Epilogu i një dekade të artë
Mbarimi i botërorit të 2006 i dha fund edhe karrierës së lojtarit më të madh evropian të të gjitha kohërave, Zinedine Zidane. Ndeshja e fundit e kampionit ishte ajo e finales së Botërorit ndaj Italisë, për të cilën nuk mund të thuhet se u mbyll në mënyrën më të bukur, pasi jo vetëm që nuk u kurorëzua me titullin kampion bote, por i dha një goditje me kokë Materazit duke bërë mbylljen më të shëmtuar të një karriere të ndritur.
Zinedine Zidane ishte "braziliani"me gjak Algjerian i cili çuditi botën me magjitë e tij me topin e futbollit. Do të kujtohet gjithmonë për delikatesën e tij në veprimet me topin, për vizionin e tij të lojës, për thjeshtësinë e tij në realizimin e veprimeve me top, për golat në botërorin e 98', për mënyrën sesi ishte i aftë të udhëhiqte një ekip dhe të fitonte i vetëm ndeshje të tëra.
Karriera e tij nisi me ekipet zinxhir të Kanës deri në 92', vit në të cilin kaloi në radhët e ekipit të Bordosë. Pasi tregoi atje klasin e tij për katër vite me radhë, me këshillën e patriotit të tij Platini, Zidane do të transferohej tek Juventusi në Itali. Në pesë vitet e karrierës së tij te Juve, Zizu u shpall dy herë kampion i Italisë, fitoi një kupë interkontinentale dhe një superkupë Evropiane. Në vitin 2001 kalon tek Reali Madridit për një shifër rekord ende të pathyeshëm, 56.6 milion euro. Në pesë vitet e karrierës me klubin më të madh të botës, Zidane do fitonte një kampionat dhe një kupë kampionesh, golin vendimtar të të cilit e realizoi sikur të ishte duke luajtur play-station. Vitet e arta të cilat kaloi në radhët e ekipit madrilen do të mbahen mend edhe për një fakt tjetër. Ishte pikërisht kjo kohë që miliona njerëz u dashuruan sërish me futbollin falë magjive dhe lojës së bukur të tij.
Në arenën ndërkombëtare me kombëtaren Franceze ai arriti të fitonte për herë të parë një kupë Bote në 98' dhe kupën Evropës dy vjet më pas. Në botërorin e sapombyllur, Zidane ishte kapiteni që e mori ekipin për dore dhe e çoi deri në Finale, duke fituar pothuajse i vetëm ndaj Spanjës, Brazilit, Portugalisë, madje duke shënuar edhe golin e vetëm të Francës në finale, para se të dilte me të kuq pas asaj goditjeje me kokë ndaj mbrojtësit italian, të shquar si provokator, Materazit.
Krahas këtyre titujve që ai fitoi me ekipet ku ka luajtur, edhe në planin individual ai nuk është se ka qenë më pak i suksesshëm. Zinedine Zidane fitoi dy herë Topin e Artë dhe u shpall tre herë nga Fifa Lojtari i Vitit. Duke medituar për këto tituj të tij, të vjen ndërmend një anekdotë e stisur nga tifozë të tij, sikur ai i kishte thënë Ronaldinjos "Sa finte ke ti, unë i kam kupa”! Në fakt shumë e vërtetë për të qenë anekdotë!
Mënyra e mbylljes së karrierës futbollistike ishte një rast i rrallë, duke dalë me karton të kuq dhjetë minuta nga përfundimi i kohës shtesë në finale të një botërori si pasojë e goditjes më kokë ndaj Materazit. Zidane u shpreh se kishte rënë pre e provokimit të tij dhe kërkoi falje publike për atë gjest, megjithatë shtoi se nuk ishte penduar pasi ishte ofenduar nga motra dhe nëna të cilën e kishte të shtruar në spital.
Në moshën 34 vjçare, Zinedine Zidane, ky mbret i futbollit e braktisi këtë sport ende pa gjetur një zëvendësues për t'i lënë kurorën, mbylli karrierën sportive në kompeticionin më prestigjioz e të rëndësishëm të futbollit, në kampionatin Botëror.
Bota e futbollit dhe të gjithë sportdashësit kanë humbur një nga talentet më të mëdha të këtij sporti. Emri i tij do të qëndrojë në panteonin e futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, krahas Peles dhe Maradonës.
Të gjithë i jemi mirënjohës kampionit të madh për emocionet e dhuruara në fushën e blertë, të gjithë i janë mirënjohës këtij kampioni sepse u dashuruam me këtë sport pikërisht nga magjia e këmbëve të tij.