Enigma e kërcënimeve ndaj Metes

Çdo ditë prej më se dy javësh, 15 forca speciale të repartit RENEA vazhdojnë të ruajnë ish-zëvendëskryeministrin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe familjen e tij, teksa po kalon pushimet tek vila e tij në një fshat turistik, në gjirin e Lalëzit.
Mediat raportuan gjatë gjithë kësaj periudhe se kryetari i LSI është kërcënuar me jetë, e për këtë atij i është ofruar mbrojtje. Por çfarë thonë strukturat që kanë urdhëruar vendosjen e RENEA-s tek Gjiri i Lalëzit?
Të gjithë drejtuesit e lartë të policisë së shtetit u shprehën se nuk kanë pasur dijeni për një kërcënim të tillë dhe po ashtu zyrtarisht deklarojnë se nuk kanë informacion që RENEA ndodhet tek Gjiri i Lalëzit.
Edhe drejtues të RENEA-s pohojnë shkurt se nuk kanë dijeni që vartësit e tyre të jenë me shërbim tek Gjiri i Lalëzit.
Të pyetur se mjete dhe efektivë të RENEA-s janë pikasur në këtë zonë, drejtuesit shtuan me ironi se këta efektivë mund të kenë qenë me stërvitje apo me pushime.
Drejtues ne prokurorinë e përgjithshme u shprehën se nuk ekziston asnjë kallëzim nga Ilir Meta në organin e akuzës, ku ai të ketë denoncuar ndonjë kërcënim për jetën.