E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eposi Kreshnik mbrohet nga UNESCO?

Eposi i Kreshnikëve do të jetë pjesë e një dosje zyrtare të shtetit shqiptar, e cila do t’i paraqitet UNSCO’s gjatë një asambleje që pritet të mbahet në mars të vitit 2012. Nga Express më 02 mars 2011 në ora 12:26

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë i Shqipërisë tashmë ka nisur punën që “Eposi i Kreshnikëve” të prezantohet si kryevepër në rrezik. Kjo ngase aktualisht kanë mbetur vetëm 10 lahutarë që dinë t’i këndojnë këto këngë. Pra, Eposi mund edhe të zhduket.

Sipas ekspertëve, këngët e kënduara me lahutë për legjendat e hershme të popullit shqiptar meritojnë të nominohen si pjesë e UNESCO’s.

Eposi i Kreshnikëve (ose Cikli i Kreshnikëve) është një epos legjendar i përbërë nga këngë të ndryshme epike, të cilat kryesisht shoqërohen me lahutë. Zonat ku këndohet eposi janë të shumta në Shqipërinë e sotme. Mendohet se ai është ende i pranishëm në zonat si Malësia e Madhe, Dukagjini, Hasi, si dhe në disa rrethe të tjera.

Përveç Shqipërisë, cikli këndohet edhe në zonat e ndryshme të Kosovës, si në Pejë, Gjakovë, Prizren, Deçan, Rahovec, etj. Në qendër të këtij eposi janë dy vëllezërit, Muji dhe Halili, dhe aty tregohen historitë e tyre, ndonëse është edhe një këngë që përfshin vajtimin e Ajkunës për birin e saj Omerin (kënga "Ajkuna qan Omerin", e njohur ndryshe edhe si "Vaji i Ajkunës").

Gjashtë vjet më parë, data 25 nëntor 2005 ishte cilësuar si ditë historike për gjithë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, dhe për vetë Shqipërinë. Në atë ditë “Iso-polifonia popullore shqiptare” u fut në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” të mbrojtura nga UNESCO, gjë kjo që u kumtua për të gjitha mediat botërore nga selia qendrore e UNESCO’s në Paris, gjegjësisht nga dr. Koichiro Matscura, drejtor i përgjithshëm i UNESCO’s.

Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë shqiptare të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ols Lafe, pohon se zhvillimet moderne po ndikojnë në zhdukjen e disa zakoneve e dukurive. Sipas tij, për t’u ruajtur këto vlera do të synohet kandidimi në listën e trashëgimive kulturore që kanë nevojë për ruajtje urgjente.

Lafe tregon se është kohë shumë e shkurtër për hartimin e dosjes, megjithëse është pozitive që edhe Eposi do të paraqitet zyrtarisht për plotësimin e një vlere tjetër, të dukurisë të trashëgimisë shpirtërore në veriun e Shqipërisë, e që shtrihet dhe në Mal të Zi e Kosovë, në mënyrë që të prezantohet në UNESCO para gjithë botës.

“Puna ka filluar që në vitin 2009, kur në tryezat e mbajtura në Festivalin e Folklorik të Gjirokastrës u hodh dhe u qartësua ideja që Eposi të ishte një tjetër vlerë e trashëgimisë kulturore. Do të theksoj mbrojtjen dhe ruajtjen e kësaj vlere të trashëgimisë shpirtërore, që ka të bëjë edhe me kandidimin e Eposit të Kreshnikëve në UNESCO. Pra, Eposi do të jetë pjesë e kësaj liste që ka nevojë për ruajtje urgjente. Është kjo një listë që do të presë kandidimin e dosjes shqiptare. Pra, nuk do të jetë në një listë me polifoninë, por do të jetë me të njëjtat vlera, e kjo për shkak të nevojës që zhvillimet moderne sot po shkaktojnë edhe zhdukjen e disa dukurive si Eposi”, thekson drejtori Lafe. (Sot)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›