E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra Amerikës, një epistolar dhe një manual diplomatik

SHKRUAN: Alfred Lela 02-03-2011 11:17

Libri: “Letra Amerikës”

Është i ndarë në tri pjesë, ku sipas radhës përmblidhet korrespondenca e ambasadorit Tarifa me Shtëpinë e Bardhë, me administratën, me Kongresin dhe me shtypin amerikan

Autori: Fatos Tarifa

Ka shërbyer si Ambasador i Shqipërisë në Holandë në vitet 1998-2001 e më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitet 2001-2005. Aktualisht është pjesë e stafit akademik në Universitetin Europian të Tiranës

Shtëpia Botuese: Ombra GVG

Mendja, për forcë zakoni, kur togfjalëshi ambasadori i Shqipërisë në Amerikë feks në një cep të saj, e ndal turrin te Faik Konica, një ndër shqiptarët më të iluminuar të të gjitha kohërave. Sigurisht lexuesi i gjerë njeh pak ose aspak nga veprimtaria diplomatike e Faik Beut dhe më shumë, shumë më shumë, nga publicistika e tij. Por lexuesi e di se karroca diplomatike mes Tiranës e Washington-it u ndryshk pas ardhjes në pushtet të komunistëve, për t’u vënë sërish në lëvizje pas viteve ’90. Diku përgjatë viteve të tranzicionit, më saktë në periudhën 2001-2005, ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u emërua Fatos Tarifa, një sociolog i njohur. Hendeku i madh kohor që ndante të dërguarit e Tiranës në Washington mund të ishte parë edhe si intelektual. Por ja ku vjen një libër, Letra Amerikës, i cili në çdo rast tjetër do ishte parë si “zbardhje” e korrespondencës diplomatike të ambasadorit të një vendi të vogël me zyrtarët e superfuqisë së kohës. Por, fatmirësisht për vetëbesimin e të gjithëve, nuk është kështu. Epistolari diplomatik i ambasadorit Tarifa do t’i rrinte mirë bibliotekës së çdo zyrtari të shërbimit të jashtëm të Republikës së Shqipërisë, si dhe çdo studenti të diplomacisë apo marrëdhënieve me jashtë. Letra Amerikës është i ndarë në tri pjesë, ku sipas radhës përmblidhet korrespondenca e ambasadorit Tarifa me Shtëpinë e Bardhë, me administratën, me Kongresin dhe me shtypin amerikan. Ky letërkëmbim i dendur i të dërguarit të Shqipërisë me aktorët dhe faktorët e jetës politike amerikane, duke filluar nga presidenti George Bush; sekretari i Shtetit, Colin Powell; këshilltarja e Presidentit për Sigurinë Kombëtare dhe më vonë sekretare Shteti, Condoleezza Rice; prokurori i përgjithshëm, John Ashcroft; kryebashkiaku i New York-ut, Michael Bloomberg; sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld; senatori Joe Biden; kongresmeni Tom Delay; e një shpure senatorësh e kongresmenësh të tjerë, përfshirë edhe kryetarin e n/Komitetit për Çështjet Shqiptare në Kongres, Eliot Engel. Sigurisht e gjithë kjo mund të quhet me emrin e saj të parë diplomacy as usual (diplomaci si zakonisht), po të mos kuptosh se në mes rreshtave ka më shumë se aq: Tarifa është, në fakt, duke lobuar për Shqipërinë dhe interesat e saj. Një letër për kryebashkiakun e New Yorkut, Bloomberg, është dëshmia më akute e kësaj: ambasadori i shkruan pasanikut dhe politikanit njujorkez duke i kërkuar pjesëmarrjen në mbledhjen e Kryetarëve dhe Sekretarëve të Përgjithshëm të Misioneve të Komiteteve Olimpike Europiane, që do të mbahej në Tiranë. Përmbylljen e librit e bën një grusht letrash dërguar editorëve të gazetave më të mëdha amerikane përfshirë New York Times, Washington Post e Washionton Times, ku Tarifa argumenton vërejtjet e tij ndaj artikujve që e paraqesin padrejtësisht Shqipërinë në një dritë jodinjitoze. Një përimtim i tekstit të letrave të kujton atë që e përmend edhe profesori i Eastern Michigan University, Jay Weinstein në parathënien e librit: imagjinata sociologjike (term i huazuar nga C. Wright Mills). Sipas Weinstein-it, “letrat e përfshira në këtë vëllim na bëjnë të kuptojmë se mendimet dhe veprimet e individëve nuk mund të kuptohen pa marrë në konsideratë kontekstet historike në të cilat individët mendojnë dhe veprojnë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›