E Diel, 1 Nëntor 2026

Entuziazëm në pritjen që shqiptarët e Ulqinit dhe të Tuzit i bënë kryeministrit Sali Berisha

27-01-2012 / Gazeta 55

Me shprehjen “kryeministri i shqiptarisë” e kanë pritur pasditen e së mërkurës kryeministrin Berisha, shqiptarët e dy komunave më të mëdha në Malin e Zi. Krijimi i një infrastrukture të përbashkët turistike dhe forcimi i identitetit kombëtar mbeten në qendër të bisedimeve mes kryeministrit dhe përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në shtetin malazez

Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje që në kuadër të transparencës me publikun, çdo ministri apo agjenci qeveritare të publikojë on-line në faqen e saj të internetit të gjitha shpenzimet, por edhe aktet e kontrollit që i bëhen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Kryeministri mori si shembull sistemin e Thesarit në Ministrinë e Financave, që paraqiti on-line të gjitha shpenzimet e kryera.
“Një çështje tjetër që desha të sjell në vëmendjen tuaj dhe kjo është një çështje themelore, çështja e transparencës. Tre javë më parë, Ministria e financave ia doli që në sistemin e thesarit të paraqesë on-linë të gjitha shpenzimet e një dite më parë dhe kjo është një arritje e madhe. Kjo bën që qeveria shqiptare të jetë  një nga qeveritë më të pakta që bën një transparencë të tillë të plotë të shpenzimeve. Në këtë kuadër ajo që kërkoj unë me vendosmëri është që këto shpenzime qytetarët shqiptarë të mos i lexojnë vetëm në faqen zyrtare të thesarit të Ministrisë së Financave, por t’i lexojë në faqen zyrtare të secilës ministri dhe të secilës agjenci që varet nga ministritë, sepse aty i gjejnë edhe më lehtë qytetarët ato që duan të gjejnë. Prandaj, ministri Pollo, nëpërmjet AKSH të bëhet gjithçka, në mënyrë që kjo, në kohën më të shkurtër të bëhet realitet”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë kërkoi gjithashtu që çdo akt kontrolli i qeverisë dhe administratës nga ana e KLSH-së, duhet të botohet në faqen zyrtare të institucionit që e realizon. “Departamenti i Kontrollit të Këshillit të Ministrave ka marrë porosi që të gjitha aktet e kontrollit ti botojë në faqen zyrtare të tij, si një dëshmi e vullnet të transparencës së plotë. Natyrisht përfundimtar ky akt kontrolli bëhet pasi është dërguar të interesuarit dhe janë marrë vërejtjet e tij. Kjo nga njëra anë bën transparent të gjitha kontrollet, por nga ana tjetër nxjerr në dritën e diellit veprimtarinë  e këtyre kontrollorëve që janë të shumtë. Sa kontrolle bëjnë këta, sa audite bëjnë këta, si ia dalin këto zonja dhe këta zotërinj, për zot punës së tyre shumë të rëndësishme, etj. Prandaj Zoti Sekretar i Përgjithshëm duhet të përgatitet sa më shpejt urdhri apo vendimi, i cili detyron botimin e çdo akti kontrolli në faqen zyrtare”, tha Berisha. Gjithashtu, kryeministri kërkoi edhe nga Ministri i drejtësisë që legjislacioni të reflektojë realitetin e krijuar nga mosha dixhitale dhe ligjet të publikohen on-line, paralel me botimin në fletoren zyrtare.

“Bashkëpunim me vendet fqinje për një infrastrukture moderne rajonale”
“Bashkëpunimi rajonal nuk mund të jetë vetëm në politikë, por mishërohet më mirë kur ndiqet nga një infrastrukturë moderne dhe shkëmbime intensive”.
Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha, pas kthimit nga vizita e tij njëditore në Mal të Zi. Duke vlerësuar nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve, Berisha tha se edhe në takimet me zyrtarët e lartë malazez u ra dakord për krijimin e hapësirave të reja, në veçanti në fushën e turizmit, të shkëmbimeve dhe të lëvizjes së lirë. Në këtë drejtim, Kryeministri informoi se qeveria e Malit të Zi ka angazhuar fonde dhe po realizon punime të avancuara në rrugën Podgoricë- Hani i Hotit, ndaj në një hark kohor disa mujor distanca Shkodër-Podgoricë do të shkurtohet ndjeshëm, për shkak të rindërtimit tërësor të aksit rrugor. Ky aks rrugor, tha Berisha, ishte ndërtuar 80- 90 vjet më parë nga qeveria e Austro-Hungarisë dhe në të nuk ishte investuar deri në ditët e sotme.
Gjithashtu, Berisha tha se, qeveria e Malit të Zi ka filluar ndërtimin në 6 km e para të rrugës Murriqan-Ulqin dëshmi kjo e rëndësisë që ky vend i kushton lidhjeve me Shqipërinë dhe reciprocitetit në këto lidhje.
Kryeministri kujtoi se “vetëm pak muaj më parë u përurua linja e tensionit të lartë, Tiranë-Podgoricë, linjë e cila i dha frymëmarrje të re liberalizimit të mëtejshëm të tregut energjetik rajonal”.
Sipas tij, me autoritetet malazeze është rënë dakord edhe që të fillohet menjëherë shqyrtimi i projektit të thellimit të lumit Buna dhe kthimi i tij në një lum të lundrueshëm. Kryeministri theksoi se, ka një angazhim shumë serioz bilateral për të ndërtuar një infrastrukturë moderne mes dy vendeve, veçanërisht për shfrytëzimin e potencialeve turistike.
“Ne do të bëjmë çdo investim në mënyrë që të krijohet infrastruktura e përshtatshme që do të lidhë Ulqinin dhe Tivarin me Shkodrën e Velipojën, në mënyrë që turistëve t’u sigurohet një tur ujor në njërin prej komplekseve ujore më mahnitëse dhe të bukura të Europës. Kjo do të jetë një promovim i shkëlqyer i brigjeve të liqenit të Shkodrës dhe të Velipojës, por edhe i trashëgimisë kulturore, pasi në një hark kohor të shkurtër, vizitorët do të njihen me dy kështjella madhështore, Rozafën e Shkodrës dhe Kështjellën e Ulqinit”, tha Berisha, ndërsa kërkoi që të fillohet menjëherë projekti për ndërtimin e një ure që kalon mbi lumin Buna dhe lidh me zonën tjetër të Ulqinit.
Në kuadër të infrastrukturës rajonale, Berisha kërkoi gjithashtu që të konkretizohet marrëveshja me Maqedoninë për hekurudhën Lin-Strugë.
Në përfundim, Berisha tha se, “Shqipëria do të mbështesë fuqishëm anëtarësimin në NATO të Malit të Zi, me bindjen se kjo është në interesin më të mirë të NATO-s. Ky vend i vogël e bën NATO-n më të sigurt në krahun e saj juglindor, ndërkohë që edhe Mali i Zi po plotëson me përkushtim kriteret për tu anëtarësuar në Aleancë”, deklaroi kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›