Korçë, zbulohet moteli me prostituta
Prangoset pronari 43-vjeçar dhe dy prostitutat, njëra shtatzënë në muajin e nëntë
Korçë- Policia e Korçës zbulon një motel-bordel dhe dy prostituta, njëra prej të cilave shtatzënë në muajin e nëntë, ndërsa ka mbyllur përfundimisht motelin që ka trazuar dhe jetën e banorëve të fshatit pranë tij. Prej disa kohësh policia kriminale e Korçës ka pasur informacione për motelin, i cili iu ofronte klientëve, që kryesisht vinin gjatë orëve të ditës shërbimin në dhoma me prostituta, të cilat ishin të martuara. Gjatë operacionit të zhvilluar në fshehtësi të plotë bashkë me prangosjen e pronarit, përfunduan në pranga dhe dy prostitute, njëra prej të cilave në prag të lindjes së një bebeje, e cila do të ndiqet në gjendje të lirë deri në momentin e sjelljes në jetë të fëmijës së saj.
Operacioni
Moteli gjendej deri në mesditën e të mërkurës në fshatin Ravonik të Korçës disa metra larg këtij fshati. Ai, sipas policisë kishte për pronar, 43-vjeçarin Ardit Bezhani. Duke iu referuar burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë, mësohet se Bezhani është prangosur. "Shtetasja S.P. 35-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, banore e qytetit të Korçës ishte e punësuar pranë këtij moteli si prostitutë, ndonëse në familje kishte deklaruar se ishte punonjëse e motelit, ndërsa bashkë me të në të njëjtën detyrë punonte dhe 28 vjecarja A.K. e cila është shtatzënë në muajin e nëntë"-thonë burimet policore. Gratë kishin më shumë se 6 muaj që ofronin këtë shërbim, në këmbim të shumës së 30-40 mijë lekëve të vjetra. Gjatë momentit të arrestimit në motel ka qenë dhe një klient nga qyteti i Korçës. Gratë e reja kanë mohuar të punonin si prostituta, por kapja në flagrancë ka zbehur deklaratat e tyre.
Akuzat
Sipas policisë, gratë do të përballen me akuzën e ushtrimit të prostitucionit. Ato kryenin marrëdhënie së bashku me një klient. Seanca kushtonte në maksimum në 40 mijë lekë të vjetra, nga të cilat ato merrnin vetëm 10-15 mijë lekë për një marrëdhënie. Hetimet për aktivitetin e paligjshëm në motelin e fshatit Ravonik vazhdojnë, ndërsa pronari i tij do të përballet me akuzën e ushtrimit të prostitucionit dhe mbajtjes së lokaleve për prostitucion. Gruaja shtatzënë ka pohuar se punonte për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe se do të sillte në jetë fëmijën e saj të parë.