E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kronikë provinciale" pranë xhamisë së Torinos

U shfaq për herë të parë në Torino të Italisë filmi shqiptar "Kronikë provinciale" me regji të Artan Minarollit dhe skenar të Ylljet Aliçkës. Veprimtaria e organizuar nga shoqata kulturore italo-shqiptare "Vatra", mbështetur nga Regione Piemonte dhe "Cinemainstrada", festivali shëtitës që zhvillohet tashmë prej gjashtë edicionesh në Torino, u zhvillua në kuadër të projekteve "Festival della Cultura Albanese". Gjatë ditëve të "Cinemainstrada" përzgjidhen dhe shfaqen filma të kinemasë botërore në gjuhë origjinale, me nëntituj në italisht, në sheshet e Torinos. Kinemaja e këtij festivali projektohet në sheshet dhe këndet më të rrahura të qytetit. Filmi shqiptar u shfaq në sheshin "Porta Palazzo", që është në të njëjtën kohë edhe zonë multietnike në Torino. Simbol i bashkëjetesës, mes popujve e kulturave të ndryshme, në këtë shesh ndodhet edhe një xhami dhe pikërisht në këtë sfond u dha premiera italiane e "Kronikë provinciale". Në të mori pjesë edhe njëri prej autorëve, skenaristi i filmit, shkrimtari Ylljet Aliçka, aktualisht ambasador i Shqipërisë në Francë dhe pranë UNESCO-s. "Nëse ka një vlerë që Shqipëria mund t‘i japë Europës dhe që mund të pasurojë mozaikun e vlerave është toleranca fetare", tha ai dhe deklarata e Aliçkës duket se gjeti vend edhe te shikuesit e shumtë myslimanë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›