E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garë edhe me kështjellat!

TIRANE - Gjithçka më erdhi si ide nga ajo që pashë këto ditë nëpër ekranet e ndryshme televizive të botës, (por në asnjë prej
tanëve!?), të cilat pasqyruan turin e Francës, garën më të famshme çiklistike që njeh historia e këtij sporti. Krahas luftës pasionante të pjesëmarrësve me finish Harkun e Triumfit në Paris, nuk kishte se si të mos më bënte përshtypje edhe itinerari nëpër të cilën përshkoheshin etapat; natyra me reliefin e saj të mrekullueshëm, sistemuar aq bukur dhe mjeshtërisht nga dora e njerëzve, shoqëruar me objekte të larmishëm dhe gati piktoresk, në të cilën zhvillohet kjo shfaqje e papërsëritshme. Dhe, mes tyre edhe kështjellat, të pranishme në ekran, thuajse sa edhe vetë gara. Aq të shumta: Nëpër qytete dhe fshatra, të cilat rrëzëllejnë ende me madhështinë e tyre shekullore. E ndërsa, si në një muze, shfaqeshin ashtu të bukura deri në përsosmëri, disa majë maleve, të tjera buzë ujërave apo rrethuar prej tyre, (sikur të ndiqje një sfilatë magjepsëse), të sistemuara aq mrekullisht mes parqeve plot lule shumëngjyrëshe, ja se si, mendja më shkon dhe i bën vend edhe këtyre "kështjellave" tona. I fus në thonjëza sepse këto "tonat" nuk kanë fare lidhje me ato që na ofronin ekranet që transmetonin garat e turit të Francës. Nuk më duhet t'u thërras kujtimeve për ato që kam parë vite më parë, kur si gazetar i Radio-Tv Shqiptar shkoja me shërbim në çdo cep të vendit, sepse një prej këtyre "kështjellave", atë të Petrelës, pata mundësi ta shoh pikërisht këto ditë që zhvillohej edhe gara çiklistike në fjalë dhe pamjen e saj të... frikshme, për rrezikun që paraqet deri në ngjitjen për atje, e kam ende të freskët. Për të mos u hallakatur shumë në kësi përsiatjesh, duhet pranuar se rruga nga lugina e lumit, që të përgatit për ngjitjen e Qafë-Kërrabës, e deri lart në qendër të fshatit ku ndodhet "kalaja", është fare e re dhe e përuruar kohët e fundit, ashtu siç kemi parë të bëhet edhe për shumë rrugë të tjera nëpër Shqipëri. Por, e keqja vjen sapo ti zbret nga makina dhe detyrohesh t'i ngjitesh objektit historik nëpërmjet një rrugëze rraskapitëse, nëpër ca shkallëza të sajuara nga ato ngjitje-zbritjet shekullore të njerëzve, që me gjasë nuk kanë vënë dorë asnjëherë në to, qëkurse kjo "kështjellë" është ndërtuar. Çdo njeriu që i merr mendja erë për të shkuar deri atje dhe këtu bëhet fjalë për një njeri të shëndoshë e tepër normal fizikisht, se ndryshe nuk ke asnjë mundësi për ta kryer një mision të tillë, i del shpirti në ato minuta rraskapitëse-ngjitjeje. Më shumë se zbavitëse, ajo e përpjetë është e vështirë dhe e rrezikshme. Pa asnjë mur mbajtës-rrethues, apo parmak a diçka tjetër që të të krijojë një farë sigurie për të mos u gremisur atyre honeve të thellë poshtë këmbëve të tua mbushur me ferra, e gjithë kjo që të çon në këtë "kështjellë" është një aventurë aspak për t'u pasur zili! Por, nuk përfundon këtu. Mbërritja në majë të saj, në vend të "triumfit", të sjell një zhgënjim të plotë kur sheh atë hapësirë të ngushtë që mezi të lejon të rrotullohesh, për të parë atë ç'ka syri duhet të rrok nga gjithë ajo lartësi. Pastaj zbritja, e shoqëruar po me aq vuajtje. Jo vetëm ato që mund të dalloje nga ekrani gjatë transmetimeve të huaja televizive të garës së turit të Francës në çiklizëm, por edhe nga ajo ç'ka shihet në udhëtimet e ndryshme nëpër vende të tjera të botës, kur njeriu mund ta prekë vetë me dorë realitetin, mrekullia dhe komoditeti që të ofrojnë kështjellat atje, të ndjellin ndjesinë e këndshme të të qenit si në Luvër! Madhështore e plot hijeshi, mbushur me objekte të shumta dhe interesante, me broshura, libra dhe piktura të autorëve të njohur që i bëjnë jehonë historisë përkatëse, kështjellat e asaj bote, aq pranë dhe po aq larg nesh, nuk kanë të krahasuar me këto gërmadhat e mbetura prej shekujve në këtë anën tonë, që s'dihet se kur do të restaurohen ndonjëherë!?
Turi i Francës, me ato bukuri të pafund që mbështjellin itineraret nëpër të cilat përshkohet kjo garë e famshme, nuk ka se si të ma largojë realitetin jo aq të këndshëm të vendit tim, aq më tepër këto ditë, kur për turizmin e tij po bëhet me të vërtetë një reklamë tërheqëse!...
Në se jemi në mes të Europës dhe pretendojmë të bëhemi pjesë e standarteve të saj, duhet të zhvillojmë një garë të vërtetë zhvillimi, të drejtë e të ndershme, ndërkohë edhe plot përkushtim, jo vetëm në sport, por edhe në fusha të tjera, pse jo, edhe për sa i përket kështjellave, aq të mirëmbajtura e të bukura-deri në mrekulli, nëpër botë, dhe të lëna pasdore e krejt të rrënuara këtu, tek ne!
Dështimet tona të vazhdueshme, me çiklizmin p.sh., që nuk ka asnjë shëmbëllim dhe pikëpërqasjeje me turin e Francës, të sapo cituar, por dhe me të tjerat, ku futbolli, në rastin më të kapshëm e të kërkuar, e ka kthyer në rit humbjesh dhe eliminimesh përfaqësimin e tij, siç ndodhi javën e kaluar edhe me kupat europiane, nuk ka pse të jenë pjesë përbërëse e gjithçkaje që ne duhet të na bëjë krenarë, qofshin këto edhe kështjellat.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›