E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jemi të gatshëm të votojmë 3 ligjet e BE, shqiptarët përpjekje maksimale për vokacionin e tyre europian”

10-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takim në formatin “Townhall”, me studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan


Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje, gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan, se Shqipëria dhe shqiptarët kanë merituar marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Duke iu referuar 9 majit, Ditës së Europës, kryeministri Berisha theksoi se shqiptarët kanë luftuar shumë për vokacionin perëndimor. “Kjo ditë është një ditë e madhe për mbarë Europën. Kjo është dita ku vendet anëtare të BE-së kremtojnë bashkarisht për të nderuar gjenitë që vendosën krijimin e Tregut të Përbashkët, pastaj Komunitetin Europian dhe sot Bashkimin Europian. Shqiptarët kanë sakrifikuar shumë për të ruajtur vokacionin e tyre perëndimor dhe sakrifica e tyre ka qënë frymëzuese për rilindasit tanë. Ata ideuan modelin europian të kombit, duke u bazuar në vokacionin e shqiptarëve”, tha Berisha. “Këtë periudhë janë bërë përpjekje të mëdha, megjithëse ritmet nuk janë ato që duhet të ishin. Procesi i anëtarësimit në BE është një proces ndryshimesh dhe reformash”, theksoi kryeministri, Duke kujtuar se “para vitit 2005 Shqipëria kishte drita në qytet diku 8 orë, diku 12 orë, diku 6 orë, ndërsa në fshatra 3-4 orë”. “Shqipëria s’kishte ujësjellësa dhe rrugët e saj ishin ndër më të rrënuarat se të çdo vendi tjetër. Por ku ishte sistemi arsimor? Në vitin 2000, thoshte deklarata e KE për sistemin arsimor, përqindja e të diplomuarve në Universitet para 2005 ishte dhjetë here më e ulët se në SHBA, 7 herë më e ulët se mesatarja e BE”- tha ai. Kreu i Qeverisë theksoi se “Europa është kriter, tregues, standarde, praktika, por secila prej tyre sjell të mira për qytetarët shqiptarë”. “Këto standarde kërkojnë që Shqipëria të ketë një infrastrukturë moderne, që ligjet e vendit të funksionojnë. Mes Europës që kemi qenë ne dhe Europës që ndërtuan këto vende në paqe dhe bashkëpunim, dallimi, përveç vazhdimësisë gjeografike, ishte si dita me natën, por progresi ynë këto vite ka qenë i lartë. Ky progres është i kontrollueshëm në çdo etapë nga KE. Çdo ndryshim, çdo ligj, çdo standard, çdo praktikë në këtë proces je i detyruar ta përshtasësh në praktika. Në këtë proces arritëm të heqim vizat, pasi plotësuam të gjitha kërkesat e tyre. 120 kërkesa ka udhërrëfyesi i vizave për ne. I morëm një nga një me seriozitetin më absolut. Erdhën i kontrolluan”- theksoi ai. Statusi, vijoi kryeministri Berisha, “kalon edhe ai në reforma, reforma të mëdha, ndryshime të mëdha”. “Tetorin e shkuar, pasi vlerësuan ndryshimet, ligjet, praktikat, KE doli në konkluzionin se Shqipërai ka plotësuar detyrimet e saj dhe do t’i rekomandojë Këshillit të Ministrave të BE të japë aprovimin, por me kusht votimin e tre ligjeve. Pse ky kusht? Sepse në vlerësimin e zyrtarëve të lartë ishte arritur ujdia e plotë për 3 ligjet. Në këtë rast askujt, as në Shqipëri, as në Bruksel, askund s’mund t’i shkonte mendja se këto ligje, që prisnin disa muaj në Kuvend dhe për të cilët ishte arritur konsensusi, nuk do të votoheshin nga opozita”- vijoi ai. Kryeministri gjithashtu përmendi disa nga përfitimet që do të kishte Shqipëria nga marrja e statusit të vendit kandidat në BE. “Shtim i ndjeshëm i investimeve, grante të KE për Shqipërinë. Statusi do të ishte pasaporta më e mirë për investitorët e tyre për të ardhur në Shqipëri. Në këtë periudhë krize ne morëm 4 miliardë dollarë investime, pasi anëtarësimi në NATO dhe reformat e qeverisë ishin ndihmesa kryesore për këtë, pasaporta më e mirë për vendin. Imagjinoni nëse do të ishte marrë edhe statusi i vendit kandidat. Ju studentët do të kishit mundësi të aplikonit në Universitetet Europiane me tarifat më të arsyeshme. Por ky moment bllokimi nuk duhet të na dobësojë në objektivat që i kemi vënë vetes. Jemi të gatshëm të votojmë që nesër. Jemi gati të thërrasim referendumin in-extremis”, tha kryeministri Berisha


Universiteti “Aleksandër Xhuvani” me bibliotekë dixhitale- lidhje on-line me bibliotekën e Universitetit të Oksfordit


Kryeministri Berisha ishte dje mes studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan, në mjediset tërësisht moderne dhe bashkëkohore të kësaj godine, për të inauguruar së bashku me ta, Bibliotekën e Universitetit, e cila sjell për studentët dhe stafin pedagogjik një gamë të gjerë informacioni e servirur me nivelin më të lartë të teknologjisë dixhitale. Biblioteka është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 80 milion lekë, i cili i shtohet investimeve të tjera të rëndësishme të bëra gjatë 8 viteve në këtë universitet, duke shënuar të gjitha së bashku vlerën e 9 milion dollarëve. Kryeministri i shoqëruar edhe nga ministri i Arsimit, zoti Myqerem Tafaj, si dhe drejtues të universitetit, e pedagogë të tij, pa nga afër mjediset e bibliotekës dhe u njoh me procedurat e studimit në të. Kryeministri vlerësoi si të jashtëzakonshme mundësinë që ju jepet studentëve dhe stafit pedagogjik për tu lidhur on-line, në 24 orë me bibliotekën e Universitetit të Oksfordit dhe për të shfrytëzuar prej saj rreth 250 tituj shkencorë, publikime të viteve 1996-2013, që ajo ofron në fusha si ekonomi, juridik, mjekësi e shkenca të tjera. I asistuar nga pedagogu i fushës, kryeministri testoi këtë metodë kërkimi dhe u shpreh se shfrytëzimi i këtij universi informativ ndër më të pasurit dhe të gjithanshëm, është një avantazh i madh për studentët e këtij Universiteti, duke i dhënë atyre të njëjtin akses që ka çdo student universitet të Oksfordit ose çdo student, i universiteteve më të mira në botë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›