Lë Gjermaninë për Gramozin
Leonard KarajRenaldo Rama, sulmuesi i rritur tek Olimpiakos dhe i aktivizuar në kampionatin gjerman te ekipi Koblenz, Budesliga 2, ka firmosur përfundimisht për Gramozin. Deri para disa muajsh ai cilësohej si e ardhmja e futbollist shqiptar. I rritur në akademinë e Olimpiakosit dhe me një eksperiencë të shkurtër tek TuS Koblenz ne Gjermani, futbollisti pritej të bënte hapin e madh drejt futbollit elitar. Madje para pak kohësh emri i tij u përmend edhe nga menaxherët e Hanoverit të cilët ishin interesuar për shërbimet e tija. Por fakt është se prej ditës së djeshme Renaldo Rama i është kthyer Kategorisë Superiore në Shqipëri duke startuar karrierën e tij nga debutuesit e Gramozit. Talenti 19-vjeçar, ka mbërritur dje në Ersekë dhe pasi ka biseduar me drejtuesit e klubit ka gjetur akordin, për t’u aktivizuar me kolonjarët deri në fund të sezonit. Nuk bëhen të ditura aspektet financiare mes tij dhe klubit por fakti se një futbollist i përfolur gjatë në merkaton evropiane të futbollit, lë Gjermaninë për Gramozin, mendohet se oferta e presidentit Mustafa Taçi të ketë qenë mjaft e leverdishme për Ramën. Ndërkaq theksohet se futbollisti ka kaluar në formë huazimi tek kjo skuadër përderisa kartoni i tij është edne në pronësi të skuadrës gjermane TuS Koblenz deri në 30 qershor të këtij viti. Te Gramozi Rama do të luajë mes mesfushës dhe sulmit, në rolin e fantazistit përkrah sulmuesve të tjerë si Ngjela, Sadiku dhe Dos Santos. Ndërkohë, Gramozi pret të përforcohet edhe me mesfushorin elbasanas, Klevis Roshi, që së fundmi ka luajtur për Kastriotin. Drejtuesit e klubit kolonjar kanë biseduar me lojtarin dhe mësohet se, kanë rënë parimisht dakord. Tashmë pritet vetëm zyrtarizmi i tij tek kjo skuadër.