Periferitë e reja kryeqytetase, viktimë kompetencash
Bashkia e Tiranës, “luftë” për territore me pushtetin qendror
Të jetosh në zonat e reja periferike të kryeqytetit nuk është edhe aq e thjeshtë. Kjo për shkak të mungesës së infrastrukturës, por edhe prej luftës së kompetencave mes dy pushteteve, atij qendror dhe lokal. Që prej disa vitesh, drejtuesit e Bashkisë së Tiranës kanë kërkuar zgjerimin e territorit administrativ që mbulon ky institucion. Sipas tyre, Tirana e madhe duhet të përfshijë edhe ligjërisht këto zona të reja periferike ku dendësia e banorëve për metër katror është e denjë për një metropol të mbipopulluar. Kështu, Komuna e Farkës, Paskuqanit apo ajo e Dajtit do të mund të konsideroheshin si njësi bashkiake të kryeqytetit, duke iu bashkuar 11 minibashkive aktuale. Por kjo ambicie e krerëve drejtues të Tiranës nuk është përkrahur nga qeveria e djathtë.
Aktualisht, komunat me një staf të kufizuar dhe të mësuara për të përballuar hallet e një numri të vogël familjesh tashmë e kanë thuajse të pamundur që me fondet dhe kapacitetet e tyre të menaxhojnë përqendrimin me shpejtësi të madhe të banorëve në ndërtimet e reja shumëkatëshe. Në këtë linjë lufte për territore dhe kompetenca mes dy pushteteve për Tiranën mbetet edhe çështja e menaxhimit të Ndërmarrjes së Ujësjellësit. Ndërsa bashkitë e tjera në rrethe i kanë marrë kompetencat e menaxhimit të këtyre ndërmarrjeve, duke kryer edhe përshtatshmërinë e tyre me nevojat e qytetarëve në kryeqytet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende. Ligji për decentralizimin e kompetencave për pushtetin vendor e detyroi qeverinë që të miratonte edhe kalimin në pronësi të vendorëve të ndërmarrjeve të ujësjellësit. Ndërkohë që drejtuesit e Bashkisë së Tiranës publikisht refuzuan që ta marrin përsipër këtë ndërmarrje për shkak të borxheve të mëdha të saj, por edhe kuadrit ligjor të papërcaktuar qartë. E për rrjedhim, Ujësjellësi i Tiranës nuk menaxhohet nga bashkia kryeqytetase. Por edhe qeveria “i ka dhënë duart” pas miratimit të ligjit përkatës me gjithë ndryshimet e kryera.
Ata që duhet të presin zgjidhjen e nyjës së konfliktit janë qytetarët që në periferi apo në qendër kanë nevojë për investime publike, infrastrukturë dhe natyrisht ujë e drita.
#