Enverizmat e një misionari hipokrit
“Hipokrizia është homazhi që i bën vesi virtytit” - Laroshfuko -
Në një vend ku dje ka hedhur valle diktatura, drejtuesit e majtë detyrohen të sillen si liberalë. Të stresuar nga terrori sistematik njerëzit nuk durojnë më sidomos autoritarizmin. Nuk është e gabuar thënia se jo çdo e keqe vjen vetëm për të keq. Dhe është ndoshta pikërisht kjo e “mirë” e vockël, që ia ha kokën vetë së keqes, tiranisë. Diktatura komuniste, duke i detyruar njerëzit të silleshin ndryshe nga ç’mendonin, i mësoi ata edhe të mbroheshin prej kurtheve të saj. Frika nga vetja dhe mosbesimi ndaj kujtdo u bënë virtyte të skllevërve modernë të komunizmit. Të majtët e dinë mirë se ç’mizorí u ka bërë lufta e klasave njerëzve. Ndoshta prandaj dhe detyrohen të pranojnë se ajo “u teprua”. Por prapa këtij “teprimi” ata bëjnë sikur harrojnë që fshihen miljona nëpërkëmbje, poshtërime dhe privacione, madje masakra. Mos, vallë, prandaj dhe mediat e majta për ta zbutur këtë mizori, përpiqen të tregojnë se diktatura ka prodhuar edhe vlera? Prandaj sulmojnë ato gjithë vlerat e demokracisë? Krijojnë atë amulli, prapa së cilës të mos dallohet dot engjëlli nga djalli?!...
Megjithatë, drejtuesit socialistë, duke u mbështetur në shtresa dhe elementë të inkriminuar, janë të detyruar të mos sillen dhe aq liberalë. Ata tregohen tepër të kujdesshëm në despotizmin e tyre të fshehtë, në ligësinë dashamirëse, në keqardhjen hipokrite. Ndoshta prandaj, edhe kur s’kanë qënë personalisht të inkriminuar, këta drejtues pajtohen sot me domosdoshmërinë e barbarisë komuniste, duke shkuar deri atje sa të justifikojnë çdo viktimizim që epoka e hurit dhe e litarit prodhoi në dekada. Hipokrizia ka mbetur arti i tyre kryesor i maskimit të urrejtjeve të fshehta klasore.
Edvin Rama është shembulli tipik i kësaj hipokrizie klasike, që është shfaqur në këto vite të tranzicionit. I brumosur me përbuzje patologjike ndaj shtresave që përfaqësojnë ajkën e kombit, ai nuk ka mundur as ta maskojë urrejtjen ndaj tyre. Dhe sjellja e tij nuk ka qënë vetëm nevojë për t’u bërë qejfin fanatikëve të krimit komunist. Jo! Ramës kurrë nuk i ka shpëtuar gjuha të thotë makar një fjalë përdëllyese për ata që u “kryqëuan” pa faj për idealet e lirisë. Ky është liberali Rama?!... Ky misionar që ka derdhur rrëke lotësh krokodili për vuajtjet njerëzore. Si egoist i sëmurë, meqë s’e lanë të dilte në krye të lëvizjes antikomuniste, u fut në zhguallin e një anarkisti, që, gjoja, nuk pajtohej me asnjë lloj pushteti. Por, kur fati i trokiti në derë, befas u bë i bindur ndaj autoritetit që i kishte dhënë dorën. Tentativat e tij për bashkimin dhe reformimin e P.S.-së ishin shkallët, me të cilat ky narciz mbërriti majat e “Olimpin” politik. Ndërsa, me t’u bërë dikushi, atëherë, kur si kryebashkiak “bojaxhi” arriti të mashtronte shumë naivë dhe të bënte për vete shumë servilë, sejmenë e sekserë, Ramë liberali arriti të diktojë vullnetin e tij të hekurt, të shfaqet Edvini që, aq sa habiti socialistët e ndershëm, kënaqi maskarenjtë dhe, sidomos, të inkriminuarit e diktaturës. Edvin Rama doli, pra, një enverist i rafinuar, një sharlatan i stërvitur nga urrejtja për njerëzit, një babaxhan dhelparak, që i maste socialistët me kutin që ata u shërbenin interesave të tij. Duke mos patur kontribute në P.S., Rama i pa me dyshim gjithë të majtët e devotshëm, si një rrezik që mund t’i pengonin rrugën për t’u ngjitur drejt altarit të pushtetit. I zhveshur nga parimet, i privuar nga gëzimet e sakrificës, tërë kohën Rama jetoi me frikën e rrëzimit nga pushteti. Prandaj si grabitqar i pamëshirshëm, fshiu nga çdo axhendë të drejtat themelore të shtresave, me të cilat ndihej në luftë morale. Ai ruajti në shpirt kriterin e përbuzjes klasore ndaj pronarëve të ligjshëm dhe të përndjekurve të diktaturës. Degradoi me korrupsion themelet e drejtësisë dhe kultivoi moralin pervers se pa vjedhje s’ka zhvillim. Dhe ishte po ky Ramë që, kur socialistët ranë nga “fiku”, rrëmbeu flamurin e luftës kundër korrupsionit, kurse gjithë veset e veta, tentoi t’ia vishte të djathtës. Por, i vetëm, në mes të ujqërve që përjetonin tmerrin e ndëshkimit, me atë dinakërínë enveriste që e karakterizon, Rama mohoi tërëë tranzicionin, për ta nisur Historinë nga e para, nga dita që hipi vetë në “poltronin” e partisë. Populizmi i tij primitiv ishte manifestimi më qesharak i hipokrizisë enveriste. Thjeshtësia e shtirë dhe dhembshuria spektakolare zbuluan etjen e tij të pashuar për t’i shndërruar socialistët hallexhinj në mercenarë, ndërsa ata që i bëheshin baltë, i zgjodhi si pretorianë, që të flijonin personalitetin e tyre për këtë heró të hajdutërisë moderne.
Edvin Rama po i zbulon sot një nga një tiparet e një diktatori. Ai u vetëshpall misionar për të maskuar ambicien e tij të pakufishme për pushtet absolut. Dhe sot është po ky shërbëtor i devotshëm, që nuk pranon të respektojë Statutin, që e propozoi vetë për t’i hequr mandatin çdo kryetari që do të humbiste zgjedhjet e përgjithshme. Ky misionar e sajoi në Asamble “kleçkën” e mosnjohjes së zgjedhjeve si një sebep për të mos dhënë dorëheqjen. Njëlloj si Enver Hoxha, i cili, para se t’i pushkatonte shokët e vet të “revolucionit”, i afronte për t’u krijuar atyre bindjen se gjoja, pa ata, ai nuk mund ta drejtonte partinë. Kështu heshti dinakërisht Rama që të shihte se deri ku ishte zemëruar me të partia dhe deri ku ishte mbështetja e kandidatëve të shpallur, me qëllim që të hidhej mbi ta si një tigër i uritur e për t’i “shqyer” në kongres, por duke i lavdëruar për devotshmërinë e tyre. Pabasia e këtij misionari liberal është më e hollë nga sa e kujtojnë “baballarët” e P.S.-së. Vetëm kur të bien një nga një viktima të dorës së tij të “ngrohtë”, ndoshta kanë për të dyshuar se nga u erdhi hatája. Sikur idealistët e rrallë të besonin në vlerat banale të hoveve të shtira fisnike të këtij shpirtikatrani, do të nisnin të kishin frikë edhe prej misionarëve të vërtetë. Rama po shkon drejt kongresit si një fakir, që po pranon ta rizgjedhin kryetar, sepse gjoja nuk bëjnë dot pa të. Ndoshta prandaj dhe nuk kandidoi për deputet. Prandaj personalizoi fushatën dhe, pas humbjes, kërkoi zgjedhje të parakohshme. Dinakërisht nuk nguli këmbë në bojkotimin e Kuvendit për t’iu pranuar ideja e mosnjohjes së zgjedhjeve. Dhe i krijoi kështu P.S.-së paradoksin më qesharak. Qëndrimet kontradiktore të kësaj mendjeje të çoroditur prej humbjes, e shpien imagjinatën e njeriut deri sa të besojë edhe absurdin që Ramës ndoshta i duhej kjo humbje zgjedhjesh për t’u hakmarrë ndaj gjithë kuadrove të majta, që kanë kontribute të shumta në partí. Kështu mund të shpjegohet dhe kokëfortësia e tij prej mushke për të mos bashkëpunuar me Metën. Prandaj, ndonëse P.S.-ja është ateiste, ajo duhet të ndezë qirinj në çdo qoshe të selisë së saj rozë, nëse në këtë kongres shpëton nga kthetrat e këtij misionari të rrezikshëm hipokrit. Se, kur hipokrizia e një lideri përzihet me shpirtligësi e sharlatanizëm, siç po ndodh me Ramën, zvogëlohen tepër shpresat e ringjalljes për P.S.-në, këtë forcë politike, e cila vjen nga epoka e krimit, e pabesive dhe e kultit të urrejtjes!...