Këtë muaj kinemaja flet me gjuhën e femrës
Kinemaja shqiptare duket se po jeton mes nostalgjisë së një kinemaje kombëtare, të lindur e zhvilluar para viteve ‘90, dhe kinemasë së të ardhmes që është në ndërtim e sipër. Në këtë kontekst është dhe nisma e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF) për të sjellë kinemanë më të mirë të para viteve ’90, një rikthim për nostalgjikët. Muaji mars i është kushtuar femrës. Në Shqipëri, për fat të keq, kineastet femra janë shumë pak. Edhe kjo “pakicë” fatkeqësisht i përket pikërisht së shkuarës, sepse kinemaja e së ardhmes që është në ndërtim e sipër ose nuk i lë hapësirë femrës ose më e keqja është aq e egër sa s’ka vend për finesën femërore. Gjithsesi, në 60 vjet jetë, kinematografia shqiptare ka pasur shumë pak regjisore dokumentariste, por dhe ato pak që ishin, me punën përkushtimin, talentin e tyre, arritën që jo vetëm të krijojnë vlera por edhe të gdhendin emrin e tyre në celuloid, në historinë e filmit shqiptar. Pikërisht këtyre kineasteve të shquara, AQSHF u dedikon muajin mars, me rastin edhe të festës së 8 Marsit. Në vijim të aktiviteteve, kinemaja e së mërkurës do të sjellë për pesë javë rresht disa nga prodhimet më të mira kinematografike të këtyre regjisoreve femra, që kanë lënë gjurmë në historinë e filmit shqiptar. Muaji i kineasteve femra do të çelet këtë të mërkurë me regjisoren e filmave kronikalë dhe dokumentarë, Marianthi Xhako, e cila vjen sot në kinemanë e së mërkurës me tre filma dokumentarë: “Qyteti i 1000 dritareve”, “Reportazh mbi Shishtavecin” prodhim i vitit 1967, për ta mbyllur me “Mjekja e fshati”, prodhim i vitit 1975; për të vazhduar me të mërkurat e tjera të këtij me regjisoret Donika Muçi, Liri Brahimi dhe Vitori Çeli. Në fund do të bëhet një homazh për dy kineaste të shquara që nuk jetojnë më, regjisoren e filmit artistik, Artisten e Popullit Xhanfise Keko, e cila sigurisht s’mund të lihej jashtë kur flitet për gratë kineaste dhe dokumentaristen Adriana Elini.