E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, KQZ ndryshon rezultatin e Lezhës

KQZ-ja vendos të përfshijë në rezultatin përfundimtar të Lezhës edhe tabelat e 11 qendrave të votimit


TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje me shumicë votash, që të përfshijë në rezultatin përfundimtar për Qarkun e Lezhës edhe tabelat e 11 qendrave të votimit, kërkesë kjo e bërë nga Partia Demokratike.


Sipas përfaqësuesve ligjorë të kësaj partie, në Qarkun e Lezhës janë 11 qendra votimi, rezultati i të cilave nuk është përfshirë në tabelën përfundimtare të rezultateve.


Gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ-së, përfaqësuesit e PD-së pranë këtij institucioni zgjedhor, kanë theksuar se anëtarët e KZAZ-së nr. 37, kanë miratuar tabelat e 11 qendrave të votimit, i kanë firmosur, madje kanë bërë transferimin elektronik drejt KQZ-së, por rezultati i tyre nuk është përfshirë në tabelën përfundimtare. Pretendimi i tyre lidhet me njohjen e rezultatit të këtyre 11 qendrave, pasi ato janë brenda çdo norme ligjore, që parashikon Kodi Zgjedhor.


Por, ky argument është kundërshtuar nga dy anëtarët e KQZ-së, Pandeli Varfi dhe Dëshira Subashi, të cilët pasi verifikuan procesverbalet e 11 qendrave të votimit, të ardhura nga KZAZ-ja nr. 37, rezultoi se ato kanë pasur parregullsi, vërejtje të shënuara nga anëtarët e kësaj KZAZ-je, dhe rezultati i secilës qendër votimi është kundërshtuar nga dy apo tre anëtarë të grupeve të numërimit të votave.


Edhe përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genci Gjonçaj, ka nisur të japë argumentet kundërshtuese në lidhje me kërkesën ankimore të parashtruar nga PD-ja, por është ndërprerë nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, me pretekstin se po del jashtë objektit të shqyrtimit.


Këmbëngulja e përfaqësuesve socialistë për të marrë të drejtën e fjalës, për të argumentuar apo hedhur poshtë provat e paraqitura nga PD-ja, ka bërë që të ndizet një diskutim ndërmjet kryetarit Ristani dhe nënkryetares Subashi, të cilët e quajtën qëndrimin e secilit të politizuar.


Megjithatë, përpos debatit që rëndom po ndodh në çdo mbledhje, KQZ-ja ka vendosur dje që të miratojë me shumicë votash, përfshirjen e të dhënave të 11 qendrave të votimit në rezultatin përfundimtar për Qarkun e Lezhës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›