. Stafa, J. Misja, P. Rexhepi dhanë jetën në luftë me milicët fashistë të Mustafa Krujës dhe të Xhevat Korçës, të Hasan Dostit dhe të Mark Gjonmarkajt”. Ta them sinqerisht, je madhështor! Im bir të kishe qenë, nuk do të manovroje më djallëzisht! Doemos, mua nuk ma hedh dot, por unë të vlerësoj në djallëzinë tënde, të cilën e kuptoj dhe e njoh si xhepat e mi! Shiko pse të vlerësoj, o mendje e ndritur djallëzore. Mustafa Kruja, Xhevat Korça, si edhe Mark Gjonmarkaj nuk e dhanë dorëheqjen, (ndonëse, të thuash të vërtetën, vendimet gjyqësore nuk kalojnë në qeveri, po kjo as i vete njeriu në mendje, kur ka të bëjë me pohim tëndin që imponohesh me autoritetin tënd shkencor). E me që u konformuan me atë vendim, ti automatikisht u vendos vulën si kolaboracionistë tradhtarë! Bukur fort. Ngelet problemi i Hasan Dostit edhe Jup Kazazit. Jupin ti e kalon pa e zënë në gojë. Tamam mjeshtrí nga ana e jote. Mirëpo Hasan Dosti me gjithë Jup Kazazin, që të dy ministra në qeverinë Kruja, e dhanë dorëheqjen. E këtu rritet në kulm sërishmi mjeshtëria e jote, se këtë fakt kush e di? E di ti me shokët historianë, po ju, jo që e kini lënë në harresë e nuk e kini zënë në gojë në asnjërin prej teksteve historike të hartuara nga ju, por Hasan Dostit edhe Jup Kazazit që atëherë ia kini vënë vulën e tradhtisë e doemos edhe sot e kësaj dite ti një vulë edhe Hasanin dëng në thes me M. Krujën, Xh. Korçën edhe Mark Gjonmarkajn! Po për Jup Kazazin i vete njeriu mendja të pyesë se ç’u bë? Asnjeriu, ndonëse ti e di se partia ku militoje edhe ti, plumbin ballit ia dha Jupit, ndonëse e dha dorëheqjen me Hasan Dostin në shenjë proteste! Je i madh Kristo! Shkurt fjala, je historian djallëzor i madh!

Sa i takon gjyqeve ku ka dëshmuar jot’ëmë, prapë ke shkarë. Zbardhi. M. Korçës i thua se nuk ka sjellë fakte, (kur ai ka sjellë), për gjyqin Special, kurse ti vetëm një pohim të përgjithshëm ... e hidhesh matanë.

Ta mbyllim edhe këtë vlerësim timin të sotëm, o profesor, duke të të treguar një sekret timin, sekret të thellë. E di se cila qe pika q’e mbushi kupën që të të vija gishtin ty si të përzgjedhurin tim? Ja ai, ai Mërgim Korça. Po, po, se qe ai rrugaç*, siç e quan ti me plot edukatë familjare, intelektuale, si edhe formacion etike shoqërore që, pavarësisht se ti ia veshe dyshimin lexuesve, se ai nuk ka sjellë, jo fakte, por asnjë fakt ndaj atyre që thotë për të të kundërshtuar ty, por un’e lexova me vëmendje se ç’ka pohuar e ndritura mendja jote në faqen 240 të librit “Historia e Shqipërisë” (botim i vitit 1984): “Lëvizja kundra fesë ishte një lëvizje që për nga karakteri, përpjesëtimet dhe rezultatet konkrete nuk e ka njohur historia botërore ... Fetë në vendin tonë e kanë pas lidhur fatin e tyre me atë të pushtuesve të huaj ... Feja dhe shërbëtorët e saj dolën para gjyqit të historisë e të popullit”. Ja, ai rrugaçi e bir tradhtari qé që e solli punën ta përqendroja mendjen te ti si të përzgjedhurin (beniamin) timin! Pa le kur lexova atë tjetrën se ç’ke shkruar ti, e zezë mbi të bardhë, në faqen 174: “Me formimin e PKSh populli ynë kishte, për herë të parë në historinë e tij, një udhëheqje besnike e të sigurt të luftonte deri në fund për mbrojtjen e interesave të tij”. Ose në faqe 197: “PKSh i siguroi popullit aleatë të shumtë e të fuqishëm. Ajo e edukoi popullin shqiptar me frymën e internacionalizmit proletar, të miqësisë e të vëllazërimit me të gjithë popujt e në radhë të parë me popullin sovjetik”. ... “Gjatë vitit 1946 u zbuluan komplotet e grupeve të fshehta politike të organizuara nga misionet angleze dhe amerikane. Qëllimi i tyre ishte përmbysja e pushtetit popullor me ndihmën e ndërhyrjes ushtarake anglo-amerikane ... Siç vërtetoi gjyqi i deputetëve fijet e komplotit të tyre çonin gjithashtu te misionet anglo-amerikane”.

Tashti doemos të lind e drejta ty, o profesor shum’i nderuar, të më pyesësh se si me kaq pak informacion e informacion të marrë nga një rrugaç, që ti gjithë etiket’e mirësjellje e ke cilësuar M. Korçën, unë nxjerr përfundime të themelta sa për të marr’edhe një vendim me kaq rëndësi për mua, si edhe sektorin që drejtoj. Po, miku im i dashur, por duhet të dish se unë e kam edhe një vetí që pakkush e ka, atë të nxjerrjes së përfundimeve me bashkëshoqërim informacionesh, (ndonëse edhe ti, mos kujto se je më pak djallëzor se unë, kur kapesh pas maja degësh e veç kur bën përgjithësime të gënjeshtërta e bombastike). Shiko si e kam nxjerrë unë përfundimin se ti, me karakterin tënd, je tipi aktualisht më i përshtatshëm ta kesh nderin të jesh i përzgjedhuri im. Gjatë gjithë periudhës së diktaturës, me një 250 lekësh, e shpëtove veten nga terrori komunist i Enver Hoxhës. Mos ma moho, së paku mua, se e kam intervistën, kur e ke pohuar se me të, (250 lekëshin), bleve një “tutius”, me të cilin e kyçe gojën. Dakord. Mund ta dinë edhe të tjerë këtë gjë po ... nuk u bën përshtypje, se edhe ata e patën kyçur gojën. Po çfarë tjetër shoh unë te qëndrimi yt, i cili ta jep të drejtën me plot gojën që të shkëlqesh e të shquhesh në syt’e mi prej Satanái e që të tjerët nuk e shquajnë dot? Ti nga njëra anë ia vure kyçin gojës, por nga ana tjetër shkrove e shkrove, (ato që ai rrugaçi e bir tradhtari, Mërgim Korça, i quan fakte, kurse ti me plot të drejtë thua se ai nuk paraqit asnjë fakt), e kësisoj unë te ti vlerësoj tri cilësi tuajat themelore:

1- E mbylle gojën me kyç “tutius” e nuk fole. Kjo të dallon nga ata, të cilët flisnin e shanin e pastaj akuzoheshin për agjitacion e propagandë, apo jo? Cili ësht’i fituari ?

2- Ti vërtet je me një karakter të fortë, si p.sh., profesori i shquar Eqrem Çabej me shokë, të cilin e denonconte publikisht në sesionin e parë të Institutit të Shkencave në 26-29 janar 1952 Dhimitër Shuteriqi “për mënyrë apatriotike” në studimet e tij edhe e thellonte Stefanaq Pollo “... ne duhet t’i luftojmë ata që pa asnjë thërrime patriotizmi përulen verbërisht përpara t’ashtuquajturve autoritete të gjuhësisë borgjeze të Perëndimit, edhe pas daljes në dritë të veprave të Stalinit”. E mbas gjithë kësaj furtune e tufani, prof. E. Çabej, në sesionin e shtatorit të Institutit të Shkencave del edhe ngul këmbë: “Si do të vëmë ne për bazë njërin nga të dy dialektet, kur nuk janë studiuar mirë as njëri, as tjetri?” Ti ç’bëre në fushën tënde? Tutiusin gojës, pse i çmendur ishe ti? Po rezultati praktik? Pavarësisht lidhjeve familjare, ama u bëre edhe i përzgjedhur i udhëheqjes së Institutit Historisë!

3- Kurse sot, me ato metoda të mësuara atëherë, teksa ai rrugaçi Mërgim Korça sjell fakte se si dëshmitarët në gjyqin e Xhevat Korçës hidhnin poshtë akuzat e kapterit akuzues dhe teneqexhiut marrës vendimesh e vetë Xhevat Korça thosh se t’i gjenin një frazë të shkruar pro fashizmit ai pranonte dënimin maksimal e pra me vdekje, ti nga njëra anë këto fakte që janë në protokollin e gjykatës në arkiva i hedh poshtë me një bombë tymëse, se nuk ka më dëshmitarë të gjallë, e pra Mërgim Korça nuk ka fakte, edhe nga ana tjetër, e kjo ësht’edhe më e rëndësishmja, ia jep vetes të drejtën edhe sot ta ndikosh historinë që ata të mos i rehabilitojë, e gjithashtu edhe klerik’e priftërinj të pushkatuar, si edhe deputetët e 1947-ës pas tyre!

Më të lumtë o profesor Kristo që kolaboracionistët me pushtuesit vazhdon dhe i dënon! Ata tradhtarët e Partisë, duke filluar që nga Riza Dani, Shefqet Beja e Islam Radovicka, që i luftuan kolaboracionistët e u bënë me partinë, prapë ke fuqi edhe i dënon (siç e ke shkruar në librin e historisë, që ai rrugaçi i quan gjoja fakte). Vazhdon pastaj edhe me më të vonshmit “kolaboracionistë”, Koçi Xoxin, Bedri Spahiun e kë të zë në gojë më parë. E në fund? Edhe sot gjykatës! Ja, prandaj unë Satanái, sinqerisht befasohem nga këto vlera e virtyte që ke e vazhdon t’i zhvillosh duke patur në qendrën e qendrës vëmendjes metodat e mia djallëzore!

E po ta them copë, profesor i dashur. Që në këtë çast Karonti e ka urdhrin që me të të parë, të të kalojë n’anën tjetër të Akerontit me rrugën e hapur drejt qendrës së Selisë Zjarrit tim! Edhe Cerberusi trikokësh, kur të të shohë, do të të ledhatohet e të t’i lëpijë këmbët, (nën shembullin tënd ndaj ish-eprorëve tuaj).

Vetëm një gjë kije parasysh: sakën se në vijim, siç ia the në mllef e sipër atij rrugaçit, do të merresh me Mustafa Krujën si personazh me veprimtarí tepër komplekse dhe tepër të ndërlikuar! (Ndonëse unë e kuptoj se edhe ai pohim i yti është përgjatë hullísë djallëzisë qe ke mësuar nga unë). Shiko profesor Kristo, nuk e ka keq ndonjëherë ai Mërgim Korça që sjell veç fakteve edhe kujtime në shkrimet e tij. Kujtimet e pasurojnë historinë. Ky është nga rregullat themelore të historisë. Un’e mbaj mend mirëfilli se si Koço, (jo Tashko e as Theodhosi që i pushkatuat), po ai q’e kalbët në burg ti edhe shokët tuaj se qe nga nismëtarët e prurjes komunizmit në Shqipëri, ai Kosta Boshnjaku, kur ti e kishe edhe Drejtor të Përgjithshëm të Bankës Kombëtare, me shaka ta kujtonte si të ledhatonte Miladini, dritë pastë, kur e ndanit shtëpizën me të dhe i vlerësonte virtytet tuaja të karakterit e të thërriste: djalli im!

Të shkuara e të harruara këto more profesor, po ti shiko e tymi të të ecë drejt, derisa të strehohesh, mendoj se jo edhe me vonesë, në Mbretërinë Time të Zjarrit!

* Ti, profesor i nderuar, shkrimin tënd replikues e fillon me “Ndonëse me vonesë, zoti Mërgim Korça ndërhyn në pamfletin që unë i drejtohesha zonjës Ledi Shamku ... dhe në vazhdim, mirë se e quan rrugaç, po së paku cilësorin mjeran mos t’ia vije. Nuk ta merr mendja në botë përse e kam fjalën. Un’e hetova çështjen, sepse ti çdo fjal’e peshon me kandar farmacie. Por ai fshikullim që i bëre ti pse u përgjigj z. M. Korça me vonesë, (bota mbase nuk e vlerësojnë, po un’e kuptova “kamxhikun” tënd), bije në kundërshtim me cilësorin “mjeran”, që i ngjite ti. Ta kishe lënë me “rrugaç”. E di pse? Kur ti e publikove “pamfletin” tënd, z. M. Korça sapo kishte filluar një udhëtim me anije 100.000 tonëshe nëpër detin Baltik dhe e kish nisur nga Kopenhaga, edhe e kishte vazhduar në Keel, Talin, Shën Peterburg, (ku kishte admiruar edhe shtatoren gjigante të idhullit tënd edhe timin, shokut LENIN), Helsinki, Stokholm etj., e kësisoj nuk kish se si ta lexonte shkrimin tënd para se të kthehej në ShBA. Kjo sa i takon hershmërisë replikës. Sa i takon tashti cilësorit “mjeran”, nuk do të doja, unë si Sataná, që ti ta kishe përdorur. E di pse? Mjeran ke qen’edhe ti gjatë gjithë periudhës së diktaturës, se i vure “tutius” gojës e jetoje si miu prapa poçes, ndonëse nga ana tjetër, shkruaje historinë e politizuar, provë kjo e një karakteri vërtet stoik. Por edhe sot, po t’i bësh krahasimet, ti rri i strukur e veç merresh duke shkruar, a folur, (vërtet jo më i prirë nga ideologjit’e partisë), por nga ideologjia e ime, e Satanáit, në një kohë që z. Mërgim Korça e gëzon jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›