Të ardhurat buxhetore për 2012, ja si do sigurohen
Totali i të ardhurave parashikohet në nivelin e 355.8 miliardë lekëve, me një rritje prej 7.9 për qind kundrejt të ardhurave të pritshme për vitin 2011, ose në nivelin 25.6 për qind të PBB. Të ardhurat nga tatimet e doganat parashikohen të jenë 251.2 miliardë lekë, me një rritje prej 8.2 për qind krahasuar me të pritshmin për vitin 2011, ose rreth 18.1 për qind të PBB. Të ardhurat nga fondet speciale, ku përfshihen kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, parashikohen në 59.5 miliardë lekë, me një rritje prej 5.6 për qind krahasuar me të pritshmin për vitin 2011, ose rreth 4.3 për qind e PBB. Parashikimi për të ardhurat nga pushteti lokal për vitin 2012 është 14.6 miliardë lekë, me një rritje prej 16.2 për qind kundrejt të pritshmit për vitin 2011, ose rreth 1.1 për qind e PBB. Të ardhurat jo-tatimore parashikohen në masën 20.6 miliardë lekë ose rreth ose rreth 1.5% të PBB. Të ardhurat nga ndihmat parashikohen në masën 9.8 miliardë lekë, ose rreth 0.7 për qind e PBB-së.