Jo pendesë për vrasjen e kushëririt
Nëse familja e autorit të dyshuar për vrasjen e së shtunës në Sinë të Dibrës përjeton ditë të vështira, madje i trembet ndonjë hakmarrjeje të mundshme, 63-vjeçari Haziz Pashnjari ka treguar dje për policinë dhe grupin hetimor rrethanat e ngjarjes. Për asnjë moment ai nuk ka mohuar krimin e kryer dhe nuk ka nxjerrë nga goja fjalën pendesë. Ne kemi qenë në konflikt për tokën prej shumë vitesh. Sefedini pati zaptuar një copë tokë që unë e trashëgoja nga njerëzit e mi të afërm. Disa herë i pata kërkuar ta lërë tokën e babait tim, por ai e mbante atë me forcë, duke shfrytëzuar moshën time. I pata dërguar dhe të afërm që ky konflikt të zgjidhej paqësisht. Kam kërkuar dhe ndihmën e pleqësisë së fshatit dhe komunës, por askush nuk ndërhyri për ti dhënë një zgjidhje këtij shqetësimi që kisha prej 20 vitesh, është shprehur Haziz Pashnjari për policinë. Pa iu dridhur qerpiku, Pashnjari ka treguar momentet kur ai qëlloi me armë zjarri mbi kushëririn, duke e lënë të vdekur në vend. Mëngjesin e së shtunës unë vajta te Sefedini që po punonte në arën time dhe i thashë se duhet ta ndërpriste punën, pasi ajo është toka ime. Ai jo vetëm nuk e la punën, por nisi të shajë e të kërcënojë. Unë iu luta të ulte zërin dhe të uleshim për tu sqaruar. Pikërisht në këtë moment më hodhi në fytyrë një kovë me pleh kimik. Nuk durova më dhe nxora nga brezi pistoletën. Qëllova dy herë mbi Sefedinin dhe kur e pashë që ra përtokë, vajta në shtëpi. Sapo erdhi policia, u dorëzova dhe tregova armën me të cilën vrava Sefedinin, kanë qenë sqarimet e Haziz Pashnjarit për grupin hetimor të ngjarjes. Mësohet se autori do të ndiqet penalisht për veprën penale të vrasjes me dashje dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake. Pashnjari qëlloi me plumba pistolete për vdekje kushëririn e tij 47-vjeçar paraditen e së shtunës, pas sherrit për motive pronësie. Dy plumba në kokë i morën jetën menjëherë Sefedin Pashnjarit, duke e bërë të panevojshëm dërgimin e tij në spital.
Cërrik, plagoset me thikë vlonjati
CERRIK – Një 29-vjeçar është plagosur me thikë paraditen e djeshme pas një sherri për motive të dobëta, ndërsa policia ka arrestuar autorin. Ngjarja ka ndodhur në Lagjen 3 në Cërrik, ku shtetasi Olsi Mukja, 29 vjeç, me banim në Vlorë, është goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit nga shtetasi Ismail Kanani, 28 vjeç, me banim në Cërrik. Policia deklaron se ngjarja në fjalë ka ndodhur për motive të dobëta pas një sherri mes dy shtetasve e, më pas autori ka goditur 29-vjeçarin, i cili kishte ardhur në Cërrik për të kaluar një fundjavë tek gjyshja e tij. Menjëherë ky i fundit është shtruar në Spitalin kirurgjik të Elbasanit, ndërsa mjekët pohojnë se gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, pak minuta pas ngjarjes, Policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit i cili akuzohet për veprën penale vrasje me dashje, e mbetur në tentativë. Nga ana tjetër, mbetet mister motivi i plagosjes së pronarit të një lokali në qendër të Elbasanit, A. Asllani, mesditën e së shtunës. Autori i ndaluar për këtë ngjarje, R.Topi, nuk ka pranuar të flasë për grupin hetimor rreth kësaj ngjarjeje. m.s
PESHKOPI/ HASAN PASHA