E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parfumet, kafshët të çmendura pas tyre

“Obsession for men” preferohet shumë nga kafshët grabitqare. Ja rezultatet e një eksperimenti të natyralistëve njujorkezë

Herës tjetër që një mashkull do të hedhë parfum me qëllimin për të bërë për vete një femër, duhet lajmëruar se rrezikon të tërheqë vëmendjen e një tipi si Sasha, që peshon 200 kilogramë, ka një qime të gjatë dhe një gojë që të ngjall frikën. “Obsession” i Calvin Klain, parfumi për meshkuj që premton ta shndërrojë atë që e përdor në fiksimin e seksit të kundërt, bën për vete një tigër të mrekullueshëm siberian në “Bronx Zoo”, kopshti i famshëm zoologjik njujorkez. Por “Obsession” nuk i pëlqen vetëm Sashës: ajo është aroma e preferuar e gepardëve, xhaguarëve, pumave, tapirit, derrit të egër dhe shumë racave të tjera. Që nuhatja e kafshëve ishte më e mirë se ajo e qenieve njerëzore, kjo ishte vënë re, por tani natyralistët dhe zoologët kanë nisur të përdorin parfume dhe ujë kolonje për të mbajtur gjallë kuriozitetin e kafshëve. Kështu, pas një dreke të mirë nuk ka asgjë që i eksiton më shumë se sa parfumet. Iniciativa ka një përdorim të dyfishtë. Për kafshët e mbyllura në kopshtin zoologjik, kontribuon për t’i mbajtur sa më aktivë brenda një hapësire të mbyllur, ku kafshë të tilla si tigri apo luani nuk mund të takojnë llojet e tyre. Parfumi i bën për vete kafshët. Kështu, Sasha në kopshtin zoologjik të Bronksit argëtohet duke fërkuar qimet dhe duke u ngjitur pas një peme ku është hedhur parfum. Për sa u përket kafshëve në habitatin e tyre natyral, parfumi shërben edhe për t’i tërhequr drejt një kurthi të vogël, ai është një mënyrë për t’i afruar ndaj videokamerave të fshehura me të cilat mund të studiohen sjelljet e tyre. Në të dyja rastet, strategjia jep rezultate të mira. Zbulimi i pasionit të kafshëve për parfumet, i bërë nga Pat Thomas, kurator i “Wildlife Conservation Society” i kopshtit zoologjik të Bronksit, është shpërndarë si një virus në komunitetin shkencor ndërkombëtar, duke u bërë moda e fundit në ndërveprimin mes njeriut dhe faunës. Duke përdorur dy gepardë si kavie, Thomas provoi shumë aroma para se të arrinte te parfumi i preferuar i kafshëve. Ai sprucoi firma të ndryshme parfumesh në një zonë ku jetonin gepardët dhe pastaj mati se sa kohë ata qëndronin duke nuhatur. Nga ky eksperiment doli një klasifikim që nuk do t’u shërbente zyrave të marketingut të kompanive të mëdha, vetëm në rast se do të donin të paraqisnin suksesin e tyre edhe në botën e kafshëve. Ja cilat ishin të dhënat: 2 sekonda për “Beautiful” të Estee Lauder, 15 sekonda për “Charlie” të Revlon, 10 minuta për “L’Air du temps” të Nina Ricci-t dhe 11 minuta e 10 sekonda, maksimumi për “Obsession for men” të Calvin Klein. As për të ngrënë gepardëve nuk u duhej kaq shumë kohë. Rezultate akoma më të jashtëzakonshme ka arritur Roan Balas Mcnab, drejtor i “Wildlife Conservation Society” në pyjet tropikale të Guatemalës. “Në 14 vitet e kaluara, duke eksploruar rezervën nën kontrollin e tij, kam parë vetëm një xhaguar”, tregon ai për gazetën “Wall Street”, e cila i ka kushtuar një artikull shumë të kompletuar këtij fenomeni. Por që kur zona e mbikëqyrur nga telekamerat në xhungël u spërkat me “Obsession”, numri i tyre u trefishua. Kjo gjë i ndihmoi ata të mësonin më shumë rreth mënyrave të sjelljes së kësaj kafshe, përfshi këtu një filmim të paprecedentë mbi ritualet e joshjes. Natyralistët nuk e mohojnë se ia kanë frikën faktit se parfumet mund të bëhen një kurth në duart e gjuetarëve, që mund ta përdorin si sistem për të tërhequr gjahun e tyre. Kështu, ruajtësit e Sashas, tigrit të kopshtit të Bronksit, tregojnë se as ushqimi i tij i preferuar nuk e eksiton aq shumë sa era e “Obsession”.

Qentë dhe macet

Kafshët zotërojnë nuhatje shumë të zhvilluara në krahasim me njerëzit dha ajo çka arrijnë të bëjnë mund t‘i duket magjike një profani, por për kafshët është normale.
Për shembull, macja ka një nuhatje pothuajse të barabartë me atë të qenit. Mjafton të thuash se hunda e njerëzve është e përbërë prej 5 milionë qelizash nuhatëse, ndërsa ajo e maces ka 200 milionë. Sistemi i nuhatjes, i cili është zëvendësuar nga organi vomeronazale, vendoset sipër qiellzës, duke bërë në këtë mënyrë kapjen e sinjaleve kimike, feromoneve, që i kanë lëshuar macet e tjera në pak kilometra distancë, nëse janë feromone seksuale. Janë substanca që nuk zhduken me lehtësi: nëse një mace trembet në shtëpi, i lë feromonet. Që nga ai moment, duke kaluar po në të njëjtin vend në shtëpi, macja i ndjen feromonet dhe trembet çdo herë.

Aroma në shtëpi

Kjo analizë kimike e botës na tregon si për qentë, ashtu edhe për macet, se si i përdorin aromat për t‘u orientuar dhe gjetur rrugën për në shtëpi. "Një kafshë e përvetësuar sillet kot përreth, deri sa ndjen një shenjë nuhatjeje. Duke qenë se i ruan aromat në kujtesën e saj, kjo i nevojitet si hartë nuhatjeje, si një tregues gjeografik për të nisur udhëtimin e saj të gjatë. Në kilometrat e fundit, kur arrin në territorin e dëshiruar, e njeh menjëherë sapo e sheh zonën dhe mundohet të kthehet në shtëpinë e saj", shpjegon një tjetër ekolog. "Acidi formik i shkarkon feromonet e tij në ajër. Këto substanca sillen nga era në një distancë qindra metra, por edhe më shumë. Kur një mashkull i nuhat, fillon të sillet rreth e rrotull zonës, derisa i nuhat sërish këto sinjale kimike dhe në këtë mënyrë mund t‘i afrohet femrës. Edhe maçokët apo qentë meshkuj fillojnë të sillen rreth zonës ku nuhasin në ajër molekulat e çliruara nga femrat. Substancat kimike mund të sinjalizojnë jo vetëm gatishmërinë seksuale, por edhe praninë e rreziqeve apo ushqimeve", thotë një studiues nga Universiteti i Harvardit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›