Gushti, jo muaj agjërimi për konsensusin e reformave
Gushti i sivjetmë ka qëlluar një muaj sakrifice për të gjithë besimtarët myslimanë, por edhe një muaj solidariteti për të gjithë të tjerët, që në këtë 30 ditësh vape, kanë rastin të ndajnë me të tjerët jo veç sadakanë, por edhe mendimet e perspektivat që ata mendojnë se meritojnë.
E në këtë gusht, vëmendja e shqiptarëve, shteti i të cilëve përcaktohet gjerësisht nga kurba e politikës, përqendrohet fort edhe tek kursi politik i opozitës, e cila ka qenë përcaktuese në klasifikimin e ngërçit, si gjendja aktuale e hapësirës tonë. Gushti është muaj pushimesh, por opozita shqiptare s’mund ta parakalojë këtë periudhë me paralajmërimin se në shtator do të nisë një “kurs i ri” dhe atëhere do të shihet se sa “e fortë është PS” e se sa “bashkëpunuese do të jetë ajo”.
S’mund të shtihet fall për këtë perspektivë, sidomos kur mendohet se në shtator do të flasim për të njëjtat gjëra të gushtit, e aq më tepër, me të njëjtët aktorë. Ajo që ka ndryshuar është valenca e secilës prej tyre, pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, por ky ndryshim forcash s’mund t’ia zgjasë jetën “status-quo”-së. 12 kriteret e Komisionit Evropian janë të përcaktuara, e zeza mbi të bardhë, dhe të shqiptuara nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian, prandaj edhe klasës politike në Tiranë i duhet të ofrojë sa më shpejt që të jetë e mundur një perspektivë të re, të ndryshme nga situata e ngërçit politik që solli shtyrjen e marrjes së statusit të kandidatit, në samitin e fundvitit të shkuar.
Megjithatë, debati politik brenda PS-së s’po jep shumë shpresa se do të ketë një ndryshim të kursit politik, i cili do të ofrojë një perspektivë të miratimit të disa prej nismave ligjore që kërkohen nga Brukseli. Duke mbetur peng i poltronës së kryetarit të partisë, funksion që paraqitet si një hipotekë për mbretërimin e së majtës, por edhe si një biznes që do të shfrytëzohet në listat zgjedhore të 2013-s, beteja e brendshme e së majtës po tenton të shndërrojë në kurban edhe shpresat e mbrame të opinionit publik, por edhe të faktorit ndërkombëtar, për dialog e për zgjidhje të ngërçit....
Justifikimi më i fundit që dëgjojmë është ai i agjërimit që vjen nga muaji i Ramazanit, i cili së bashku me pushimet, ofrohet si paketë se për kapërcimin e situatës do të duhet të pritet java e tretë e shtatorit, pa asnjë hipotekë se suksesi do të vijë. Megjithëse puna s’mund të bitiset paraprakisht, është shumë pak shpresëdhënëse rreshtimi i ikonave anti-dialog si Valentina Leskaj e Arta Dade për të thënë se do të flasim në shtator, por s’heqim dorë nga asnjë qëndrim i yni e se nismat ligjore do t’i hartojmë vetë, me porosinë e Perëndimit, por sipas midesë së bolshevikëve të Tiranës. Deklarimi paraprak se në shtator do të ketë dialog të gjerë, edhe për çështje të tjera, jashtë parakushteve të BE-së, porse opozita do të miratojë pa një, pa dy, nismat e certifikuara nga Brukseli do të ishte vullneti politik që presim nga opozita. Kjo deklaratë s’ka të bëjë shumë me luftën civile mes klaneve në PS, bile as me agjërimin e Ramazanit... Përkundrazi, një deklarim i tillë do ta ndihmonte edhe më shumë palën që do ta shqiptonte e para, bash në muajin e vapës e të sakrificës së 2011-s.