Era e Rilindjes fryn mbi Shqipëri
Naqifor Doda / Qytetar
Edhe katër ditë na ndajnë nga zgjedhjet dhe shqetësimi në fytyrën e popullit shqiptar bëhet më i madh, jo vetëm tek të majtët, por akoma dhe te koalicioni i djathtë. Kjo ndjenjë ka pushtuar dhe ndërkombëtarët, shtete, organizma, politikanë. Për krijimin e ndjenjës së tillë jemi unikë dhe është eksluzivitet i Sali Berishës. Për zgjedhjet e asnjë vendi të botës nuk tregohet një shqetësim dhe impenjim i tillë. Kryeministri ynë, (është thënë dhe herë tjetër), vuan nga Narcisismi dhe për pasojë, veç elementëve të tjerë të këtij, gënjeshtrat që i servir popullit i beson dhe vetë, ngaqë mendon se gjithë populli, të rinjtë dhe fëmijët jetojnë si ai, si fëmijët dhe mbesat e tij... Zvicrën e kanë si shtëpinë e tyre...
Kam idenë se ai nuk jeton në Shqipëri e me shqiptarë; ka marrë një kordele dhe një palë gërshërë në xhep dhe inauguron vepra që s’kanë mbaruar kurrë. Për Shqipërinë tjetër s’na ka folur kurrë në mitingje, por (më thoni edhe ju nëse ato që thotë për familjen dhe jetën private të Ramës, sado të vërteta mund të jenë), janë thënie të një kryeministri që nuk ka lajthitur. Organizmat ndërkombëtare që i ka pjellë belaja me të dhe administratën e tij politike dhe publike familjare, i kanë vënë notën: “I 4-ës dhe i 5-ës je vlerësuar në të tëra”, pasi: Institucionet kryesore drejtohen nga njerëz pranë Qeverisë dhe familjes së tij; Ekziston një kulturë pandëshkueshmërie e krimit të organizuar dhe korrupsionit; Në korrupsion është e përfshirë gjithë kasta dhe oborri i tij; Ka rënie në treguesit për qeverisjen qendrore dhe lokale, luftën kundër korrupsionit, etj.;
Mungon vullneti politik për forcimin dhe demokratizimin e institucioneve; Procesi elektoral, ose vota demokratike janë përdhunuar e përdhunohen çdo ditë në një kohë që SHBA dhe jo vetëm, shprehin shqetësimin për presionet që po ushtrohen ndaj votuesve dhe administratës publike; Shoqëria civile zhvlerësohet çdo ditë; Censura ndaj Media-ve, presioni ndaj administratës dhe pushimet nga puna janë kredoja e Saliut dhe gazetarët, sido-mos ata që mbulojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, përballen me presionin politik, kërcënimet dhe dhunën. Sali Berisha akuzon opozitën për të gjitha zullumet që ai dhe oborrtarët e tij kanë bërë, duke menduar se rizgjedhja e tij përbën rotacion. Por populli shqiptar nuk është naiv, ai e di mjaft mirë pse Atdheu i tij bie akoma erë fashisto-komuniste, por Era e RILINDJES do ta fshijë njëherë e përgjithmonë dhe ai do të marrë frymë lirisht.