E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enver Hoxha në Kosovë

Libri bestseller i gazetarit Blendi Fevziu, ‘Enver Hoxha’, iu prezantua edhe lexuesit kosovar. Po ashtu, u shfaq edhe premiera e dokumentarit për diktatorin shqiptar. Fevziu tregoi për mënyrën se si e ka shkruar librin, foli për personazhin e librit e për shumëçka tjetër.

Ende pa u mbushur java që kur Edi Rama e promovoi librin e tij, në Prishtinë u promovua edhe një libër tjetër i një autori tjetër nga Shqipëria. Gazetari Blendi Fevziu e prezantoi librin e tij “Enver Hoxha” para lexuesit të Kosovës. Edhe ky libër, sikurse ai i kryetarit të Partisë Socialiste, mund të konsiderohet si një bestseller shqiptar, pasi që deri më tani është shitur në dhjetëra mijëra kopje.

Edhe pse nuk ka shumë kohë që është botuar, libri që arriti në Prishtinë ishte botimi i katërt.

Kush ishte Enver Hoxha? Kjo ishte çështja kryesore me të cilën u mor Fevziu në ligjëratën e tij që e mbajti në kafe-librarinë Dit’ e Nat’, të enjten në mesditë, për të vazhduar pastaj me një debat me lexuesit në Universitetin AAB, e pas kësaj, në Kino ABC, e prezantoi filmin dokumentar kushtuar diktatorit shqiptar. Në fund, në hotelin sapo të hapur Swiss Diamond Hotel, në praninë e shumë figurave politike, kulturore dhe letrare, Fevziu e promovoi librin, me ç’rast nuk përtoi edhe t’i nënshkruajë ato.

Ndryshe prej Edi Ramës, i cili në Prishtinë librin e shiti me një çmim më të shtrenjtë sesa shitet në Tiranë, Fevziu e dha falas.

Ai tha se është befasuar nga mënyra se si është pritur libri.

“Një nga surprizat e mëdha ka qenë mënyra se si është pritur libri në Kosovë, Maqedoni por edhe në Shqipëri. Në momentin që e kam shkruar librin nuk e kam menduar kurrë që do të kishte një lloj interesimi të tillë, duke konsideruar se një pjesë e historive janë të njohura, megjithëse një pjesë prej tyre që shfaqen në libër publikohen për herë të parë”, tha Fevziu.

Ai tregoi se dokumentari, i cili u shfaq në Kino ABC, ka qenë fillesa e librit. Ideja, u shpreh ai, ka filluar me disa filmime të rralla, që ai i kishte gjetur në arkiv, të cilat e tregonin Enver Hoxhën në pamjen e tij familjare, jashtë spektrit politik, të cilat, sipas Fevziut, ishin shumë interesante.

“Duke tentuar për të ndërtuar një dokumentar mbi këto pamje, natyrisht që nuk mund të kthehej një dokumentar vetëm rozë me jetën private, me pishinat, me pritjet. Ne po kërkonim diçka tjetër dhe për një vjet rresht nuk po mund të shkruaja skenarin e filmit sepse nuk gjeja dot këndin e shikimit, me të cilin do t’i servirja këto materiale për publikun. Duke kërkuar në arkivin e shtetit, ramë pa dashje në disponim të atij që quhet arkivi privat i Enver Hoxhës, një histori shumë e çuditshme. Ai ishte një arkiv që mbahej në Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Ishin të gjitha letrat e firmosura nga Enver Hoxha, ose që i ishin drejtuar Enver Hoxhës. Për shumë vite aksesohej vetëm nga e shoqja Nexhmije Hoxha”, shtoi Fevziu.

Ai tregoi për një gazetar dhe historian italian, i cili, kur e kishte parë një dokument, i kishte thënë Fevziut se ka kërkuar por nuk ka arritur të gjejë ndonjë dokument në të cilin Stalini urdhëronte vrasjen e ndokujt.

“Duke kërkuar, ne i gjetëm 13 letra të tilla, tri prej tyre u takojnë njerëzve të afërt të Enver Hoxhës, ndërsa pjesa tjetër për kundërshtarët e tij. Një për Llazar Fundon, një për Anastas Plasarin, një për Zef Malën janë dokumente autentike në të cilat ai tenton të eliminojë, pas shpine, pra duke dhënë urdhra, për anëtarë të Komitetit Qendror apo Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Shqipërisë”. Ishte një histori që sa më shumë involvoheshe brenda aq më e tmerrshme dukej”, tregoi Fevziu.

Ai tha se ajo që filloi t’i bënte përshtypje ishte eliminimi i njerëzve që e kishin njohur nga afër në rininë e tij dhe njerëz të cilëve, në një mënyrë ose në një tjetër, nuk iu impononte respektin e liderit, sepse e shihnin në formatin e një shoku apo bashkëmoshatari.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve, Fevziu tha se mbrojtja e atdheut nga ana e Enver Hoxhës është një mit, që të kujton ‘Shkretëtirën e Tatarëve’ të Dino Buxatit.

Ndërsa, një tjetër çështje që u interesoi të pranishmëve ishte i ashtuquajturi Enver Hoxha i kosovarëve. Për shumë shqiptarë të Kosovës Enver Hoxha ka qenë, për disa ende vazhdon të jetë, një atdhetar që e ka dashur Kosovën dhe ka luftuar për çlirimin e saj. Për këta njerëz, disa prej të cilëve janë edhe politikanë, Fevziu tha se nuk pranojnë të ballafaqohen me faktet, prandaj edhe nuk ke si të debatosh me ta. Mirëpo, ai i porositi që të mos e shikojnë Enver Hoxhën ndryshe, por ta vlerësojnë ashtu siç e vlerësojnë ata që kanë jetuar nën regjimin e tij. Pra, ta shikojnë si një diktator të tmerrshëm dhe si vrasës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›