Parku i Totalitarizmit, si Ferri-Purgatori-Parajsa
Ferri-Purgatori-Parajsa (Çlirimi) janë tri shtyllat mbi të cilat janë konceptuar 5 projekt-idetë për ndërtimin e të parit Park të Realizimit Socialist ose ndryshe Parku i Totalitarizmit në pjesën e mbetur më të bukur të Tiranës, në Dajt. Në fakt është zgjedhur tashmë “vendqëndrimi” i arkivit kombëtar të librit dhe artit të realizmit socialist, që ka zaptuar prej kohësh dy institucionet kombëtare: Bibliotekën dhe Galerinë e Arteve, duke u zënë frymën koleksioneve të tjera me vlerë kombëtare, ai është Reparti Ushtarak 5011/45 në fshatin Surrel pranë malit të Dajtit. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me propozim të Bibliotekës Kombëtare dhe Galerisë Kombëtare të Arteve, në fund të vitit të kaluar i kërkoi Universitetit Polis asistencën e ekspertëve të tij për të hartuar një projekt-ide konceptuale për krijimin e parkut/arkivit kombëtar të librit dhe artit të realizimit socialist në një objekt shtetëror ushtarak pranë malit të Dajtit. Në këtë pjesë ka bashkëpunuar Ministria e Mbrojtjes, e cila ka vënë në dispozicion gjithë hapësirën që dikur i përkiste Repartit Ushtarak 5011/45 në Surrel. Projekt-idetë ishin konceptuar sipas terrenit që ofronin mjediset e Repartit ekzistues, ku tuneli në hyrje të tij do të shërbente si një portë e hyrjes për vizitorët, në mënyrë që këta të fundit të zbulonin në errësirën e tij ferrin e asaj periudhe përmes ngjarjeve dhe fakteve që do të përzgjidheshin për ekspozim, për të dalë më pas në pjesën në qiell të hapur, ku ndërtesat ekzistuese që do të kthehen në një infrastrukturë të përshtatshme për ekspozimin e fondit që do të vinte në dispozicion Biblioteka dhe Galeria Kombëtare e Arteve, që i përkasin pikërisht asaj periudhe si një tregues historik të asaj që ka ndodhur. Kji i përket pjesës Stand By ose më saktë Purgatorit, që ishte konceptuar si një lloj reflektimi rreth asaj kohe. E sigurisht pjesa dalëse në një hapësirë të gjelbër që lidhet me panoramën që të ofron mali i Dajtit, e parë si një lloj Çlirimi apo Parajse e një lirie të fituar pas gjithë atij rrugëtimi nëpër ferrin e totalitarizmit.
Stari i një debati publik
Ministri i TKRS-së, z .Ferdinand Xhaferaj, gjatë prezantimit të projekt-ideve u shpreh se kështu ne i hapim rrugë një debati publik që do të ndihmojë në përzgjedhjen e projektit fitues. Pesë projekt-idetë e hedhura për debat janë: Divizion 5011-45, Standby 5011-45, Surrel EKG, Potenciali i energjisë, Sureal. “Ne jemi të sigurt që debati publik është e vetmja formë ku propozimet e ekspertëve mund të vlerësohen për t’u zbatuar më pas në praktikë. Ne si MTKRS, kemi organizuar këtë takim në prezencën edhe të drejtuesve të dy institucioneve shtetërore të interesuara për këtë çështje, duke dashur të përcjellim informacionin në publik, për të arritur krijimin dhe funksionimin e këtij destinacioni të ri turistiko-kulturor”, tha ndër të tjera Xhaferaj. Ndërkohë që dy institucionet kombëtare, Biblioteka dhe GKA, do ta përqendrojnë debatin e tyre te kërkesat funksionale të projekteve për fondet e tyre, për të zgjedhur variantin më të përshtatshëm dhe më funksional.
Fondi i propagandës
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, dhe Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, u shprehën gjatë prezantimit të projekt-ideve se do të përdoren vepra të periudhës së propagandës së Realizmit Socialist, të cilat kanë bllokuar hapësirat ekspozuese të GKA-së dhe BK-së. “Besoj se të gjithë jemi dëshmitarë të hapësirave të tëra të bllokuara nga koleksionet e stalinizmit që bllokojnë koleksionet kombëtare. Kjo zgjidhje që është propozuar nuk është një zgjidhje origjinale, por është një zgjidhje që e kanë përdorur disa vende të Europës Lindore, që janë gjetur në këtë situatën e mbingarkesës së hapësirave nga fondi i propagandës. Në rastin e Bibliotekës Kombëtare, nuk bëhet fjalë për asnjë njësi të fondeve kombëtare, por bëhet fjalë për atë pjesë ruso-sovjetike që edhe mund të pastroheshin, por ne mendojmë se më mirë është që të ruhen dhe të kthehen në koleksione të vizitueshme për turizmin, që kanë jo vetëm kuriozitet historik”, u shpreh ndër të tjera drejtori i BK-së Aurel Plasari. Në të njëjtën linjë është dhe drejtori i GKA-së, Ruben Shima, institucioni i të cilit që nga koha kur vendosi të marrë në mbrojtje monumentet që i përkisnin artit të propagandës u ndesh me problematikën e zaptimit të hapësirave të Galerisë e si zgjidhje e kësaj situate u pa pikërisht ngritja e këtij Parku, ku GKA do të ekspozojë atë që quhet arti i propagandës, që sipas Shimës mund të ketë vlera historike, por kurrsesi artistike. Ndërsa Besnik Aliaj, rektor i Universitetit Polis, u shpreh se ky është një fond që meriton të futet në arkiva, dhe me këtë projekt të krijohet një atraksion turistik për t’u vizituar nga turistë vendës dhe të huaj.