E Diel, 1 Nëntor 2026

Enrico Mentana: Në punën tënde është ndërgjegjja jote ajo që të shikon

Intervistë

Sokol Balla: Doktor Mentana, ju njohim mirë, apo jo?

Enrico Mentana: Dukej sikur kisha vdekur. Dukej një nga ato shërbimet që bëhen kur dikush vdes.

Sokol Balla: Këto zakonisht janë shërbime, sidomos për gazetarët, puna e të cilëve vlerësohet shumë. Zoti Mentana, si lindi ideja te ju për t’u bërë gazetar?

Enrico Mentana: Unë jam bir i një gazetari. Prandaj, mund të kuptohet lehtë që e kam dashuruar menjëherë këtë profesion. Por kam dashur diçka, që babai im, i cili ishte gazetar i një gazete sportive, nuk mundi ta bënte kurrë. Dashurova televizionin. Unë jam 55 vjeç dhe televizioni në Itali lindi në të njëjtin vit që linda edhe unë. Pra ishte fati. U pasionova menjëherë me atë mrekulli, që është televizioni, i cili, më shumë se 50 vjet më parë, ishte një objekt i mrekullueshëm dhe shumë i ri dhe vazhdon të jetë edhe sot. Menjëherë u pasionova ndaj faktit që televizioni u hiqte çdo pengesë lajmeve. Nëse mendojmë si janë të ndërtuara gazetat, ato janë sot njëlloj siç kanë qenë 100 vite më parë. Në atë kohë, gjatë të gjithë ditës, gazetarët mblidhnin lajmet dhe pastaj në fund të mbrëmjes mbyllej gazeta, kalonte në tipografi dhe të nesërmen në shitje. Sot është ende si asokohe. Ndërsa televizioni ka mundur kohët dhe, maksimumi i adrenalinës dhe lumturisë profesionale është kur ndodh diçka, dhe ti, pas 10 sekondave, mund t’ua japësh lajmin teleshikuesve. S’ka asnjë diafragmë dhe, mbi të gjitha, nëse je i shpejtë, nuk ke kohë për ta manipuluar lajmin edhe nëse do të doje. Kjo është forca e televizionit, i cili, nëse bëhet në mënyrë të ndershme, nuk mund të fshehë asgjë.

Sokol Balla: Ju e filluat karrierën tuaj të gjatë televizive në RAI. çfarë kujtimesh keni prej atyre viteve zoti Mentana?

Enrico Mentana: Unë kam filluar në RAI, tashmë, më se 30 vite më parë. Isha djalosh atëherë. Në moshën 25 vjeç hyra në TG1 (Tixhi Uno), i cili që atëherë ishte i madh sa sot, por edhe më shumë, sepse ekzistonte ai dhe TG2 (Tixhi Due), e po niste krijimi i TG3 (Tixhi Tre), që ishte diçka shumë më e vogël seç është tani. TG1 ishte, gjithsesi, trashëgimtari i edicionit të lajmeve televizive të vetme. Ishte katedralja e madhe e gazetarisë televizive. Por, ashtu sikurse të gjitha katedralet, të linte shijen e së vjetrës. Ishte i bërë nga rite antike, ishte si mesha në latinisht për katolikët dhe, në fakt, ishte edicion lajmesh katolik. Mbi të gjitha, shumë gazetarë vinin nga gazetat dhe flisnin ashtu siç shkruanin në këto gazeta. Në këtë pikëpamje, edicioni i lajmeve ishte, le të themi, pak i vjetër. Flitej ajo lloj gjuhe që gazetarët përdornin për të treguar se kishin nivel dhe se kishin studiuar. Por nuk kujdeseshin që të përdornin gjuhën popullore, që ishte më e lehtë për t’u kuptuar nga njerëzit që ndiqnin lajmet.

Sokol Balla: Nuk flisnin sikur hanin, siç thoni ju.

Enrico Mentana: Pikërisht. është pikërisht kjo. Nuk flisnin ashtu sikurse hanin. Dhe aty mësova, çfarë ndoshta duhej bërë për të hequr të vjetrën nga lajmet, për të larguar të vjetrën nga informacioni. Të kuptohemi mirë, ishin edicione lajmesh të mëdha. Ishte ndoshta periudha e parë e konkurrencës së vërtetë në Itali. Deri nga gjysma e viteve ’70, ju në të vërtetë ishit më keq, por, te ne informacioni televiziv, televizioni, ishin në dorë të qeverisë. Pas këtyre viteve u vu nën varësinë e Parlamentit. Atëherë iu hap pluralizmit të zërave: zëra të së majtës, të së djathtës, zëra që, deri në atë kohë, ishin ndaluar. Pra, mund të dëgjohej gjithçka. Në edicionet informative kjo gjë hyri me pak vështirësi. Unë pata fatin që të hyj kur u bë ndërrimi i brezave, pra m’u dha hapësirë e madhe. Unë punoja në Redaksinë e Lajmeve Ndërkombëtare, pra me lajmet ndërkombëtare, dhe munda të rritem profesionalisht. Por mendoni, për një të ri të sotëm është e paimagjinueshme se si ishin edicionet informative: duhej të shkruaje në gjashtë kopje edhe një lajm prej një rreshti, që e lexonte më pas folësi. Si bëhej kjo? Vihej një fletë, poshtë letër kopjative, poshtë një tjetër letër, poshtë një tjetër letër kopjative..., e kështu me radhë...

Sokol Balla: E njohim edhe ne si procedurë.

Enrico Mentana: Ishte ajo që përdorej në burokracinë e vjetër komuniste, me shumë gjasa. Ja pra, këtë bëje për të bërë një rresht lajm, të cilin folësi mund ta thoshte shumë mirë edhe pa lexuar. Duhet ta shkruaje në gjashtë kopje. Një kopje i çohej regjisorit, një shefit tënd, që e korrigjonte, nëse ishte e gabuar, një tjetër drejtorit, që thoshte nëse ishte në rregull apo jo, pastaj, një kopje e vetme i arrinte më në fund folësit të lajmeve, që e lexonte. Dhe kështu, ishte një lodhje e madhe që të bëje edicionin informativ. Por kështu bëhej atëherë, sepse nuk kishte kompjuter. Nuk kishte mbërritur revolucioni i vërtetë, që ishte ai i kompjuterëve në redaksi. Prej atëherë shkruhet direkt në promter. Nga ’92-shi, kur lançova TG5 nuk duhej të shkruaje asgjë, vetëm kronikat. Folësi fliste ashtu sikurse edhe hante, në kuptimin që, nuk i duhej të lexonte. Ai duhet të ishte i aftë që të fliste ashtu si po flasim ne.

Sokol Balla: Ky ishte thelbi i suksesit, të themi, i edicionit të parë informativ kombëtar privat në Itali?

Enrico Mentana: Pak edhe kjo, por edhe gjëra të tjera. Ndërkohë, për të thënë atë që është, ishte edhe tërheqja ndaj së resë, një edicion i ri lajmesh. E dyta, një edicion më i ri. E treta një edicion qartësisht i impostuar për të favorizuar faktet që kanë të bëjnë me njerëzit, pra kronika, në vend të të njëjtave lajme: parlamenti, qeveria, të gjitha ato gjëra që ngjallin interes për njerëzit e pushtetshëm, por që thuajse gjithmonë nuk u interesojnë njerëzve normalë. Dhe më pas, pikërisht gjuha. Unë kam besuar gjithmonë tek çështja e gjuhës. Ne flasim një gjuhë zyrtare, që është ajo që përdoret kur flasin njerëzit e rëndësishëm dhe pastaj gjuha është normale. Tashmë shqiptarët i njohin mirë edhe shprehjet e gjuhës italiane. E dinë që, nëse në Itali dikush flet për një automobil, thotë: makina. Por, në lajme, nëse ka një incident automobilistik, nuk do të thuhet kurrë: makina. Thuhet “automobili”, apo “automjeti”, “vetura”. Por quhet makinë... Pse të mos e quajmë makinë?! Dhe kjo është një nga gjërat që tentova të bëja me gazetarët, pra, të çmontoja gjuhën, këtë gjuhë boshe, që shpesh përdorin gazetarët. Ta çmontoja dhe t’i bëja që të flasin ashtu sikurse i mendojnë lajmet. Të gjithë ne, kur mendojmë diçka, e mendojmë normalisht. Thuhet “mama” dhe jo “prindi femër”; “shtëpi”, jo “vendbanim”.

Sokol Balla: Keni pasur ndonjëherë presion nga editori juaj, nga pronari juaj?

Enrico Mentana: Jo, Jo! Unë duhet të them të vërtetën. Tani është shumë e lehtë, dhe në pozicionin që jam, që të flas keq për Berlusconin. Por unë duhet të them se, si editor fillimisht dhe pastaj si politikan, Berlusconi nuk më ka bërë kurrë presione të tilla, që të më detyronin të zgjidhja nëse duhet të lija punën apo të ndërroja një artikull, të vendosja një lajm, apo të evidentoja një tjetër. Kam marrë vesh për disa raste që është nxehur, por, në 13 vite që kam qenë drejtor i TG5 (Tixhi çinkue), unë jam dëgjuar me Berlusconin jo më shumë se 15 herë. Mesatarisht një herë në vit. Di që shumë herë është nxehur, por nuk nxehej me mua. I telefononte presidentit të Mediaset, ndoshta shfryhej, por unë, që kur nisa të bëj TG5, kam bërë gjithmonë me liri të plotë edicionin tim të lajmeve. Dhe ky është motivi që, kur u hoqa nga TG5, nuk thashë: po iki dhe po lë Mediaset-in. Jo, qëndrova atje për të qenë koherent, sepse, nëse për 13 vjet më kishin lënë të punoja lirisht, nuk mund të thosha që ishte një akt prepotent i pabesueshëm sepse po më hiqnin. Jo, unë nuk duhej të harroja që kisha mundur të punoja lirisht, ashtu sikurse punova lirisht përgjatë tre viteve e gjysmë te Matrix. Gjithmonë bëra atë që doja dhe, kur nuk munda më ta bëja, u zumë kaq hapur, sa e morën vesh të gjithë.

Sokol Balla: Megjithatë, kur ju hoqën nga drejtor i TG5, ishte një diçka që lidhej me karrierën tuaj? Tashmë kishte ardhur koha që të bënit një gjë të re, apo pati presion për t’ju hequr, për shkak se ju nuk ishit dhe aq komod në një moment tepër të rëndësishëm për Berlusconin, që në atë kohë po tentonte sërish të bëhej Kryeministër?

Enrico Mentana: S’ka dyshim që u zgjodh të ndryshohej drejtori për ta bërë TG5-n një edicion më të vëmendshëm ndaj arsyeve të Berlusconit.

Sokol Balla: Edhe kjo formë presioni është atëherë.

Enrico Mentana: është një formë presioni. është një zgjedhje... Për shembull, nëse i pari edicion informativ shqiptar vendos që të jetë më favorizues ndaj Kryeministrit Berisha, ose ndaj kryetarit të opozitës Rama, janë zgjedhje që njeriu i bën. Sidomos nëse është një edicion privat, është e drejtë që editori të bëjë këto zgjedhje. Nëse do t’i ndryshosh linjën një edicioni lajmesh, nuk është e thënë që drejtori të jetë pronari i tij. Në vend që të ndryshosh edicionin, ndryshon drejtorin. E rëndësishme është që mos ta detyrosh atë drejtor të bëjë atë që nuk dëshiron të bëjë, apo që nuk di ta bëjë. Unë personalisht nuk do të isha i aftë të bëja një edicion lajmesh të njëanshëm. E megjithatë, sot në Itali ka shumë të tillë, nga njëra anë dhe nga tjetra, sepse në Itali, do t’i keni parë, janë shumë në modë gazetarët që tashmë janë më politikanë sesa vetë politikanët.

Sokol Balla: Flisni për Michele Santoron.

Enrico Mentana: Ose edhe të tjerë. Janë Santoro, por edhe gazetarët e së djathtës, që janë Feltri, Belpietro, që tashmë, shihet që janë po aq të zjarrtë dhe të aftë. Tek e fundit, nuk është sekret fakti që ka gazeta, por edhe edicione lajmesh televizive, që janë haptazi të anuar nga njëra, apo tjetra palë.

Sokol Balla: Bruno Vespën ku e vendosni në këtë analizë tuajën?

Enrico Mentana: Nuk e njoh. Kush është Bruno Vespa? Jo, bëj shaka. Bruno Vespa është një gazetar, konservator i fortë, që është i konsideruar në Itali si më pranë mazhorancës aktuale, por, sigurisht, ka një karakteristikë: mes drejtueseve më të famshëm të talk-show-ve televizivë të RAI-t, është i vetmi që nuk është pranë së majtës. është një gjë e çuditshme, sepse në RAI, në televizionin publik italian, edicionet, dy në tre janë të qeverisë, ndërsa talk-show-t janë më shumë nga krahu tjetër. E vetmja gjë që nuk ka Italia, është dikush që të jetë në lajmet e RAI-t, apo talk-show-t, as këtej e as andej.

Sokol Balla: është e vërtetë që keni thënë për Berlusconin, që si kavalier nuk zbret në mënyrë vullnetare nga shala?

Enrico Mentana: Nuk më kujtohet nëse e kam thënë, por më duket se një batutë të tillë mund ta kem bërë unë në fakt. Me duket se duhet të jetë e vërtetë. Në kuptimin e kavalierit që i hipën kalit, sigurisht që nuk zbret kurrë. Nuk lejon që ta zbresin nga shala. Si kavalier, nga pikëpamja aristokratike, nuk pranon që të ketë pozicione në fushë më shumë se ai.

Sokol Balla: Në 11 prill të vitit 2008, ju arritët t’ia ndërprisnit fjalën atij që do të bëhej Kryeministri i ardhshëm i Italisë, Silvio Berlusconit, që ishte njëkohësisht edhe padroni juaj. Mendoni që këtu filloi fundi i marrëdhënies tuaj aktuale me Mediaset-in?

Enrico Mentana: Jo, jo! Unë dua ta them qartë. Berlusconi nuk është tip që gazetari e trajton keq dhe atëherë ai e përzë atë. Ose të paktën nuk e ka bërë me mua. Ndoshta atëherë u nevrikos shumë, sepse, nëse dikush të heq fjalën, të jep bezdi në të vërtetë. Por, në atë rast, sigurisht nuk mund ta lija më që të fliste, sepse nuk kishte më kohë në dispozicion, ishte dita e fundit e fushatës elektorale dhe është dita absolute ku duhet të respektosh rregullat. Për si është ndërtuar, ndonjëherë, Berlusconi nuk i ka shumë parasysh rregullat, gjë që dihet.

Sokol Balla: Ishte padroni apo jo? Mendonte se ishte padroni?

Enrico Mentana: Po, por ndoshta nuk kishte parasysh, ose nuk konsideronte që, në atë situatë, edhe pse ishte në Mediaset, padroni i shtëpisë, ne fakt, isha unë. Por, padroni i shtëpisë, sigurisht ka edhe detyrime ndaj mysafirëve. U përpoqa t’i ndërprisja fjalën në mënyrën më elegante, për ta ndalur që të fliste sërish. Ajo që mund të zbuloj është se, pas mbarimit të emisionit iku shumë i nevrikosur, por, pesë minuta më pas, më telefonoi nga makina që po e çonte në shtëpi, për të më thënë: bëre mire, kuptova shumë mirë, jemi miq - si më parë me demek. Deshi të më tregonte se nuk ishte nxehur për atë gjë. Tek e fundit pastaj, zgjedhjet i fitoi. Ndoshta nëse nuk do t’i kishte fituar...

Sokol Balla: Do t’jua vinte fajin juve.

Enrico Mentana: Do të ma vinte fajin mua... Po, ndoshta po. Por..., le të themi të vërtetën, nuk është ajo, nuk është për ato gjëra që prishet një raport, apo që një gazetar shndërrohet në një gogol. Berlusconi në Itali përshkruhet si një njeri që ka shumë pushtet mediatik dhe kjo është e vërtetë. Por, përshkruhet edhe si njeriu, që është bërë shkak që në Itali të mos të ketë liri informacioni. Por në Itali ka liri informacioni, e çfarë të pasure! Siç kujtuam më parë, në televizionin publik mund të ketë një Michele Santoro, apo një Marko Travalio, që është njeriu me...

Sokol Balla: Me vështirësi? Me probleme të mëdha.

Enrico Mentana: Epo, vështirësi. është në transmetim çdo javë, në orarin më të rëndësishëm. Liria nuk është ajo, që të jesh gjithmonë, përditë. Ajo që dua të them është diçka tjetër. Sigurisht që ka një mazhorancë zërash në favor të qeverisë. Sigurisht që ka, madje edhe përditë, edhe shumë zëra të tjerë në favor të opozitës, ose nga këndvështrimi i opozitës: TG3 dhe jo vetëm. Ajo që, sipas meje, ekziston gjithmonë e më pak në Itali, është një gazetari asnjanëse. Tashmë, për të bërë gazetari në Itali, duket se duhet të jesh ose me njërën palë, ose me tjetrën, ose me Berishën, ose me Ramën. Ky është problemi.

Sokol Balla: Cili është atëherë misioni i gazetarëve sot zoti Mentana?

Enrico Mentana: Misioni i gazetarëve është të japin lajmet, të rrëfejnë atë që ndodh dhe jo të thonë se Berlusconi ka gjithmonë të drejtë, apo Berisha ka gjithmonë të drejtë, ose që Berlusconi e ka gjithmonë gabim, ose Berisha e ka gjithmonë gabim. Ka raste kur Berlusconi ka të drejtë dhe gazetari thotë “Në fakt kështu është” dhe raste kur e ka gabim dhe ai thotë “Në fakt nuk është kështu!”. Por, në Itali dhe jo vetëm, gazetari që një herë thotë se Berlusconi gabon, duket se duhet të luajë këtë rol gjatë gjithë jetës së tij profesionale.

Sokol Balla: I kemi edhe ne këtu ata gazetarë.

Enrico Mentana: Pikërisht! Ka gazetarë që, nëse Berlusconi thotë se toka është e rrumbullakët, shkojnë të kërkojnë cepat edhe ata për të treguar që po gënjen. Ky është problemi ynë në këtë fazë dhe gazetaria është tjetër gjë. Gazetaria është të tregosh gjërat që ndodhin, pa bërë tifozllëk për asnjë. Im atë do të kishte qenë i kënaqur, meqë ishte gazetar sporti. Por tashmë gazetaria italiane, dhe jo vetëm, është e ngjashme me gazetarinë sportive. Bëhet tifozllëk, para se të rrëfejnë ndeshjen.

Sokol Balla: çfarë po ndodh me Italinë zoti Mentana? Arsyeja pse jua bëj këtë pyetje është sepse Italia është një burim frymëzimi për Shqipërinë.

Enrico Mentana: Le të fillojmë duke thënë se Italia nuk është në gjendje edhe aq të keqe, sepse, përndryshe, duket sikur Italia është një vend që po fundoset. Mbi të gjitha, Italia po del nga kriza më mirë se vende të tjera dhe kjo është një e dhënë objektive, duhet ta themi. Nuk e kemi larg Greqinë dhe ajo është vërtet në telashe. Portugalia është në telashe. Spanja është në telashe. Italia nuk është një vend në telashe. Italia është një vend që ka pasuri të thellë. Kush njeh Italinë, e di se tetë italianë në dhjetë kanë shtëpi, që i kanë pasuri të tyren. Italianët kanë kursimet private në bankë dhe, për nga numri, ato janë më të mëdhatë e Europës. Pra, është një vend që ka shifra të mira, përveç atyre të këqijave, që i dimë. është një vend që administrohet ashtu si mund të administrohet, në kuptimin që, tashmë, ajo që ka rëndësi është ekonomia. Italia ka një borxh të frikshëm dhe kështu që mund të administrohet vetëm me pikatore, pra duke shpenzuar sa më pak që të jetë e mundur, duke u përpjekur për të kursyer sa më shumë. Këtë bëri ministri jonë i Ekonomisë, Tremonti, që ka fituar një vlerësim mjaftueshmërisht të gjerë. Po atëherë, Berlusconi...? - do të më pyesni ju. Berlusconi është kreu i qeverisë, që është disi edhe rrufepritëse, në kuptimin që, gjithçka ka të bëjë me të. Të gjitha zgjedhjet që janë mbajtur në Itali, të çdo viti, mes atyre politike, rajonale, bashkiake, janë transformuar nga Berlusconi dhe kundërshtarët e tij në një referendum për Berlusconin. Për aq kohë sa zgjedhjet do të jenë një referendum për Berlusconin, do të fitojë Berlusconi. Sepse, mes origjinalit dhe kritikëve të tij, italianët, dhe jo vetëm ata, votojnë gjithmonë për origjinalin. Kush kritikon, në vend që të japë një propozim alternativ, ndoshta ka të drejtë, por është humbës. Edhe sepse Berlusconi ka treguar që ka popullaritet shumë të fortë. Kjo është një gjë që ka të bëjë edhe me Shqipërinë. Në Shqipëri, zyrtarisht, sigurisht deri në rënien e regjimit të kaluar, s’kishte asnjë të djathtë. Ashtu sikurse në Itali, deri në 1994-n nuk ekzistonte e djathta. Ishte qendra dhe e majta. Berlusconi është ai që, me Bossi-n dhe Fini-n, shpiku të djathtën në Itali. Sot, të paktën gjysma e zgjedhësve janë të djathtë. Për aq kohë sa ata që atakojnë janë ata të së majtës, kanë qenë ata të së majtës, sigurisht që Berlusconi mori avantazh nga ky fakt, që e majta në Itali, për gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën, me sa duket nuk simpatizohet nga një pjesë e popullsisë. Tani gjërat ndryshojnë. Pikërisht në një nga këto ditë pamë që një njeri i rëndësishëm i së djathtës, Fini, atakoi edhe ai Berlusconin. Pra, nuk e di si do të jetë e ardhmja, por, nëse analizoj atë që ka ndodhur deri më sot, para miqve të huaj që më pyesin se si është e mundur, skandalet seksuale, drejtësia, konfliktet e interesit... Po, por italianët thonë, më mirë ky Berlusconi, sesa një alternativë që nuk kuptohet se çfarë është. Nëse mendojmë se çfarë ka qenë e majta në Itali dhe çfarë është tani, kuptojmë se kush është problemi: nuk ka një alternativë të besueshme. Nëse dikush do të thoshte: jo, nuk votojmë më për Berlusconi-n, votojmë për rivalin e tij, atëherë kush është rivali i tij?

Sokol Balla: Bersani.

Enrico Mentana: Bersani është ende një personazh i njohur pak. Shqiptarët, që dinë gjithçka për Italinë, ndoshta për Bersanin thonë: Kush është?! Nuk është ende i njohur ndoshta. është si futbollistët, ndoshta do të bëhet kampion i madh, por tani luan ende në prapavijë.
Ka lindur në të njëjtën ditë me Berlusconin.

Sokol Balla: Vërtetë?!

Enrico Mentana: 29 shtator, por në një tjetër vit.

Sokol Balla: Megjithatë, duket sikur zgjedhësit në Itali, për shembull, duke votuar Bossi-n më shumë në këto zgjedhje, duket sikur kërkojnë që Kryeministri i tyre të jetë edhe më keq seç është Berlusconi sot.

Enrico Mentana: Kujdes. Ishte një film amerikan me imazhe të vërteta dhe kartona të animuar, që titullohej “Kush e mbërtheu Roxher Rabbit”, ku kishte një personazh, të vizatuar, një vajzë, siç ishin filmat amerikanë të viteve ’30-të, e bukur por e mallkuar, që quhej Jessica Rabbit (Xhesika Rabit). Në një frazë të paharrueshme të atij filmi ajo thotë: “Nuk jam unë që jam e keqe, janë ata që më ‘vizatojnë’ kështu”. Kujdes me Bossi-n! Mos të gabojmë në interpretimin e Legës, që me siguri, e parë nga jashtë shtetit, duket si një fenomen pak i çuditshëm, provincial, pak folkloristik. Lega është një parti që u jep domethënie shumë nevojave, që janë shumë të ndjera në pjesën më të pasur të Italisë, që është Veriu, ajo që ata e quajnë Padania. Jo vetëm kaq. Lega është shumë interesante për bisedën që po bëjmë, sepse Bossi, lideri i Legës, gjashtë vite më parë pati një sëmundje të rëndë. Pra nuk mundet më që të dalë në televizor. Pra, prej gjashtë vjetësh Lega ka një lider që nuk del në televizor. E megjithatë Lega fiton zgjedhjet. Pra të gjitha gjërat që po themi mbi fuqinë e imazhit, për Legën nuk vlejnë. Jo vetëm kaq, por Lega, në përgjithësi, është një parti që del pak në televizor, por është një parti që bën politikën tradicionale. Atë që bëhej në Itali dhe Shqipëri disa dhjetëvjeçarë më parë. Politika që bëhet me seksionet në çdo qytet, me militantët që përpiqen të marrin vesh kush janë problemet e rrugës së prishur, frikës në periferi, sigurisë. Në këtë mënyrë, Lega arriti të kishte një pushtet shumë të fortë në veri të Italisë. Ka shumë militantë të vjetër të së majtës, që thonë: Lega bën sot atë lloj politike në territor që bënim ne disa dhjetëvjeçarë më parë dhe mbase edhe e kanë pak zili. Për sa i përket problemit të ksenofobisë, urrejtjes ndaj të huajve, emigrantëve etj., objektivisht, ai është një problem, sepse, nëse nuk është politika që di të sigurojë dhe garantojë, duke thënë: “Mos u shqetësoni, mendojmë ne!”, çdokush lihet vetëm, me frikërat e tij. Kush përfaqëson ato frikëra, fiton pastaj.

Sokol Balla: Një pyetje të fundit në këtë pjesë zoti Mentana...

Enrico Mentana: E fundit për tani.

Sokol Balla: Për tani, po. Jeni shprehur që, normalisht, për një gazetar është më normale që ai të mos votojë. Abstenimi në votimet politike, mendoni që është një mënyrë se si një gazetar mund të ruajë objektivitetin e tij?

Enrico Mentana: Nuk është e vetmja mënyrë. Nëse një gazetar ndihet autonom dhe i pavarur dhe dëshiron të votojë, unë jam dakord me këtë. Unë personalisht, duke i njohur nga afër politikanët, pothuajse kurrë nuk e kam pasur ndjesinë për të votuar, sepse nuk kam njohur asnjë që të kishte gjithmonë të drejtë dhe një që ta kishte gabim për gjithçka. Ky është pak problemi i gazetarëve të tjerë italianë. Unë nuk votoj, jo vetëm për këtë, por sepse, në këtë moment, politika italiane nuk është në nivel të lartë. Po jetojmë në një periudhë jo të mirë të ofertës së Berlusconit. Unë nuk e kam votuar kurrë Berlusconin, ia kam thënë gjithmonë dhe ai e di. Ai vetë i pari. Por jetojmë edhe një periudhë jo të mirë të opozitës ndaj Berlusconit, madje aspak të mirë të opozitës ndaj Berlusconit. Nuk votova disa javë më parë në zgjedhjet rajonale, por ashtu sikurse unë, nuk votoi më duket 36 për qind e italianëve. Pra, është bërë partia e parë e Italisë, ajo e atyre që nuk votojnë. Jam në shoqëri të mirë. Nuk do të jenë vetëm gazetarë.

Sokol Balla: Keni votuar sërish partinë fituese, apo jo?

Enrico Mentana: Po, u ngjita në karrocën e fituesit, po s’kishte rrota.

Sokol Balla: Zoti Mentana, disa nga pyetjet me karakter politik që ju bëra për Italinë, në fakt kishin një hile të vogël nga pas, pasi, në fakt, ka shumë ngjashmëri mes dy vendeve tona, ose, së paku, ne mendojmë kështu, apo besojmë të jetë kështu. Por, po të shikojmë edhe skenën politike, kemi një Kryeministër shqiptar, Sali Berishën, që ju besoj e njihni, i cili nuk e fsheh faktin që admiron Silvio Berlusconin, për fat, jo në jetën personale. Ky është një fat, besoj. Por duket se për gjithçka tjetër...

Enrico Mentana: Për fat të kujt?

Sokol Balla: Ndërkohë, Berisha ka një karakteristikë që e dallon, gjithsesi. Duket njëkohësisht sikur është herë Berlusconi, herë Bossi, siç e shpjeguat edhe ju. Ah, jo thjesht për faktin që Bossi vjen nga veriu, e. Por, gjithashtu kemi një lider tjetër, liderin e opozitës, Edi Rama, i cili, në fakt, nuk e fsheh, që është admirues i politikës së re, i politikës ndryshe. Pak a shumë politikës së shpikur nga Valter Veltroni, madje ndonjëherë ne bëjmë shaka...

Enrico Mentana: Edhe ai është kryetar bashkie, Veltroni ishte kryetar i Bashkisë së Romës dhe Rama kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Sokol Balla: Pikërisht pra, pasi edhe Veltroni ka qenë kryetar i Bashkisë së Romës. Madje ndonjëherë, ne, duke bërë ironi, themi që Rama e kopjoi aq shumë Veltronin, sa i kopjoi edhe mënyrën se si ai humbi. Pra, një filozofi më pak e ashpër, më shumë misionare, por që në fakt nuk prodhoi aq vota sa mendonte zoti Rama. Siç e shikoni edhe nga ky program ku jeni i ftuar, ne admirojmë televizionin italian, madje nuk e fshehim që shpeshherë frymëzohemi në programet tona prej tij. është një gjë e mirë, zoti Mentana, që ne e kemi Italinë si një model?

Enrico Mentana: Sipas meje, nuk është keq që ta kesh Italinë si model. Dua të them diçka, që s’kisha mundur kurrë ta thosha, sepse për këto gjëra s’kisha mundur kurrë të flisja. Për shqiptarët e parë që erdhën në Itali, me mënyrën që ne njohim, me konfuzion dhe zhurmë, u tha: vijnë në Itali sepse janë të iluzionuar nga ajo që shohin në televizion, që paraqet një Itali..., por televizioni paraqiste një Itali të vërtetë. Italia e ka për turp që është një vend ku jetohet mirë, ka shumë gjëra të bukura, sigurisht ka edhe shumë gjëra të shëmtuara. Por Italia, sipas meje, është një vend që mund të jetë model për shumë gjëra. Dhe, sidoqoftë, nuk ka asgjë të keqe, në momentin kur një vend fiton lirinë nga një ditë në tjetrën, nga një muaj në tjetrin, që ky vend, sikurse i ndodhi Shqipërisë, të zhvillojë disa modele, sipas asaj çka arrin të shikojë. Ndodh, në disa periudha të historisë, breza të tërë intelektualësh, aristokratësh, e kemi studiuar në libra, të bëjnë zgjedhjet e tyre sepse kanë lexuar vetëm librat francezë, romancierët e mëdhenj rusë. Në kohët tona, ndodh që frymëzimi vjen nga skena publike që shihet në televizion, apo nga vetë programet televizive. Gjithçka mund të thuhet për televizionin italian, përveçse që imponon diktatura. Pse e them këtë? Sepse Berlusconi fitoi kur nuk kontrollonte televizionin publik, pastaj u bë kreu i qeverisë dhe, sigurisht, i zgjodhi vetë njerëzit që drejtonin edicionet informative. Por humbi zgjedhjet e mëpasshme. Pastaj, njerëzit që drejtonin edicionet publike i zgjodhi e majta. Më pas u bënë zgjedhjet dhe e majta humbi dhe Berlusconi vuri njerëzit e tij. Pastaj humbi edhe ai, më vonë rihumbi e majta. Atëherë, ashtu siç edhe duket, të “qeverisësh” televizionin, nuk është sinonim i diktaturës televizive. Pra, televizioni është një përfaqësim i realitetit, të cilin nuk arrin dot ta deformojë, të gjithin. Sipas meje, ky model italian, ku mund të shihet gjithçka, është një model i mirë për ju. Nuk e di nëse modeli politik italian është një model i mirë. Nuk e di, nuk di ta them... Ky është modeli që kemi. Sali Berisha nuk bën politikë, sepse ka parë Berlusconin, edhe sepse ka filluar në të njëjtën kohë me Berlusconin, ose ndoshta ka filluar më përpara.

Sokol Balla: 4 vjet më herët se Berlusconi.

Enrico Mentana: Por mund të themi diçka, ashtu siç ndodh në Itali dhe në Shqipëri, ndodh edhe në Francë, në Gjermani. Tashmë ka ndodhur, deri në këto zgjedhje, edhe në Britaninë e Madhe. Tani po shkohet drejt një bipolarizimi mes së djathtës dhe së majtës, që është shumë i personalizuar, sepse e djathta nuk është më ajo e mëparshmja dhe as e majta. Në veçanti e majta, e cila ka qenë gjithmonë mbretëria e politikës, e të pasionuarve ndaj politikës, e atyre që duan të ndryshojnë botën dhe që ndihen më të impenjuar, po ndryshon në të gjithë Europën, sepse në realitet të arrish t’ia dalësh të gjesh çdo të thotë të jesh i majtë, nuk e gjeti më askush. Në cilën anë lëviz një e majtë, në vitet kur të gjithë mund të kenë televizorin me plazmë, celularin. Cilat janë fitoret e barazisë, barazisë së re? çfarë duhet të jetë e majta? Për çfarë duhet të luftojë? Ju keni njohur në historinë tuaj...

Sokol Balla: Po flisni sikur nuk jeni një njeri i së majtës, ndërkohë që jeni i tillë...

Enrico Mentana: Unë jam një njeri që nuk voton, por njoh mirë të majtën, sepse formimi im, ashtu sikurse ai i shumë gazetarëve dhe i njerëzve të tjerë të moshës sime në Itali, ishte një formim më i vëmendshëm ndaj së majtës sesa së djathtës, që për më tepër nuk ekzistonte. Në Itali, gjatë gjithë periudhës së pasluftës, janë evidentuar idetë e së djathtës që kishte shkuar në fashizëm. Por, e djathta e sotme në të gjithë Europën është ndryshe. Sarkozy nuk është fashist, Merkel nuk është fashiste, Cameron nuk është fashist.

Sokol Balla: Berlusconi?

Enrico Mentana: Berlusconi nuk është fashist. Berlusconi është Berlusconist dhe kjo është gjë tjetër. ëndrra e Berlusconit është që të takojë Bersanin dhe ta bindë se ka të drejtë ai. është diçka krejt tjetër. Ka personalitet karizmatik, diçka që e kanë shumë politikanë. Unë mendoj se edhe Berisha është kështu. Do të donte t’i fitonte të gjithë dhe, kur disa nuk i fiton, ai nxehet, sepse ata nuk kuptojnë. është kështu edhe Sarkozy, le të kuptohemi! Por problemi, e përsëris, është i atyre që kanë ndërmarrë politikën. Berlusconi dhe shumë të tjerë kanë ndërmarrë antipolitikën. Janë fenomene të fundit të pasluftës, të pas Murit të Berlinit. Kur thuhet: Mjaft! Politika ka sjellë vetëm dëme, ndërhyrjet e para, njerëz që ishin burokratë të veckël. Mjaft me politikën e vjetër, le të bëjmë antipolitikën, që solli atë frymë ndryshimesh dhe personazhe nga më të ndryshmit...! Trashëgimtarët e politikës tradicionale kanë gjithmonë e më shumë partitë progresiste, që nxorën personazhe, si për shembull në Francë, apo në Gjermani Schroeder-i dhe këto personazhe, që ishin trashëgimtarë të traditave të mëdha. Përsëris, e majta duket sikur ka mbaruar së pasuri mjaftueshmërisht letra për t’u ulur në një tavolinë pokeri dhe për të fituar. Tavolinën e pokerit të zgjedhjeve. Më tërheq kjo gjë dhe e them, pa pasion negativ, sepse është një punë shumë e vështirë për ta rikthyer si fituese qendrën e majtë. Jo rastësisht, më parë po citoj Ramën dhe Veltronin. Jo rastësisht tentativa e fundit që është bërë, ishte ajo për të marrë administrues që kanë administruar mirë, për të treguar: e majta baras me administrim të mirë. Por kjo nuk mjafton për t’i bërë njerëzit të ëndërrojnë...

Sokol Balla: Megjithatë, kjo është një gjë shumë interesante që sapo thatë dhe besoj politikanët këtu duhet të mbajnë shënime. Do të doja të flisja së paku për gjërat e përbashkëta që ne kemi: problemet. Probleme që zakonisht, së paku ne këtu në Shqipëri i kuptojmë, apo i vlerësojmë më mirë kur na vlerësojnë të huajt. Për shembull, çdo vit ne kemi institucione ndërkombëtare si “Amnesty International”, “State Departement”, “Transparency International”, “Freedom House”, të cilat kritikojnë autoritetet shqiptare për forma të ndryshme presioni të ushtruara ndaj lirisë së shprehjes dhe të shtypit. Por ajo që ne shohim, është se, pikërisht këto institucione ndërkombëtare, të themi këto 2-3 vitet e fundit, i kanë drejtuar pothuajse të njëjtat kritika, me pothuajse të njëjtat tone edhe ndaj nesh, gazetarëve, për autocensurën, për pluralizmin e pronësisë mediatike, për konfliktin e interesave që zakonisht përfshin pronarët e gazetave, apo të televizioneve. Por në pritje, apo në kërkim të një zgjidhjeje kur shikojmë që të njëjtat kritika tashmë i drejtohen edhe Italisë, duket sikur tashmë ne humbasim shpresën. A duhet ta humbasim shpresën zoti Mentana?

Enrico Mentana: është një argument i vështirë për t’u trajtuar. Obama i refuzoi një intervistë stacionit televiziv “Fox”, sepse ishte kundër tij. E megjithatë Obama është njeriu më i pushtetshëm i botës, Presidenti i SHBA-së, por jo vetëm: është njeriu që shihet nga e gjithë bota si demokrati i mirëfilltë. Sarkozy bëri që të pushoheshin nga puna disa gazetarë, që kishin prekur gjërat e tij private, bënin kërkime mbi jetën e tij private. Ose më të paktën i vendosi në kushte të tilla, që të mos e dëmtonin, duke folur me pronarët, gjëja më e keqe që mund të bëhet. Edhe ne të dyve na ka qëlluar që të na heqin nga roli që kishim, por sipas mendimit tim, një drejtor e di në jetën e tij profesionale ekziston rreziku se duhet lënë drejtimi i një edicioni lajmesh. është pjesë e rregullave të lojës. Nuk është ky problemi. Liria e shtypit është kur ti, tani do të them diçka me impakt të fortë, mendon se Berisha është një i paudhë dhe nuk mund ta thuash. Në realitet, ashtu sikurse në Itali mund të thuhet nëse mendohet - e thonë çdo ditë ata që e mendojnë - gjërat më të këqija për Berlusconin, mendoj se edhe në Shqipëri mund të thuhet se Berisha është një i paudhë, me kusht që thuhet, edhe në ndonjë program tjetër, se Berisha është njeri i mirë, është shumë i mirë, është më i miri. Nëse kjo mund të thuhet, liria e shtypit, e informacionit ekziston. Por ka një tjetër problem, që nuk mjafton vetëm të thuhet se liri ka, po sa liri ka? Sepse kjo është çështja. Nëse pronari yt i një televizioni, apo gazete të thotë: Mirë e the, por tani mos e thuaj më për dy muaj të lutem, është një kushtëzim. Ti mund të thuash se ka liri, por ç’lloj lirie ka? ç’lloj lirie ka? Kjo gjë është njësoj në të gjithë botën, ku siç thashë më parë, politikanët janë më të vëmendshëm se kurrë ndaj figurës së tyre personale. Sepse pikërisht figura personale zëvendëson rolet e partive, të ideologjive. Dikur, një fushatë e bukur politike vlente më shumë se një lider. Sot, një lider i bukur, i bukur, flas, jo se duhet të jetë aktor, pra një figurë e fortë, vlen më shumë se një ide e fortë. Kjo gjë e kushtëzon shumë lirinë e informacionit, së bashku me një tjetër ama: gazetarët shpesh duan të jenë fenomenë. Shumë gazetarë e ngatërrojnë misionin e tyre, fytyrën dhe kolltukun e tyre me një sinonim lirie. Nëse dikush mund të bëjë programin e tij, ka liri, nëse dikush s’e bën dot, s’ka liri.

Sokol Balla: Në librin tuaj “Passionacia”, të cilin shpresojmë ta përkthejmë edhe në shqip, besoj është një libër me leksione shumë të mira për gazetarët shqiptarë, ju gjithashtu thoni: pasioni, pra ai zjarri që djeg përbrenda i profesionit të gazetarit është asgjë pa rastësinë dhe fatin.

Enrico Mentana: Ashtu është! Në jetë, të gjithë ne kemi qenë me fat dhe kemi mundur të bëjmë disa gjëra, ose të pafat dhe s’kemi mundur të bëjmë gjëra. Ose shpesh ne i rrëfejmë vetvetes që kemi qenë të pafat që s’kemi diçka, që ndoshta s’ishim të aftë ta bënim. Rastësia është një ilaç shumë i bukur për jetën. Por pasioni është ai që duhet të na mbajë gjallë. Shumë veta jetojnë si ato lodrat me kurdisje. Jetojnë sikur të kishin një të kurdisur dhe pastaj mjaft. Nuk u intereson për të ecur shpejt, apo ngadalë. është drum-drum-i jetës. Pasioni është ajo gjëja që të bën të ecësh më shpejt, që në zanatin tonë të bën që të qëndrosh në punë më shumë orë sesa duhet të qëndrosh. Pra që të bën të sakrifikosh dashuritë private. Për këtë arsye pastaj gazetarët divorcojnë tri herë në jetë. Katranosin gjërat private. Në krahasim me të tjerët janë të gjithë murgesha e priftërinj.

Sokol Balla: Meqë ra fjala, në jetën tuaj private: i martuar, me fëmijë?

Enrico Mentana: Që jam i martuar duket nga unaza, që s’është kot në gisht, është unazë martese. Kam katër fëmijë.

Sokol Balla: Katër fëmijë?

Enrico Mentana: Kam një djalë 23-vjeçar, një vajzë 17 vjeç, një djalë thuajse 4 vjeç dhe një vajzë që është dy vjeç e gjysmë. E pranoj që mamatë i kanë të ndryshme.

Sokol Balla: Enrico Mentana, gazetar i madh për pasion, për rastësi, apo për vullnet?

Enrico Mentana: Për të tria.

Sokol Balla: Të tria bashkë?

Enrico Mentana: Po, sepse jam bir i një gazetari, sepse besoj të kem atë talentin pak si të veçantë që kemi ne për gazetarinë, domethënë nuhatjen, pasionin, dëshirën, zbavitjen, aftësinë, po flas jo modestisht, për t’u interesuar për gjithçka: nga futbolli tek ekonomia, nga gossip te politika, nga faktet ndërkombëtare te kronika. Një gazetar, nëse ka pasion, ka pasion mbi gjithçka, për të bërë një libër ose një titull. Kjo. Pastaj rastësia. Nëse nuk do të kisha hyrë në TG1 kur isha 25 vjeç, kur po ndërrohej brezi, nëse nuk do të isha përzënë nga TG2 kur isha 35 vjeç, pikërisht kur po ngrinin TG5, nëse Berlusconi nuk do të më kishte telefonuar. Nëse Berlusconi nuk do t’i kishte hyrë politikës, kushedi ç’do të kishte ndodhur me TG5, përkundrazi u forcua. Sepse duhet të ishte një edicion lajmesh i pavarur, me një pronar që do ishte bërë një subjekt politik dhe çfarë politikani! Shumë shpesh rastësia vepron në jetët tona. Shumë shpesh ne duhet të jemi portierë të mirë për të kapur goditjet e rastësisë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›