E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enveri dhe Berisha, krah për krah në Krujë

Pazari i Vjetër

Pazari i Vjetër i Krujës mbetet një grishje e pamohueshme për turistët. Veçanërisht ata të huajt. Pas viteve ’90 objekte të vjetra, veshje tradicionale dhe antikuarë të tjerë gjendeshin plot përgjatë dy krahëve të rrugës karakteristike. Më parë edhe me çmime të lira. Sërish, mjaft turistë ndalojnë me një vështrim kureshtari në pragjet e dyqaneve, ndonëse një pjesë e madhe e tyre tashmë janë mbushur me mallra të importuar nga jashtë. “Made in China” mund të haset pa shumë vështirësi. Një buzagaz pa diskutim ta marrin filxhanët e çajit, vendosur dukshëm mes objekteve të tjera. Mbi to janë të stampuara portretet e dy udhëheqësve të këtij vendi. Në njërin prej tyre dallon Enver Hoxhën dhe në tjetrin ngjitur, Sali Berisha. Në sfond qëndrojnë ngjyrat e kuqe dhe blu që i identifikojnë politikisht. Tregtarët thonë se shitjet e tyre janë thuajse të njëjta, po nëse për Hoxhën blerjet shtrihen si te të huajt, ashtu dhe te vendasit, Berisha është i preferuari i vizitorëve nga Kosova.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›