Shqipëria feston jashtë BE-së, për shkak se Edi Rama vazhdon bllokimin e 3 ligjeve
Kryeministri Berisha uron anëtarët e BE-së në “Ditën e Evropës”
Kryeministri Sali Berisha uroi dje në Ditën e Europës, shtetet anëtare të Bashkimit Europian. “Një ditë në të cilën festohet paqja, prosperiteti, liria dhe integrimi”, e cilëson Berisha, 9-majin, në një postim në faqen e tij në rrjetin social Facebook. 9 Maji për shqiptarët, siç shprehet Kryeministri, është ditë mirënjohjeje e pakufishme ndaj qytetarëve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së. “Kjo ditë e madhe është frymëzuese për shqiptarët, në realizimin e projektit të tyre të integrimit të vendit në BE. Ne shpresojmë të marrim statusin e vendit kandidat, që Edi Rama vazhdon të na e mohojë duke i bllokuar tre ligjet” shkruan në vazhdim Berisha. “Për shkak se Edi Rama vazhdon bllokimin e 3 ligjeve, këtë vit, ne do ta festojmë paqen dhe prosperitetin në BE, nga jashtë. Por, megjithatë, ne nuk do të reshtim kurrë së punuari drejt integrimit të plotë të vendit në BE”, shkruan kryeministri me rastin e Ditës së Europës.
Presidenti Nishani uron Presidentin e Këshillit Evropian Van Rompuy me rastin e Ditës së Europës
Me rastin e 9 Majit, Ditës së Europës, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani i dërgoi një mesazh urimi Presidentit të Këshillit Evropian, Herman van Rompuy. Në mesazhin e tij, Presidenti Nishani shkruan se, “kjo ditë përbën për gjithë Evropën një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për atë çfarë Bashkimi Evropian ka bërë dhe po bën për paqen dhe stabilitetin. “I nderuar Zoti President, kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e Ditës së Evropës, 9 Majit, ditës që kremton paqen dhe unitetin në Evropë, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të mira dhe më të përzemërta, Juve dhe gjithë qytetarëve evropianë! Kjo ditë përbën për gjithë Evropën një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për atë çfarë Bashkimi Evropian ka bërë dhe po bën për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e kontinentit tonë, si edhe në ndjekjen e një politike koherente të dyerve të hapura, për të mirëpritur vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane”- shkruan Nishani. Kreu i shtetit shprehu angazhimin e Shqipërisë, për vijueshmërinë dhe intensifikimin e reformave të duhura, për përafrimin e standardeve me ato të Bashkimit Evropian, me synim që Shqipëria të marrë në mënyrë të merituar vendin që i takon në familjen evropiane. “Duke ju uruar edhe një herë këtë festë të gëzueshme, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”- përfundon urimin e tij, presidenti i Republikës, Bujar Nishani.