Krime të ngjashme komuniste nën emra të ndryshëm
Djaloshi po parkonte motorrin në afërsi të pallatit ku banonte. Ata erdhën të gjithë të armatosur me çelësa anglez në duar. Djaloshi kërkonte të mbrohej. Mbulonte kokën me duar por gjithmonë pa arritur të ndalonte goditjet e shumta. Agresorët ishin shumë dhe veçse qëllonin. E lanë aty thuajse të vdekur në vend. Vdiq pas një jave në spital. Ishte 3 marsi i vitit 1975. Nuk kishte mbushur ende 18 vjeç. I vrarë në mes të rrugës nga bashkëmoshatarët e tij studentë që përfaqësonin të majtën ekstra parlamentare. E kishin kërcënuar shpeshherë. Madje i kishin bërë edhe gjyqin në klasë, një lloj “procesi politik”. Më vonë 80 studentë e kishin detyruar të shkruante parulla pro komunizmit. Më pas i kishin masakruar edhe vëllanë pak më të vogël. Ditë më pas kishte shkuar në shkollë bashkë me babanë e tij për t’u transferuar në një shkollë tjetër. I kishin poshtëruar të dy. Babë e bir. Madje edhe drejtorin dhe mësuesit. Shokun më të ngushtë ja përjashtuan nga shkolla… Një ditë para vdekjes, pra para agonisë, një grup të rinjsh ishin mbledhur para pallatit të familjes Ramelli duke shkruajtur në mure fjalë nga famëkeqi manifest komunist duke kërcënuar edhe të pranishmit që mos t’i prishnin ato. Shkruajtën: - "Brenda 48 orëve duhet të zhdukeni të gjithë" - duke kujtuar se edhe vëllanë e kishin masakruar". Kjo ishte klima e krijuar jo vetëm në universitete por edhe në shkollat e mesme. Me “procese politikë” kundrejt atyre që nuk simpatizonin të majtën në përgjithësi dhe komunizmin. Nën një klimë frike dhe heshtje. Ndonjë profesor që donte të fliste kërcënohej me vdekje. Ishin fanatikë të komunizmit. Jo më kot ishin ithtarë të Maos dhe të Stalinit dhe më vonë dhe të Hoxhës. Me emra të ndryshëm por që i lidhte një fill i kuq me komunizmin. “Trekëndëshi i vdekjes”, “Luftë e vazhdueshme”, “Pararoja punëtore”, “Grupet e aksionit Partizan”, “Brigadat e kuqe”, “Linja e parë”. Hidhnin trakte në fabrikat e Fiat-it, përlesheshin me policinë, me “borgjezët”, vrisnin zyrtarët e shtetit. Pastaj nuk dëshironin të merrnin pjesë në votime. Slogani: “Është luftë, jo votë, është lufta që vendos”. Kërkonin të përhapnin idetë e kuqe edhe në ushtri me sloganin “Proletarët me uniformë”. Nga betejat e vogla kërkonin të merrnin të gjithë territorin, I pashmangshëm edhe slogani “të marrim qytetet”. Kanë ndërkaq dhe një gazetë të tyren. Me tituj gjithashtu: “Lirojini të gjithë”, bëjnë këngë dhe shkruajnë në kopertinë “fjalët dhe muzika nga proletariati”. Rrëmbejnë njerëz (siç është rasti i dirigjentit të firmës Siemens Hidalgo Makiarini) me slloganin (“godit njërin për të edukuar njëqind të tjerë”). Të gjithë të lidhur me një “fill të kuq” me lëvizjet e partizanëve të viteve 1943-1945. Madje shkruanin edhe libra me titullin “Filli i kuq” - “’Filli kuq’ që na lidhte me partizanët u bë edhe më e fortë kur një prej tyre, do ta quaja Serxho, erdhi me ne në Milano. Ishte dyzet vjeç: gjatë luftës, i ri, kishte qenë në grupet e aksioneve partizane, dhe kishte dëshirë të rifillonte. Nuk e zgjatëm shumë dhe e bëmë anëtar të grupit. Serxho, pra, kishte vrarë me të vërtetë armiq, dhe sigurisht do të na mësonte dhe ndihmonte”. Çmenduria komuniste pushtoi shumë njerëz dhe si rrjedhojë prodhoi edhe shumë krime. 29 janar 1979, terroristët e Linjës së Parë vrasin gjykatësin Alessandrini, 37 vjeç. Në krye të grupit, Marko Donat Katin, i biri i ish- ministrit Karlo Donat Katin.
Që nga kjo kohë shndërrohen në klandestinë. Duheshin vrasës profesionistë dhe jo vrasës diletantë. 21 shtator 1979, në Torino qëllohet inxhinjeri Karlo Giljelino, përgjegjës i planifikimit të Fiat-it. 11 dhjetor 1979, përsëri Torino, qëllohen në këmbë pesë mësues dhe pesë studentë. 2 maj 1980, në Romë qëllojnë arkitektin Serxho Lençi, projektues i burgut të ri të Rebibias. Ndërhyjnë në kanalet e televizionit (16 prill 1970) duke proklamuar: “Vini re! ka lindur një rezistencë e re e masave, ka lindur rebelimi ndaj padronit dhe shtetit të padronëve…kanë lindur brigadat partizane, të punëtorëve, të fshatarëve që do të marshojnë të bashkuar drejt fitores”. Folësi vdes dy vjet më vonë nga dinamiti që i plasi më përpara së t’i vihej një shtylle të tensionit të lartë në rrethinat e Milanos. Funeralin e tij e përdorën për një manifestim proteste kundër shërbimeve sekrete që sipas tyre kishin organizuar ekzekutimin. Më vonë u gjendën fjalët e regjistruara të bashkëpunëtorit të tij i cili theksonte se vdekja erdhi si pasojë e shpërthimit të dinamitit me të cilin kërkonte të shpërthente shtyllën e tensionit. Sapo ishte inaguaruar “dizinformacioni i masave”. Bashkëpunim me vendet e perdes së hekurt. Të ndihmuar nga Partitë komuniste arratiseshin drejt këtyre vendeve. Praktikoheshin akoma dhe më tepër. Të vrisnin “borgjezët”. Të vrisnin të rinj që nuk kishin idetë e tyre… Nuk kishte mbushur ende 18 vjeç. I vrarë në mes të rrugës nga bashkëmoshatarët e tij studentë që përfaqësonin të majtën ekstra parlamentare…