E Diel, 1 Nëntor 2026

Enkela Braho - Zoti desh... të më jepte tre fëmijë

 Asgjë nuk ka     ndryshuar në     shtëpi! Vetëm     Anja është 16     muaj më e madhe, e megjithëkëtë po aq e heshtur dhe e qeshur sa u duk të ishte një muaj pas lindjes. Adrieli, ai fjalëshumi, çapkëni i përhershëm, vrapon nëpër shtëpi i shkujdesur gjithashtu i pandryshuar. Edhe pse ka ikur koha kur ai ngrinte veshët për çdo tingull që vinte nga motra e sapolindur, i shqetësuar se mos prindërit drejtoheshin nga ajo, duke ai marrë atij vëmendjen prindërore e cila deri para se ajo të vinte kish qenë e gjitha e tij... Saimiri, nuk është në shtëpi atë mesditë! Gjithsesi të gjithë janë në pritje të mbërritjes së pjesëtarit të ri të familjes. Gruaja e re, Kela, mban vështrim drejt orës. Aroni djali që pret të lindë, mund të mbërrijë menjëherë, ndoshta pak më vonë, ndoshta nesër. Sidoqoftë shumë shpejt... Kjo është familja e këngëtarit Saimir Braho!*  *  *Vetëm kështu që nuk e pat parashikuar veten Enkela Braho! Atëherë, kur i hyri regjisurës, në Akademi, thurte vetëm plane rolesh, ëndërronte skena teatrale, flinte me emrin e personazhit. Këto ishin situatat më të zakonshme të botës së saj, përtej të cilës nuk gjente asnjë arsye njerëzore për t’ia prishur planet.Fundja ajo kishte lodruar me pasionin e saj të parë që kur ishte 6 vjeç. E si të mund ta mendonte veten ndryshe. I kishte numëruar çdo mëngjes, 8 vite me radhë, hapat që e ndanin nga Pallati i Pionierëve ku ishte regjistruar në rrethin e recitimit. A mund të kthehej pas e ta  linte këtë imazh në një kohë të harruar?!“Nuk do të ketë mashkull në botë të më bëj të heq dorë nga teatri!”- Sa e sa herë ia përsëriste vetes me bindje. Megjithatë, pavarësisht se gjërat ndryshuan, rrjedha e jetës gjarpëroi. Në të vërtetë, mashkull që e bëri të heqë dorë nga teatri nuk pati. Ama diç tjetër, më e fortë se Saimiri, e bëri Kelën të flejë e të zgjohet me ninulla fëmijësh…*  *  *Besimi në Zot ishte një derë në të cilën ajo nuk kishte trokitur në pritje për t’iu hapur. Vetvetiu drita i mori nuanca të tjera, hapësira ndryshoi përmasa. Kishte kaluar pak kohë nga përfundimi i studimeve kur e ndjeu frymëmarrjen ndryshe. Ishte vetëm një hap larg asaj periudhës kur, nëse nuk do kishte rol në teatër, angazhim në regji... e asgjë s’do kishte kuptim. Dy mujorin e parë që nuk pati oferta pune, e ndjeu sikur po i iknin disi gjërat nga kontrolli. Por sa kaq mbërriti faza tjetër e kapërcimit që do t’ia lehtësonte boshllëkun e teatrit. Mandej, përgatitjet për martesë, do t’ia çorodisnin aq shumë ditën sa që dëshira për një rol do të shfaqej vetëm në ndonjë natë të pagjumë ku bluan ç’të mundësh. “Kuptova që tërheqja bëhet vetëm nëse e ndjen së brendshmi. Si sforco e jashtme me siguri që do të jetë e përkohshme.”Gjithsesi Kela ndjeu se përparësia e profesionit po i kalonte në një vend tjetër. Po merrnin formë ëndrra të reja. Po nisnin bisedat e para të të sapomartuarve për imazhin e familjes së ardhshme. Numri tre ishte i preferuari i të dyve. Fjala është për numrin e fëmijëve të një familjeje ideale. Ama ishin shumë larg konkretizimit të kësaj preference deri sa hapi sytë i pari, Adrieli...*  *  *Por do të vinte edhe momenti i realizimit të dëshirës së çiftit. Përvojat e para, padyshim, shkaktojnë frikë për shkak të mosnjohjes. gjithsesi, të qarat e para të bebit, u dëgjuan aq shpejt sa që Kela nuk pati më kohë t’i bënte vetes një mijë e një pyetje që i nxiste frika e mosnjohjes. Detyra të tjera të rëndësishme e prisnin. “Duhet të mësoja se kur një e qarë ishte për nevojë, e kur për tekë!”. Nuk kishte bërë një shkollë pas të cilës duhet të jepte provat e dijes. Bashkë me hapat e parë të Adrielit, nëna e re po mësonte të ecte edhe në një rrugë të re. *  *  *Anja do të ishte me disa pikë në avantazh. E ëma me të atin ishin mësuar me përkujdesjen që ka nevojë një fëmijë. Por edhe ajo i ndihmoi: lindi aq e urtë e aq e mbarë sa dukej sikur kishte lindur e zonja e vetes. Problemi ishte vetëm me Adrielin, i cili nuk e pati të lehtë të pranonte zhvendosjen, sado të vogël të vëmendjes. Jo se Anja ishte fare pa gjë. Kur e sheh të ëmën të përkëdhelë flokët e të vëllait, fillon nga tekat e saj. E me këtë përvojë mbi supe, tashmë, mami Kela është bërë gati për skena të vazhdueshme xhelozie, pas ardhjes në shtëpi të Aronit. Deri tani, të dy fëmijët po e presin me po aq padurim sa edhe prindërit. Të shohësh Anjën sa fortë i mbyll sytë tek sa puth e vë kokën te barku i së ëmës, bindesh për këtë. Ndërsa Adrieli ka kohë që e ka shprehur dëshirën për të pasur një vëlla. Përveçse ndihej gjithnjë vetëm mes të gjitha kushërirave femra nëpër festat familjare, kishte edhe një arsye tjetër të fortë për ta shtruar vëllain si kërkesë: donte të kishte një krevat marinar......Të gjitha këto Kela i tregon e lumtur, e qetë, sepse e ka lënë pas krahëve pjesën  e parë të ankthit kur morri vesh, papritmas për fëmijën e tretë. “Të qaja, të mos qaja! Nuk doja të bëja asnjë koment për të cilin të pendohesha më pas”. Derisa pranoi, me mbështetjen e Saimirit, dhuratën e radhës që po i bënte Zoti. “Nëse do mbaheshim gjithnjë te ajo çfarë është më e sigurt e çfarë jo, nuk do kishim as Adrielin!”. Kështu, gjithë pasiguritë që e pushtuan pas ekos së parë, u larguan e u zëvendësuan me energjinë, jo të një gruaje të fortë, por me forcë...*  *  *Aroni pritet me orë të vijë në jetë. Atëherë do të jetë gati korniza ideale, ëndrra që të dy thurnin në kohët e para. Paçka se rruga iu shtroi ulje-ngritje, pasiguri, të dy e kapën atë që donin. Enkela Braho vazhdon edhe sot, deri sa të lindë Aroni, ta bëjë rrugën e Akademisë ku është pedagoge e jashtme e fjalës artistike në degën e regjisë. Dëshiron sakaq që nesër të jetë një pedagoge e brendshme. Skena e teatrit vazhdon të jetë e preferuara e saj. ëndërron s’ka gjë nëse për momentin nuk e sheh veten në atë skenë. Natyrisht  dëshiron që roleve të dikurshëm, t’iu shtojë edhe të tjerë. Po fundja edhe nëse jo, fëmijët dhe familja është boshti i jetës së saj....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›