E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epidemite kercenojne Athinen. Ushtria nis pastrimin e plehrave

Në Athinë qeveria hedh ushtrinë në “betejën e mbeturinave”. E paralizuar nga grevat e përditshme kryeqyteti grek përballet dhe me rrezikun e epidemive nga pirgjet e mbeturinave që mbeten nëpër rrugë prej mëse dy javësh. Vëllimi i plehrave nëpër rrugë përllogaritet në 90.000 tonë. I njëjti problem është edhe në Selanik.

Pastruesit grevistë kërcënohen me suprimimin e vendeve të punës dhe zëvendësimin e tyre nga firma private. Si kundërpërgjigje sindikata e tyre paralajmëroi se do të ndalojë të mbledhë plehrat edhe nga spitalet, shkollat dhe kopshtet siç bënte deri më sot.

“Unë i paralajmëroj se nuk mund të ketë pasoja për shëndetin publik” deklaroi kryebashkiaku i Athinës Jorgos Kaminis, i cili i kërkoi drejtësisë që greva të shpallet e paligjshme.Angazhimi i tri firmave private nën mbrojtjen e policisë solli pak rezultat, por mjaft incidente me grevistët nëpër rrugë dhe vendgrumbullimet e mbeturinave që mbahen të bllokuara.

Në këto kushte qeveria vendosi që të hedhë në “betejën e mbeturinave” edhe ushtrinë duke vënë në dispozicion fillimisht 170 automjete. E majta flet për “zhvillim ekstrem dhe të rrezikshëm” dhe akuzon qeverinë se përdor ushtrinë si “mjet grevëthyes”. Grevistët ftohen nga sindikatat që të pastrojnë të paktën rrugët e qendrës së Athinës për manifestimet e grevës 48-orëshe.

Delina Bitraku  

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›