Kërkohen 65 vjet burg për vrasjen e Shahin Arapit
Të akuzuar për vrasjen e Shahin Arapit në vitin 2003, katër persona rrezikojnë deri në 65 vjet burg së bashku, nëse gjykata do të miratojë kërkesën e prokurorisë. Albert Karafili (Skura), Emirjan Shabani, Gurali Rungo dhe Jetmir Taka janë duke u gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet për veprën penale të "Vrasjes me paramendim për hakmarrje, e kryer në bashkëpunim dhe fshehje të kufomës", të parashikuara nga nenet 78/2 dhe 303 të Kodit Penal. Dje prokurori i çështjes ka lexuar konkluzionet përfundimtare të akuzës, duke kërkuar shpalljen fajtorë të të akuzuarve dhe dënimin e tyre. Ai ka kërkuar dënimin me nga 22 vjet heqje lirie për Karafilin dhe Takën, dënimin me 20 vjet për Shabanin dhe me 3 vjet burg për Rungën.
Të katër të pandehurit akuzohen se më 1 tetor të vitit 2003, në Tiranë kanë qëlluar me leva, duke i shkaktuar vdekjen Shahin Arapit, babait të Bujar Arapit, i cili ndodhej në burg për vrasjen e Altin Takës. Për të humbur gjurmët, dhe për të mos lënë dyshime te policia, të katër të pandehurit ndërtuan një skenë sikur 60-vjeçari Shahin Arapi kishte mbetur i vdekur nga një aksident. Dhe në fakt, fillimisht, policia e regjistroi këtë ngjarje si aksident me pasojë vdekjen pa autor, ndërkohë që vetëm dy vjet më vonë arritën të dokumentojnë këtë ngjarje të rëndë si vrasje. Tashmë procesi në ngarkim të tyre është drejt fundit në Gjykatën e Tiranës dhe autorët e dyshuar mund të marrin deri në 65 vjet heqje lirie.