Rama: Vendimi i Kolegjit për Beratin i hapi rrugë mosnjohjes së zgjedhjeveNga Tema Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se vendimi i Kolegjit Zgjedhor, i cili rrëzoi pretendimet e socialistëve për Beratin, ishte në kundërshtim m
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama: Vendimi i Kolegjit për Beratin i hapi rrugë mosnjohjes së zgjedhjeveNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha dje se vendimi i Kolegjit Zgjedhor, i cili rrëzoi pretendimet e socialistëve për Beratin, ishte në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Rama tha se ky Kolegj e dha vendimin nën presionin e Berishës. Kryetari socialist deklaroi se ky vendim i Kolegjit i ka hapur rrugë mosnjohjes së zgjedhjeve.
“Dje Kolegji Zgjedhor nuk i rezistoi dot presionit të pushtetit të Sali Berishës dhe dha një vendim skandaloz, në kundërshtim të plotë me Kodin Zgjedhor, që në çështjen e rinumërimit të votave, është i qartë si drita e diellit. Mjafton që 2 anëtarë të KQZ ta kërkojnë rinumërimin dhe kjo bëhet pa asnjë lloj kushti.
Dje, drejtësia e vendosur nën presionin e pushtetit, nuk dha drejtësi, por thelloi padrejtësinë ekstreme të KQZ ndaj Partisë Socialiste, duke e degjeneruar edhe më tej procesin zgjedhor nga njëra anë dhe nga ana tjetër duke e bërë edhe më të rëndë barrën e përgjegjësisë së opozitës, e cila mbetet përditë e më shumë e vetmja forcë dhe e vetmja shpresë e njerëzve për të rezistuar në emër të lirisë dhe të demokracisë, pa u bërë pjesë e kësaj farse përditë e më të neveritshme, ku pushteti po mbyll dita-ditës çdo kanal të pavarur të funksionimit të demokracisë përmes presionit në rritje ndaj drejtësisë, medies, sipërmarrjes dhe qytetarit”, - tha Rama.
“Dje, pushteti mbylli përmes një padrejtësie alarmante rrugën e transparencës ligjore mbi procesin zgjedhor në Berat, por hapi rrugën e mosnjohjes nga ana jonë të legjitimitetit të qeverisë, që do të dalë nga kjo maskaradë elektorale, e cila e bën të detyrueshme rrugën tonë të kontestimit demokratik me të gjitha mjetet që ka në dorë opozita, të këtij pushteti të korruptuarish e korruptuesish, që duan ta kthejnë Shqipërinë në një republikë pa opozitë demokratike, pa drejtësi të pavarur, pa media të lirë, pa sipërmarrje të panënshtruar, pa qytetarë të pakërcënuar për shkak të bindjeve të tyre politike”, - vijoi më tej kryetari socialist.
Rama i quajti zgjedhjet e qershorit të njëjta me zgjedhjet e majit 1996 dhe tha se Berisha do paguajë kosto të lartë politike për to.
“Dje, Sali Berisha grabiti përkohësisht një mandat të Partisë Socialiste në Berat, por përcaktoi verbërisht edhe koston shumë të lartë politike që duhet të paguajë ai vetë dhe qeveria shtatanike, që do të dalë nga këto zgjedhje, të cilat ndryshojnë prej atyre të vitit 1996 vetëm në formë, por jo në thelb. Kjo e vërtetë e hidhur këtë herë nuk doli në shesh që atë ditë si në vitin 1996, nuk ka dalë e gjitha në shesh ende sot, por nuk do të vonojë të dalë në shesh për turpin e madh të të njëjtit njeri, që për pushtetin personal sakrifikon interesat e vendit e të një populli të tërë, dhe të gjithë atyre që janë përfshirë në grabitjen e këtyre zgjedhjeve apo në ligjërimin e kësaj grabitjeje, qoftë duke dhënë vendime të padrejta, qoftë duke ndërtuar alibi të pavërteta”, - u shpreh kryetari i PS.
Duke folur me gjuhën e një opozitari, Rama tha se PS do i kundërvihet pa pushim këtij pushteti të korruptuar.
“Sot, është e sigurt që Partia Socialiste do t’i kundërvihet këtij pushteti të korruptuar dhe korruptues, pa asnjë rezervë, pa asnjë kompromis, pa asnjë pauzë.
Sot, është e sigurt se Partia Socialiste do të angazhohet deri në fund për zbardhjen medoemos të krimit elektoral të 28 qershorit, duke i përfaqësuar denjësisht të gjithë shqiptarët e shqiptaret që e votuan në shumicë, për një politikë të re për ndryshim dhe që duan me të drejtën e Zotit, të ligjit, e të qytetarisë evropiane mbrojtjen e të drejtës së tyre të mohuar nga politika e vjetër për mashtrim.
Sot, është e sigurt se Partia Socialiste do të dalë nga kjo betejë me vetëdijen e plotë se misioni i saj është të mbrojë lirinë dhe të shpëtojë demokracinë e sakatuar nga një pushtet i kthyer në një regjim, që kërkon t’i nënshtrojë të gjithë e të kontrollojë gjithçka, duke i kthyer edhe zgjedhjet në një farsë me një fund të përcaktuar në favor të pushtetit, pavarësisht se si voton qytetari.
Sot, është e sigurt se Partia Socialiste ka më shumë arsye dhe moral të luftojë për një politikë të re për ndryshim”, - tha Rama.
Vendimet e Kolegjit Zgjedhor duket se përfundimisht nuk do të lëvizin asnjë gjë në ndarjen e mandateve duke lënë 70 mandate për koalicionin e PD, 66 për atë të PS dhe 4 mandate për koalicionin e LSI.
Socialistët shpresonin shumë se votat e pavlefshme të Beratit do u jepnin atyre një mandat të pestë. Gjithashtu, ata pretendonin se një vendim për këtë qark mund të bëhej precedent dhe për Shkodrën e ndoshta dhe Tiranën. Socialistët kërkojnë transparencë për këto dy qarqe të tjera.
Në nisje të shqyrtimit të animimeve nga Kolegji Zgjedhor, ambasadorët e BE dhe të SHBA takuan anëtarët e trupës së përzgjedhur dhe kërkuan që të ishin të kujdesshëm në vendimet që do merrnin.
Sipas tyre, vendi ka nevojë për një qeveri legjitime.