Protestë kundër Petroliferës, studentët lidhen me zinxhirë
Rreth 200 protestues bllokuan rrugën ku kalojnë makineritë e rënda që ndërtojnë Petroliferën
Policia: Protesta është e paligjshme, s'është marrë leje. Organizatorët për ndjekje penale
Vlorë- Të lidhur mes tyre me zinxhirë, të ulur në rrugë dhe të vendosur të qëndrojnë ashtu deri sa të dëgjohet fjala e komunitetit të Vlorës kundër Petroliferës. Kjo ishte forma e protestës që kishin zgjedhur dje studentët, përfaqësia e Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës, biznesmenë, qytetarë dhe të tjerë njerëz të ardhur nga Tirana. Të gjithë të mbledhur bashkë, rreth 200 vetë, marshuan për të bllokuar rrugën që përshkojnë makineritë e rënda që po vazhdojnë punën për ndërtimin e Petroliferës.
Protestuesit bllokuan dje të tërë segmentin që lidh qytetin me Zvërnecin. Ndalesa e parë u bë në vendin e quajtur ish Soda Kaostike, rreth orës 10.00 të paradites së djeshme. Sipas Amgj, rruga do të ketë një bllokim 24 orësh. Rrugën protestuesit e bllokuan me makinat e tyre dhe më pas shpalosën një pankartë ku thuhej "Rezistencë deri në Referendum". Fill pas kësaj, morën disa goma makinash dhe me to bllokuanrrugën kryesore që të çon për tek punimet e Petrolifierës. Një grup studentësh në mënyrë simbolike lidhën njëri-tjetrin me zhinxhir dhe i mbyllën ato me brava, ndërsa veshur kishin disa mushama kundër ndotjes. "Ne Vlorën do ta mbrojmë me çdo kusht e mënyrë dhe nuk do të lejojmë askënd të tallet me fatet dhe me qytetarët e Vlorës"- tha përfaqësuesi dhe kryetari i Amgj-së, Rezart Aliraj, duke shtuar se protesta e djeshme është kundër shkatërrimit që po i bëhet qytetit nga TEC-et, Pettrolifiera e Ambo. Ai ka deklaruar në emër të protestuesve se me mjete demokratike do ta ndalojnë të keqen që i vjen Vlorës nga ndërtimi i këtyre veprave me naftë. Vepra, që sipas tij janë shkatërruese për shëndetin e qytetarëve dhe të fëmijëve.
Sipas protestuesve bllokimi i rrugës do të vijojë përgjatë 24 orëve, në shenjë
të qartë të kundërshtimit të veprave në fjalë dhe vendosmërisë për t'i qëndruar
detyrës së tyre për mbrojtjen e qytetit. "Gjatë 24 orëve nuk do të lejojmë asnjë mjet të tonazheve të rënda që të vazhdojnë punën për ndërtimin e Petrolifierës"- tha prerë Aliaj. Për këtë, aleanca deklaroi se janë bërë gati dhe grupet, të cilët do të qëndrojnë për bllokimin e rrugës. "Ne u bëjmë thirrje shoferëve si dhe biznesmenëve, që kanë marrë përsipër ndërtimin e këtyre veprave të këqija për Vlorën që të heqin dorë sa nuk është tepër vonë, në të kundërt ne do t'i quajmë ata NON GRATA në qytetin tonë"- tha Drita Aga. Bashkë me thirrjen për drejtuesit e mjeteve, studentët iu drejtuan qytetarëve vlonjatë, që t'u thonë jo veprave me bazë nafte.
Ndërkohë që vijonte protesta, në vend mbërriti policia e Vlorës, në fillim policia rrugore për të negociuar për lirimin e rrugës. Sipas shefit të rrugores, Ismaili ky aks rrugor është brenda Vlorës, qarkullojnë urbanët e bashkisë dhe krijohen probleme.
Por, edhe pas kësaj, protestuesit nuk u tërhoqën nga e tyrja. Në vend mbërritën edhe forca policore, si dhe shefi i rendit, i krimeve si dhe shefi i komisariatit të Vlorës,Asllan Shyti. Ata biseduan me një përfaqësi të Amgj-së, ku kërkuan zhbllokimin e rrugës. "Amgj nuk ka marrë asnjë shkresë për bllokimin e rrugës dhe protesta është e paligjshme, pasi nuk ka marrë miratimin e policisë së Vlorës"- thanë krerët e policisë. Ndërkohë aleancistët iu përgjigjën se ishin vetëm në mbrojtje të Vlorës.
Policia:
Organizatorët e mitingut, ndjekje penale
Shefi i komisariatit të Vlorës ka deklaruar dje se në zbatim të ligjit organizatorët e mitingut do të dërgohen për ndjekje penale. "Jemi të detyruar të zbatojmë ligjin dhe do t'i çojmë organizatorët për ndjekje penale, për arsye se kanë shkelur kodin penal. Mitingu është i paligjshëm"- tha ai. Pas kësaj, ai ka urdhëruar policët e tij, që të devijonin makinat, që ishin bllokuar nga bllokimi i rrugës. Sipas tij, këto makina do të devijohen në rrugë dytësore për të shkuar atje ku njerëzit kanë punët e tyre, për efekt se nuk ka dashur të ushtrojnë dhunë kundër protestuesve.