E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkim Zeneli: Sfida për koalicionin e madh apo zi-verdhë

 

Aristir Lumezi

Diplomati i njohur, Bashkim Zeneli, ish-ambasador i Shqipërisë në Gjermani gjatë viteve 1997-2002, njohës i mirë i zhvillimeve politike në këtë vend, analizon fushatën zgjedhore dhe tendencat e koalicioneve. Zeneli shprehet se sfida e këtyre zgjedhjeve është rikonfirmimi i koalicionit të madh apo fitorja e zi-verdhëve. Sipas tij, platformat e dy kandidatëve janë për hyrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimorë në BE.
Zoti Zeneli, të dielën e ardhshme do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani. Para se të ndalemi në disa elemente të rëndësishëm të tyre si edhe në sondazhet më të fundit me mundësinë e vazhdimit apo jo të koalicionit të madh edhe për të ardhmen, çfarë rëndësie marrin këto zgjedhje?
Zgjedhjet e datës 27 shtator, padyshim kanë në radhë të parë rëndësi për Gjermaninë, por në një farë mënyre edhe për Evropën e Bashkuar për vetë rolin e Gjermanisë në sfidat e përbashkëta euro-atlantike. Ajo që duhet të theksoj që në fillim është se për zgjedhjet në Gjermani ka një ndjesi të fortë përgjegjësie jo vetëm të klasës politike, por edhe të opinionit dhe votuesve. Çdo gjë bëhet në interes të Gjermanisë, të zgjidhjes së problemeve për vendin, në çdo fushë. Ndonëse votimi nuk është i detyrueshëm, siç është p.sh. në Qipro, Turqi, Belgjikë, Greqi, Luksemburg, në Gjermani ka një pjesëmarrje të madhe në votime. Në zgjedhjet e fundit të 2005 votuan 78% e popullsisë, dhe në asnjë zgjedhje nuk ka pasur pjesëmarrje më të ulët se 75%.
Duke vazhduar më tej, si është zhvilluar fushata deri më tani, në ç’probleme është përqendruar dhe me çfarë sloganesh është prezantuar para votuesve?
Përgjithësisht fushata për zgjedhjet e së dielës është zhvilluar mjaft e qetë. Ajo nuk ka pasur një krahasim me intensitetet e natyrshme të luftës politike që është vënë re në fushatat e mëparshme. Kjo ka shpjegimet e saj. Së pari, sepse të dy partitë e mëdha qeverisëse që tradicionalisht kanë qenë opozitare ndaj njëra-tjetrës në këtë mandat janë në koalicion bashkëqeverisëse, dhe si të thuash as njërës nuk i mbetet aq shumë për të kritikuar. Së dyti, partitë bashkëqeverisëse nuk kanë çfarë t’i thonë aq shumë njëra-tjetrës në fushatë, pasi qeverisja e tanishme ka pasur një efektivitet të madh bashkëpunimi, një frymë mirëkuptimi e korrektese të lartë ndaj njëra-tjetrës, sidomos vitin e fundit në përballimin e krizës ekonomike financiare botërore që u ndje edhe në Gjermani. Është për t’u shënuar krahas të tjerave, se kur filloi kjo bashkëqeverisje, niveli i papunësisë ishte 5 milionë, ndërsa tani është 3 milionë.
Slogani i CDU-së është “Ne kemi fuqinë”, ndërsa ai i socialdemokratëve “Vendi ynë mund të bëjë më shumë”. Liberalët kanë sloganin “Më shumë neto nga brutoja”, të Gjelbrit “Nga kriza të nxjerr vetëm e gjelbërta”, ndërsa e majta “Politikë sociale konsekuente”. Të dy kandidatët kryesorë, përveç atyre që thashë më lart, ditën të ruhen nga agresiviteti, i cili në Gjermani ka efekte negative në popull. Ajo që është e rëndësishme për t’u theksuar është fakti se platformat e unionit CDU-CSU dhe SPD, kanë mjaft gjëra të përbashkëta për të mos thënë në pjesën dërrmuese të tyre. Në këtë kuadër, ajo që është vënë re gjatë fushatës Merkel-Steinmeir është fakti se të dy janë përpjekur që ato pika të suksesshme që janë realizuar në bashkëqeverisje, t’i konsiderojnë si kontribute personale të tyre apo të partive të tyre. Mbas humbjes së CDU-CSU në dy Lande para 2 muajsh pati kritika dhe kërkesa nga CDU, madje edhe nga kryesia e saj që Merkel të ishte më agresive në fushatë, por ajo vazhdoi fushatën përsëri me një stil të moderuar, duke iu përgjigjur këtyre kërkesave se “nuk do të mendojë për të zbuluar armiq, por do të mendojë për njerëzit”, apo se “unë ndahem me z.Steinmeir aty ku është e nevojshme, por unë nuk kualifikoj njeri”.
Në kuadër të fushatës ka patur një debat televiziv Merkel-Steinmeir. Si është vlerësuar ai?
Debati midis Merkel dhe Steinmeir është zhvilluar më 12 shtator, pra dy javë para zgjedhjeve, më pas ka pasur edhe një debat tjetër televiziv me tre drejtuesit e partive parlamentare, të gjelbërit, FDP dhe e Majta. Debati Merkel-Steinmier përgjithësisht ka vazhduar në linjat e zhvillimit të fushatës, ashtu siç fola më sipër. Shtypi gjerman e ka vlerësuar si “mbledhje qeverie” apo “tepër harmonik për dy kundërshtarë”. Epiteti më i përdorur ato ditë nga media ka qenë se ky debat ishte “një Duet dhe jo Duel”. Pa diferenca të mëdha të dy kandidatët folën kryesisht për problemet ekonomike dhe nuancat midis tyre u dukën thjesht se si e sheh njëri apo tjetri daljen nga kriza dhe rikthimin e rritjes ekonomike, politikën e pagave, të pensioneve, të taksave etj. Merkel p.sh., propozon fuqizimin e rritjes ekonomike nëpërmjet uljes së taksës për bizneset, duke e argumentuar me mundësinë për të krijuar vende të reja pune. Sipas saj, kjo do të rriste të ardhurat për të ulur deficitin. Nga ana e tij, Steinmeir gjykonte se rritja ekonomike duhet të nxitet sipas modelit Obama, nëpërmjet programeve ekonomike për ruajtjen dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Po në fushën e politikës së jashtme çfarë e debatua, apo më mirë cilat janë prioritetet e njërit apo tjetrit kandidat?
Gjermania, veçanërisht mbas viteve ‘90, pra të ribashkimit, ka ndjekur një politikë të jashtme solide, konsekuente, të paqes, lirisë, demokracisë dhe forcimit të sigurisë në Evropë e më gjerë. Për çështjet e politikës së jashtme ka një vullnet të përbashkët parlamentar, pavarësisht nuancave të vogla. Në këtë debat nuk u fol shumë për politikën e jashtme, i vetmi problem ku u ndalën të dy kandidatët ka qenë Afganistani. Steinmeir kërkoi largimin e trupave gjermane nga Afganistani deri në vitin 2013, të njëjtën gjë kërkoi edhe Merkel, por pa theksuar datë. Të dy shtruan nevojën e intensifikimit të përpjekjeve të Gjermanisë për të ndihmuar në përgatitjet e strukturave të atjeshme në kuadër të këtij largimi. Ndërkohë të dy kandidatët kanë folur me një gjuhë për forcimin e marrëdhënieve me SHBA dhe Presidentin e ri, zvogëlimin e barrierave tregtare transatlantike dhe krijimin e një tregu afatgjatë të lirë. Një vend të veçantë ka zënë nevoja  e forcimit të politikës europiane të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, apo angazhimi për një koncept të ri strategjik të NATO-s për t’iu përgjigjur më mirë ndryshimeve politike dhe të sigurisë. Forcimit të marrëdhënieve me Rusinë i është kushtuar një vëmendje e veçantë gjatë gjithë fushatës dhe në programet e dy kandidatëve. Por, kjo do shihet në vartësi nga qëndrimet e Rusisë ndaj OKB, BE, NATO-s dhe organizmave të tjera ndërkombëtare. Pra flitet për një partneritet strategjik dhe pragmatist me Rusinë, në kuadër të një rendi të përbashkët sigurie sipas parimeve të OKB-së.
A është ndjerë në fushatë dhe në përgjithësi në programet e znj. Merkel dhe z.Steinmeir vëmendja për rajonin tonë dhe për të ardhmen e tij europiane, duke njohur edhe kontributin, por edhe peshën e Gjermanisë për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit?
Në programet e të dy kandidatëve mbështetet perspektivë afatmesme e deri afatgjatë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Por, si nga të dy kandidatët për kancelarë, ashtu edhe nga Liberalët dhe Të gjelbrit, shprehet i njëjti qëndrim, duke kërkuar “zhvillim negociatash me rezultate konkrete” dhe se nuk duhet të ketë skonto ose automatizma në kriteret e pranimit, për shembull, nëpërmjet caktimit të një date anëtarësimi pa u mbyllur negociatat. Pra vëmendja e Gjermanisë politike ka qenë dhe mbetet shumë e madhe për rajonin dhe për të ardhmen e tij euroatlantike. Në kuadrin e anëtarësimit në BE në programet përkatëse, është mbështetur veçanërisht Kroacia, ndërkohë që ka rezerva për Turqinë, që siç kanë folur të dy kandidatët, pavarësisht nga arritjet dhe një sërë reformash të rëndësishme që ka bërë Turqia, ajo ka ende deficite në arritjen e standardeve të BE (kriteret e Kopenhagenit në fusha të ndryshme).
Në të gjithë këtë tablo elektorale, për kë flasin sondazhet, kush do të jetë fituesi i këtyre zgjedhjeve?
Ajo që mund të thuhet me siguri është se as unioni CDU-CSU dhe as SPD nuk mund të fitojnë shumicën për të qeverisur të vetme. Unioni CDU-CSU nga sondazhet e së dielës së kaluar, mbetet në vend të parë me 36%, ndërkohë që socialdemokratët kanë 24%, FDP 13%, Të gjelbërit 11% dhe e majta 11%.
Fakt është se dy partitë e mëdha, që deri në vitin 2001 ishin në kuotat mbi 40%, tani kanë rënie dhe këtë diferencë e kanë mbushur partitë e vogla. Nga pikëpamja partiake, CDU është më e konsoliduar dhe pa probleme të brendshme, ndërkohë që SPD që nga largimi i kancelarit Schroeder si kryetar i saj, në vjeshtën e vitit 2005, ka ndërruar tre kryetarë.
Me të tilla shifra si mendoni se mund të jenë koalicionet në të ardhmen qeverisëse?
Nisur nga shifrat paraprake variante mbesin dy: ose koalicion i CDU-CSU me Liberalët ose përsëri koalicion i madh CDU me SPD.
SPD e ka të vështirë të krijojë koalicion qeverisës vetëm me të gjelbërit. Mundësitë për ta bërë me të gjelbërit dhe Liberalët, këta të fundit e kanë kundërshtuar. Kryetari i FDP, Westerwelle është deklaruar me kohë, por sidomos në debatin e fundit televiziv se, “duam të marrë fund koalicioni i madh dhe gjithashtu duam të parandalojmë ardhjen e një qeverie të majtë”. Ndërkohë kancelarja Merkel deklaroi në debatin e fundit televiziv se, “koalicioni që dëshironte për të ardhmen duhet të ishte një koalicion i fortë dhe kjo do të ishte e mundur vetëm me FDP”. Ndërsa të Gjelbërit janë kundër koalicionit të CDU-së me FDP-në. Ata janë kundër koalicionit të quajtur “Xhamajkë”, flamuri i vendit, pra zi(CDU), verdhë (Liberalët) dhe të Gjelbërit.
Ndërsa SPD që u duk para një muaji se edhe mund të bënte koalicion me të majtën e ka përjashtuar këtë. Steinmeir në debatin televiziv tha se në nivel landesh kjo edhe mund të ndodhte, por në nivel Federal jo. Gjithsesi mundësia apo në një fare mënyre edhe dëshira është për vazhdimin e koalicionit ekzistues. Ministri gjerman i Financave, Steinbrucks (SPD) që konsiderohet si krahu i djathtë i Kancelares Merkel u shpreh për vazhdimin e koalicionit të madh, ndërsa vetë kryetari i SPD, Munderfering, deklaroi ditët e fundit se “është trishtim të mbetesh në opozitë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›