Epoka e filmave 3D

Adhuruesve të filmave tredimensionalë do t’u plotësohet një dëshirë e kamotshme. Kinemaja ABC edhe pak ditë do të fillojë me shfaqjen e filmave në teknologjinë tredimensionale. E për të filluar këtë ata kanë përzgjedhur filmin “The Amazing Spider–Man”, i cili është duke kryesuar listat e shikueshmërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Premiera e këtij filmi ishte paralajmëruar se do të jepet në muajin që e lamë pas, por në kinema ende po punohet për instalimin e teknologjisë tredimensionale.
“Filmat më të ri botërorë që do të prezantohen në teknologjinë tredimensionale do të shfaqen edhe në Kosovë. Premiera e filmit të parë në teknologjinë tredimensionale pritet të jepet brenda dhjetë ditësh, pasi që ende është duke u punuar në vendosjen dhe rregullimin e pajisjeve për shfaqjen e filmave 3D”, u shpreh Milazim Salihu, drejtor i kompanisë ‘Genci’, kompani kjo që menaxhon me kinematë e kryeqytetit.
Ai tregoi se çdo dy javë do të ketë premiera botërore vetëm në këtë teknologji, pasi që në Kino ABC do të jetë i vendosur projektori digjital, ku do të shfaqen vetëm filma të kësaj natyre.
“Ne jemi të vetmit në rajon dhe Europë që nuk kemi pasur projektor digjital”, tha Salihu.
E çmimi për këta filma është pak më i shtrenjtë se ata në shirit filmik që janë shfaqur deri më tani. Bileta për filma 3D do të jetë 5 euro. Salihu tha se i tërë projekti për vendosjen e kësaj teknologjie ka kushtuar diku rreth 100 mijë euro.
Ai mendon se ia vlen një shpenzim i tillë pasi që publiku është i interesuar për të parë filma në këtë teknologji, e cila ka mbërritur pothuajse në çdo cep të botës.
“Mendojmë se filmat 3D do ta tërheqin publikun dhe për këtë edhe i kemi hy kësaj pune. E gjithë rinia po shkon edhe në Shkup edhe në Tiranë për të shikuar filma tredimensional”, shtoi Salihu.
Lajmi tjetër i mirë është se brenda pak kohe do të hyjë në funksion edhe kinemaja tjetër e qytetit, ABC1, e cila që disa vite nuk ka shfaqur ndonjë film. Aty, përpos tjerash, do të shfaqen edhe filma në shirit filmik.
“Kinema ABC1 do të vihet në funksion, pasi që aty do të mbahen festivale të ndryshme dhe do të shfaqen filma në shirit filmik. Aty do të shfaqen filmat në shirit filmik që do të jenë në treg. Do të mundohemi që së paku premierat shqiptare apo të rajonit t’i shfaqim në shirit filmik në Kinemanë ABC1”, tha Salihu.
‘Spider-Man’ thyen rekorde
Filmi ‘The Amazing Spider-Man’, me regji të Marc Webbit dhe me aktorët Andrew Garfield, Rhys Ifans, Emma Stone, Sally Field, Martin Sheen e Denis Leary në rolet kryesore, flet për personazhin Piter Parker, një sherrxhi i shkollës së mesme, të cilin prindërit e kishin braktisur si fëmijë. Ai rritet me Xha Benin dhe teton Mej. Piteri po mundohet të kuptojë se kush është në të vërtetë. Po ashtu ai mundohet të kuptojë marrëdhënien me vajzën nga gjimnazi, Guen Stejsi. Ata bien ndesh me dashurinë, përkushtimin dhe sekretet. Kur Piteri e gjen një valixhe që i kishte takuar babait të tij, ai mundohet të gjejë shkakun e zhdukjes së prindërve. Kjo e çon tek Oskorpi dhe te laboratori i Dr. Kurt Konors, i cili ishte partneri i babait të tij. Pasi ky zbulim bie ndesh me personalitetin e dytë të Konorsit, Zhapikut, Piteri merr vendime që ia ndryshojnë jetën dhe që e bëjnë hero të vërtetë. Filmi ka filluar të jepet premierë nëpër botë në fillim të muajit korrik dhe ka thyer rekorde nëpër arkat filmike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më gjerë. Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, këtë fundjavë, ky film ka pasur një arkëtim prej 65 milionë dollarësh.