E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enver Dondollaku, pranohet gjykimi i shkurtuar

Procesit gjyqësor në ngarkim të Enver Dondollakut, i akuzuar si krahu i djathë i kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bares, po i afrohet fundit. Megjithëse i pandehuri ndodhet ende në Itali në pritje të ekstradimit, njërit prej proceseve në të cilin ai është duke u gjykuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda i është afruar fundi. Trupi gjykues ka pranuar në seancën e djeshme kërkesën e bërë nga i pandehuri nëpërmjet avokatit të tij për zhvillimin e gjykimit të shkurtuar. Sipas kësaj procedure, i pandehuri nuk është shprehur lidhur me akuzën, por ka kërkuar mbylljen e shqyrtimit gjyqësor vetëm me provat që tashmë janë administruar në dosjen e tij nga organi i akuzës. Trupi gjykues ka pranuar këtë kërkesë, duke mbyllur dje shqyrtimin gjyqësor. Në seancën e ardhshme, prokurori do të paraqesë konkluzionet përfundimtare të akuzës. Sipas ligjit, pas gjykimit të shkurtuar, Dondollaku do të përfitojë uljen e 1/3 së dënimit.

Dondollaku i cili ndodhet në burgjet italiane, është objekt i dy proceseve gjyqësore të nisura në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet, por duket se njëri prej tyre do të mbyllet shpejt. Në këtë proces ai akuzohet për veprat penale të "vrasjes", "vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës", etj. Në qendër të këtij procesi janë disa ngjarje për të cilat akuzohet i konsideruari si bashkëpunëtori më i ngushtë i Aldo Bares. Dondollaku është duke u gjykuar për vendosjen e minës në stadium, vrasjes së Kleti Banos, Bledar Haxhiut, Artan Sulçes, Nosh Gjeloshaj, Alfred Pirrës, tentativën e vrasjes së Bernard Linatopit, armëmbajtje pa leje, krijimin e organizatës kriminale dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të organizatës kriminale.

Numri dy i bandës së Lushnjës është arrestuar disa muaj më parë në Itali për llogari të drejtësisë shqiptare, por ekstradimi i tij ende nuk është bërë i mundur. Kjo gjë ka vështirësuar nisjen e procesit ndaj tij, edhe për shkak të vonesës së përgjigjes nga autoritetet italiane për letër-porositë e nisura nga Gjykata Shqiptare. Gjithsesi vendimi i tij për të kërkuar gjykimin e shkurtuar i ka përshpejtuar gjërat, duke e afruar fundin e gjyqit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›