E Diel, 1 Nëntor 2026

Enver Hoxhaj: Të papranueshme deklaratat për shkëmbime territoresh

PRISHTINE-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse”, se janë krejtësisht të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane idetë e Ivica Daçiç për shkëmbime territoresh në Ballkan dhe se idetë e tilla mund të sjellin vetëm dhunë që mund të ndikojnë në të gjithë rajonin.

Ai po ashtu ka deklaruar se në politikë nuk mund të ketë ndarje ndërmjet qëndrimeve private dhe atyre zyrtare. Ndër të tjera, Hoxhaj ka vlerësuar se ide të tilla mund të vënë në pikëpyetje edhe vet sigurinë e Serbisë, duke iu referuar kështu myslimanëve në Sanxhak, apo hungarezëve në Vojvodinë.

Gjatë kësaj interviste, Hoxhaj, po ashtu ka theksuar se Serbia tashmë e ka pranuar realitetin e Kosovës së pavarur. “Beogradi tashmë e ka kuptuar se Kosova përgjithmonë është pjesë e shteteve të pavarura në Ballkan dhe askush nuk mund të ndalë rrjedhën e historisë. Por, ne jemi të vetëdijshëm se elita e tanishme në Serbi ka një trashëgimi shumë të rëndë”, ka thënë Hoxhaj .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›