E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epitafi i Jezusit, më i dëmtuari

Objekte të rëndësishme për nga vlerat historike, në Muzeun Historik të Fierit, ndodhen sot përballë zhdukjes, për shkak të mungesës së restaurimit, edhe pse autoriteteve përgjegjëse u është kërkuar ndërhyrje e menjëhershme. Mariglen Panda, drejtori i Muzeut të Fierit, gjatë një deklarate për mediat ka shprehur shqetësimin për dëmtimet e rënda që kanë pësuar shumë objekte me vlera historike. Ai shpjegon se shumë prej objekteve, edhe pse të ruajtura me kujdes nga specialistët e këtij muzeu sot, nuk mund t‘i përballojnë dëmtimet që kanë pësuar me kohën. "Janë evidentuar me dhjetëra objekte, të cilat kanë pësuar dëme të mëdha, si shkak i viteve që kanë kaluar, por edhe prej mungesës së restaurimit", u shpreh drejtori i muzeut. Më i rrezikuar nga zhdukja, si shkak i dëmtimeve të mëdha, është epitafi i Jezusit, i cili mban si datë krijimi vitin 1786. Përmasat e epitafit në rrezik janë 1,5 metra gjatësi dhe 1 metër gjerësi. Në qendër është figura e Jezu Krishtit dhe rreth tij janë 12 apostujt. Disa vjet më parë, kur ky epitaf dha shenjat e para të dëmtimit, drejtuesit e muzeut kërkuan fonde për restaurim. Kanë kaluar pesë vjet dhe ende nuk është vënë dorë mbi të. Përveç epitafit të Jezusit, Panda ka renditur edhe objekte të tjera që kërkojnë sot ndërhyrje të menjëhershme. "Ndërhyrje kërkon edhe fustani me fije ari, i cili ka nisur të shthuret dhe të shpërbëhet, por edhe statuja e Apolonisë. Nëse restaurimi i tyre nuk realizohet brenda një kohe të shkurtër, rreziku i zhdukjes kërcënon jo vetëm këto objekte, por edhe shumë të tjera", duke theksuar në të njëjtën kohë se të tilla vështirësi pengojnë në shtimin me objekte të reja në muze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›