E Diel, 1 Nëntor 2026

"Poeteka ‘09"

Vjeshta e ngrohtë poetike ka trokitur mbrëmjen e kaluar në qytetin antik të Durrësit, duke hapur portat e rrjedhës krijuese të autorëve nga Ballkani, Europa dhe më gjerë. Edicioni i pestë i festivalit ndërkombëtar të poezisë "Poeteka" është çelur zyrtarisht mbrëmjen e parë. Një kullë babeli në ambientet e hapura të qendrës së Durrësit që përcjell ndjeshmërinë e penës dhe njerëzve të letrave nga vendet e Ballkanit, që këtë herë është parë nga drejtori i festivalit si një Piter Pan i Europës. Kjo ka qenë edhe tema e natës së parë ballkanike që u është kushtuar marrëdhënieve kulturore dhe etnike mes ballkanasve, duke nxjerrë në pah mungesën e dëshirës së rajonit për t‘u rritur dhe integruar realisht në Europën plakë. "Ballkon-Ballkan" me këtë projeksion ballkanik të realizuar nga Arian Leka dhe Tristan Sherifi ka nisur nata e parë e moderuar nga Kim Mehmeti. Mbrëmjen e kaluar, nën yje dhe me një gotë verë në dorë, të ftuarit kanë shijuar zërat e poetëve që recitonin krijimtarinë e tyre, pa u prezantuar paraprakisht, duke sjellë larminë e tingujve dhe gjuhëve të ndryshme, ide kjo në mbështetje të nismës së UNESCO-s "2009-Viti i gjuhëve". Erjon Kristo më pas ka folur për "Poetekën" dhe si vjen ajo në këtë edicion të pestë: "Poeteka ka realizuar efektin e kthimit të vëmendjes mbi artin e të shkruarit përmes leximeve, bashkëbisedime kulturologjike mbi lidhjen poezi-filozofi, konferenca mbi mjeshtërinë, origjinën, efektet dhe mënyrën e komunikimit të teatrit poetik, si edhe workshop mbi kritikën letrare - veprimtari në të cilat ka pasur rreth 80-100 pjesëmarrës për çdo takim", thotë poeti dhe organizatori i këtij aktiviteti, Arian Leka. Në qendër të kësaj mbrëmjeje të parë ishin marrëdhëniet kulturore dhe etnike mes ballkanasve. Poetët dhe kritikët Jovan Nikolaidis (Mali i Zi), Kim Mehmeti e Bogomil Gjyzel (Maqedoni) dhe Fatos Lubonja e çelën mbrëmjen e parë të festivalit të poezisë duke trajtuar temën "Ballkani, Piter Pan i Evropës?". Të ftuarit e mbrëmjes së parë, Jovan Nikolaidis nga Mali i Zi dhe Bogomil Gjuzel nga Maqedonia janë njëherazi edhe të parët autorë të huaj që prekin Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë. Jovan Nikolaidis vjen nga Ulqini, qytet edhe ku ka lindur në vitin 1950. Nga viti 1974 e deri në vitin 1990, ai punoi në gazetën "Oslobodenje" të Sarajevës. Prej kohësh kur u kthye në vendin e lindjes, ai është thellësisht i angazhuar në nxitjen e dialogut ndërkulturor mes Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Shqipërisë. Jovan Nikolaidis themeloi disa organizata multikulturore, si edhe shtëpinë botuese "Plima", e cila promovon një brez të ri të letërsisë malazeze. Po kështu, ai botoi gazetën dygjuhëshe (në gjuhën shqipe dhe malazeze) "Plima" ("Batica"), ndërsa një nga meritat e tij të veçanta është themelimi dhe botimi i së parës gazetë në gjuhën shqipe në Mal të Zi, me titull "Kronika". Stili i Jovan Nikolaidisit është specifik. Ai luhatet mes epikës tradicionale dhe fragmentit modern. Toka dhe njerëzit ndahen ndërmjet tragjedisë historike të hapësirës dhe dëshirës për t‘i ikur pozitës së tyre të keqe, e cila i lë në mëshirë të fataliteteve politike dhe kulturore. Në veprat e tij, historia malazeze e ringjalljes kombëtare, në unison me fragmente të zakoneve fisnore, ende janë të pranishme, paraqiten si një rrjetë ngjarjesh, sa reale aq edhe prozaike. Prej andej, personazhet lënë shenjën e tyre të ekzistencës, prej së cilës nuk mund të shmangen, teksa kapen prej pushteteve të caktuara, nga të cilat thjesht nuk mund të ndahen.

I ftuari tjetër i mbrëmjes së djeshme, poeti, prozatori, skenaristi, eseisti dhe përkthyesi, Bogomil Gjuzel, ka lindur në Shaçak të Serbisë. Ai ka punuar si dramaturg në teatrin "Dramski" të Shkupit në periudhat 1966-1971 dhe 1985-1998. Gjyzel ka qenë pjesëmarrës në programin ndërkombëtar të shkrimtarëve në Iowa, SHBA dhe në një sërë festivalesh si ai i Roterdamit, San Franciskos, Herleen-it, si edhe Mastrihtit e Valencias. Ai është një prej themeluesve të Shoqatës së Shkrimtarëve të Pavarur të Maqedonisë dhe kryetar i parë i saj. Që prej vitit 1995 punon si kryeredaktor i revistës periodike "Nashe Pismo". Ndërsa nga viti 1999 ai mban funksionin e drejtorit artistik të festivalit "Mbrëmjet e Poezisë", Strugë.

Përveç Durrësit, Beratit dhe Tiranës, poetët do të shtegtojnë edhe drejt Elbasanit. Edhe këtë vit poetët konkurrojnë me krijimtarinë e tyre për të rrëmbyer katër çmimet që "Poeteka" ndan çdo vit. Sipas Lekës, përveç veprimtarive tashmë të njohura të leximeve autoriale, intervistat, kafe-bashkëbisedim me poetët e ftuar, performancat poetike, përurimet e librave, koncertet, ekspozitat e artit dhe panairin e librit poetik, festivali do të ketë në qendër edhe dy mbrëmje të tjera speciale organizuar nën titullin "Ballkon-Ballkan" të konceptuara si veprimtari e ndërthurur mes leximeve në gjuhën e tyre origjinale të autorëve të ftuar nga 12 shtete ballkanike dhe bashkëbisedimeve me publikun rreth temave qendrore "Ballkani - Piter Pan i Europës?", "Si të vajtosh e të këndosh ‘për tjetrin‘!" dhe "E ardhmja ballkanike: përmes varrezave drejt plazheve?". Tjetër format i ri në "Poeteka" konsiderohen edhe dy prurjet e reja që lidhen me poezinë sonore dhe poezinë vizuale. Në këtë kuadër do të organizohen dhe dy Master Class për t‘i bërë më të pranishëm këto mënyra të shprehuri poetik pak të lëvruara në Shqipëri. Ato do të drejtohen nga greku Demosthenes Agrafiotis për poezinë vizuale dhe Americo Rodrigues nga Portugalia për atë sonore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›