Në katër vitet e ardhshme, paga e mësuesve do të jetë 700 dollarë
Berisha inauguron në Elbasan shkollën 9-vjeçare “Adem Krasniqi”, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 17 milionë lekë. Kryeministri: “Rama, zemërligësi ekstreme ndaj mësuesve, i quan injorantë dhe të paditur”
Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje shkollën 9-vjeçare “Adem Krasniqi” në Elbasan. Me një investim me vlerë rreth 17 milionë lekë, shkolla ka tashmë një laborator, kabinet informatike, sistem ngrohjeje dhe pajisje të reja. Kreu i qeverisë tha se, kjo shkollë i shtohet mbi 1300 shkollave të ndërtuara e rindërtuara të vendit gjatë këtyre viteve. Vetëm në qarkun e Elbasanit u ndërtuan dhe u rindërtuan 180 shkolla dhe kopshte. Në vlerësimin e shefit të ekzekutivit, arsimi, ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të reformave dhe ndryshimit në Shqipërisë, ndërsa theksoi se pas modernizimit të infrastrukturës shkollore e të mësimdhënies, orientim kryesor mbetet fuqizimi i arsimit profesional, rritja e cilësisë, kualifikimi i vazhdueshëm i mësuesve. “Ne kemi deklaruar e deklarojmë se arsimi për familjet shqiptare, për qeverinë shqiptare është e mbetet çështja më serioze. Përpjekjet e mëdha dhe investimet që janë bërë janë inkurajuese me rezultatet e marra, por ju garantoj se do të bëjmë çdo përpjekje, do ndërmarrim çdo lloj ndryshimi, do të bëjmë gjithçka për t’u ngjitur lart e më lart në shkallët e dijes, në këtë shkollë e në çdo shkollë në mbarë vendin. Para se të vija këtu po lexoja disa raporte ndërkombëtare, të cilat tregonin se në vitin 2000, Shqipëria qëndronte 50 përqind më ulët në cilësinë e arsimit, se republika fqinje e Maqedonisë. Po këto raporte konfirmonin se Shqipëria, me tre milionë banorë, diplomonte gjithsej gjashtë mijë vajza e djem. Ritme këto të një kohe të ndaluar. Po këto raporte konfirmonin se përqindja e nxënësve që kalonin nga klasat e teta e më pas të nënta në shkollat e mesme ishte rreth 68 përqind. Këta ishin treguesit që dëshmonin se mësueset e mësuesit ishin ndër më pak të paguarit në administratën e shtetit dhe se ata, për të përballuar jetën e tyre, bënin çdo përpjekje për të gjetur një punë tjetër, se me misionin e tyre fisnik të arsimtarit nuk përballonin dot jetën e tyre. Kjo ishte gjendja e arsimit. Nga viti 2006 e deri më sot, ne bëmë gjithçka për ta ndryshuar këtë situatë. Ne deklaruam se reformën dhe ndryshimin tonë do ta bëjmë me mësuesin, duke e vendosur atë në piedestalin që meriton” - u shpreh kryeministri. Shefi i ekzekutivit garantoi se do të vazhdojë rritja e pagave të mësuesve dhe se gjatë mandatit të ardhshëm, paga e tyre do te jetë 700 dollarë. “Ne rritëm rrogat e tyre, më shumë se gjithë të tjerëve. Ne i rritëm ato nga 120 deri në 140 përqind, sipas kategorisë. Ju garantoj se kjo rritje do të vazhdojë, se gjatë mandatit të ardhshëm mësuesit e këtij vendi do të marrin një rrogë prej 700 dollarë” - theksoi ai. Kryeministri Berisha i cilësoi absurde e të papranueshme deklaratat e opozitës se mësuesit janë më të padijshëm se 100 vite më parë. “Në këtë fushatë elektorale ka shpërthyer një sulm i padenjë ndaj misionarëve tanë të dijes, mësueseve dhe mësuesve tanë. Këto kohë është botuar një raport i autoritetit më kryesor në botë për vlerësimin e sistemit shkollor parauniversitar. Ju mësueset e mësuesit e Shqipërisë duhet ta dini se për dashurinë dhe përkushtimin tuaj ndaj nxënësve, në këtë raport, ne renditemi të parët në botë. Ky raport është kusht kryesor për mbarëvajtjen, funksionim e performancën e shkollave tona. Në këtë raport, përsëri në meritën tuaj, përkushtimin dhe vendosmërinë tuaj për të ndryshuar shkollat e sistemit arsimor, Shqipëria renditet e treta në botën e zhvilluar, për shpejtësinë e ndryshimit. Ky raport fton Shqipërinë, mësueset e mësuesit shqiptarë të bëjnë përpjekje shumë më të mëdha, që dijet që ju japin nxënësve të jenë më praktike, më funksionale, më të aplikueshme. U ndala në këtë raport, sepse me një zemërligësi ekstreme u përdorën dhe u interpretuan kokëposhtë të dhënat e tij. Është e papranueshme, është absurde të shpallësh sot mësuesit injorantë dhe të padije, apo të deklarosh se mësuesit e 100 viteve më parë ishin më të dijshëm se të sotmit. Ata që ishin 100 vite më parë janë pishtarët e dijes së këtij kombi dhe dritë e vlerë do të kenë gjithmonë, por Kristoforidhi, sikur të vizitonte sot këtë shkollë, do ta kishte shumë të vështirë të orientohej dhe do të gëzohej shumë, do mahnitej me suksesin e madh, me dijen e mësueseve e mësuesve të këtij vendi. Nuk mund të shpallësh mësuesit të padijshëm apo që dinë më pak se ata 100 vjet më parë, nuk mund të shprehesh për nxënësit se hynë në klasa si dele. Klasat nuk janë vathe, por janë qendra të fuqishme edukimi e qytetarie. Ndaj ju ftoj të ecim përpara, të bëjmë gjithçka që drita e dijes të ndriçojë gjithnjë e më shumë çdo mendje, çdo zemër të qytetarëve shqiptarë, të këtyre fëmijëve që janë arkitektë të shkëlqyer të së ardhmes sonë”- deklaroi kryeministri.
...