Entuziastë për përfundimin e shpejtë të autostradës – vepra më e rëndësishme e mandatit të dytë qeverisës
Kryeministri Berisha inspekton ecurinë e punimeve të autostradës Tiranë-Elbasan dhe tunelit të Krrabës: Hapet në Qershor
Kryeministri Sali Berisha inspektoi dje ecurinë e punimeve të autostradës Tiranë-Elbasan dhe tunelit të Krrabës. Ai u njoh nga ndërtuesit e kësaj vepre, kompania e njohur AKTOR, mbi ecurinë e volumin e punimeve në autostradë dhe angazhimin e kompanisë për përfundimin në afat të saj. Pas inspektimit, Berisha u shpreh entuziast për përfundimin e shpejtë të autostradës dhe përgëzoi drejtuesit, stafin teknik dhe punonjësit e kompanisë për punën e bërë. Kryeministri tha se kjo është vepra më e rëndësishme e ndërtuar në Shqipëri, në këtë katër vjeçar, ndërsa theksoi se ndërtimi i saj është dëshmi e shëndetit të ekonomisë shqiptare. “Përshëndetjet më të përzemërta të gjithë juve, banorëve të Bradasheshit, të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë. Një falenderim të përzemërt dua t’i bëj presidentit të kompanisë AKTOR dhe ekipit të tij, inxhinierë, teknikë e punonjës, i cili ka përqendruar aktualisht në këtë vepër, 1100 makineri të të gjitha llojeve, ndër më të fuqishmet dhe po punon me 1500 punëtorë, 24 në 24 orë, duke ditur kënaqësinë e madhe, duke ditur se me sa padurim po e presin qytetarët e Elbasanit dhe jo vetëm ata, por edhe të Gramshit, Dumresë, Librazhdit, Pogradecit, Korçës e Kolonjës përfundimin e këtij tuneli dhe të kësaj rruge. Ky është segmenti më madhështor i Korridorit të Tetë, është segmenti më i rëndësishëm i Korridorit të Jugut, është vepra më e rëndësishme e ndërtuar në Shqipëri, në këtë katër vjeçar. Përfundimi së shpejti i kësaj vepre, përfundimi në një kohë rekord, është dëshmi tjetër e shëndetit të padiskutueshëm të ekonomisë shqiptare, është dëshmi tjetër e shëndetit të financave të Shqipërisë, është dëshmi tjetër e vendosmërisë së kësaj qeverie, për të bërë gjithçka që qytetarët shqiptarë të kapin të ardhmen që meritojnë. Ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan dhe tunelit të Kërrabës përbën një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm për tregun shqiptar. Kjo autostradë bashkon dy qytetet më të mëdha të vendit. Ndaj edhe një herë përgëzoj përzemërsisht ndërtuesit për punën e shkëlqyer dhe garantoj se së shpejti do të nisin punimet në rrugën e Arbrit dhe do vazhdohet me vendosmëri të madhe” – u shpreh kryeministri. Autostrada Tiranë-Elbasan, me katër korsi, ka një gjatësi prej 31.7 kilometra, me një tunel 2.4 kilometra të gjatë, 21 viadukte, 7 mbikalime, 4 nënkalime. Autostrada pritet të shkurtojë së paku 50 minuta distancën e Tiranës me Elbasanin.
Autostrada Tiranë-Elbasan
Autostrada Tiranë-Elbasan, me katër korsi, ka një gjatësi prej 31.7 kilometra, me një tunel 2.4 kilometra të gjatë, 21 viadukte, 7 mbikalime, 4 nënkalime. Autostrada pritet të shkurtojë së paku 50 minuta distancën e Tiranës me Elbasanin. Kompania ka përqendruar aktualisht në këtë vepër, 1100 makineri të të gjitha llojeve dhe po punon me 1500 punëtorë, 24 në 24 orë. Përveç Tiranës dhe Elbasanit, autostrada ndihmon edhe banorët e Gramshit, Dumresë, Librazhdit, Pogradecit, Korçës e Kolonjës.