Turistët kërkojnë tradicionalen në Krujë
Viti 2009 ka shënuar një rritje të numrit të turistëve në dy muzetë e qytetit: në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” dhe atë etnografik. Janë të kombësive të ndryshme. Nga shifrat e vëna në dispozicion, numërohen 76100 vizitorë
Në rrugët e Krujës, pavarësisht stinës has turistë. Shqiptarë apo të huaj e kanë të përcaktuar destinacionin. Një shuarje e kureshtjes në Pazarin e Vjetër, në të përpjetën që të çon te kalaja dhe një vizitë në të dyja muzetë: në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” dhe atë etnografik. Janë të kombësive të ndryshme. Vitet e fundit, muzetë e Krujës kanë qenë nga më të vizituarit në vend. Shifrat shënohen në rritje edhe gjatë 2009-s. Ndonëse muajt nëntor dhe dhjetor kanë shënuar një rënie të fluksit, nga shifrat e vëna në dispozicion, numërohen 76 100 vizitorë. Mes tyre ka pasur mjaft shqiptarë nga qytete të ndryshme, por edhe nga Kosova, Maqedonia dhe trevat e tjera shqipfolëse. Trupat diplomatike janë një pjesë tjetër e turistëve që kohë pas kohe udhëtojnë deri në qytetin historik. Por viti që lamë pas shënoi edhe mjaft turistë polakë, çekë, rusë e austriakë që pushojnë në Mal të Zi. Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastriot Skënderbeu” dhe Muzeut Kombëtar Etnografik “Mehdi Hafizi” thotë për “Shqip” se vizitorët nuk shihen si të rastësishëm dhe kjo i ka dhënë frytet e saj. Atij i pëlqen të kujtojë një shprehje që dikur ia pati thënë ambasadorja Marsi Rice: “Kur dua të qeras dikë me diçka nga Shqipëria, e sjell në Krujë”. Pranvera dhe vjeshta e kaluar mund të quhen stinët franceze, pasi për rreth 15 të enjte radhazi me një shkëputje në verë, turistët francezë të ardhur me kroçera kanë qenë frekuentuesit e rregullt të dy muzeve. “çdo të enjte prisnim rreth 130 turistë francezë përgjatë periudhave maj-qershor dhe shtator-tetor”, shprehet Hafizi. Sipas drejtorit, hapja e tunelit të Thirrës pati një ndikim pozitiv në rritjen e numrit të shtetasve kosovarë që vizitojnë këtë qytet. “Nuk bëhet fjalë për nxënësit e shkollave të Kosovës, pasi ardhjet e tyre janë në vazhdimësi, po për familjarë dhe të tjerë persona që vijnë me pushime apo për punë në Shqipëri dhe ndalojnë në Krujë”, sqaron drejtori. Po të ndjekësh shënimet e lëna në librin e përshtypjeve sheh që gjeografia e atyre që e vizitojnë për herë të parë këtë muze është zgjeruar shumë për sa u përket zonave shqiptare. Ka nga Gramshi, Erseka, Burreli, Tepelena, Dibra e Tirana. “Ka një kthim të plotë të interesit për historinë e kombit. Edhe emigrantët kanë qenë shumë aktivë gjatë vitit të kaluar. Ata vijnë bashkë me fëmijët për t’i bërë familjarë me historinë”. Edhe Kruja, si shumë qytete të tjera të trashëgimisë kulturore vuan mungesën e infrastrukturës. Në vazhdim, drejtori Hafizi beson në rritjen e numrit të turistëve. Një investim i Bashkimit Europian synon të ndërhyjë në restaurimin e infrastrukturës në zonat me trashëgimi kulturore. Investimi kap vlerën e 752 635 euro dhe pritet të përfundojë në fund të qershorit të këtij viti.
#