E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Arrihet marrëveshja për menaxhimin e kufirit

Shefja e delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për menaxhimin e kufijve.

“Jemi pajtuar në parim për menaxhimin e integruar të kufirit. Marrëveshja nënkupton që ajo të zbatohet në gjashtë pikat doganore mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Tahiri para pak çastesh në një prononcim për Radiotelevizionin e Kosovës.

Sipas saj, me këtë marrëveshje, Serbia ka filluar ta pranojë realitetin e krijuar në Kosovë.

“Kjo është një lëvizje e madhe e Beogradit. Ndërkohë, që kjo marrëveshje që do të nënshkruhet nga tri palët, është konform Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Marrëveshja për menaxhimin e kufirit, pritet aprovimi i Serbisë

Delegacioni i Kosovës dhe ai e Serbisë janë pajtuar që sërish të ulën në tavolinën e bisedimeve në Bruksel pas tensioneve të ngritura mbrëmë, rreth çështjes së menaxhimit të integruar të kufijve. Pala e Kosovës e ka pranuar këtë marrëveshje dhe krejt çka pritet nga takimi i sotëm është pranimi edhe nga ana e palës serbe.

Ky raund maratonik ka nisur të mërkurën me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkaq mbrëmë në mesnatë ka hyrë në qorrsokak, pa u arritur asnjë marrëveshje dhe me tensione të larta.

Sidoqoftë, prononcimet e sotme të shteteve anëtare, kanë rritur shpresat që pala serbe ta pranojë marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufijve, e cila pritet që të arrihet sot.

Kjo situatë vjen në kohën kur Serbia pret që ta marrë statusin e kandidatit për anëtar në Bashkimin Evropian, megjithatë, sjellja e palës serbe në tavolinën e bisedimeve është parë si një dëshmi se Serbia vazhdon të mbetet larg plotësimit të kushtit për statusin e kandidatit. Në këtë rast, Serbia e ka kohën e kufizuar që të vendos, ngase vetëm një javë nga dita e sotme do të mbahet samiti i Bashkimit Evropian, kur do të diskutohet kjo çështje.

Nga ana tjetër, edhe Kosova është raportuar se do ta marrë javën e ardhshme udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, mirëpo kryeministri Hashim Thaçi të premten nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë, por ka thënë se Kosova e ka merituar udhërrëfyesin qysh para dy vjetësh.

Sidoqoftë, ai ka konfirmuar se javën e ardhshme do të udhëtojë për në Bruksel, por këtë e ka quajtur vizitë normale të thellimit të bashkëpunimit, por në të njëjtën kohë edhe të zgjerimit të hapësirës dhe qartësisë edhe më të madhe të perspektivës evropiane të Republikës së Kosovës. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›